Mjeshtri i spiunazhit
Që nga koha e romanit të tij të parë me spiunazh, në vitin 1963, “Spiuni që erdhi nga të ftohtët”, autori që lindi me emrin David John Cornwell nisi që të ndërtojë një shtëpi të vërtetë me pasqyra dhe mister, shtëpinë e romaneve. Brenda kësaj shtëpie kishte shumë elementë të dyzuar, gjysmë në hije e në një zonë gri.
Ata të gjithë i nënshtroheshin ligjeve dhe miteve të caktuara dhe mbi të gjitha, i nënshtroheshin dhe rregullave që arritën t’i shndërrojnë krijimet e tij ndër më të mirat e letërsisë së zhanrit. Ai arriti që, sikundër ndodh me shkrimtarët e mëdhenj të veprave monumentale, të ndërtonte një botë të tërë të tijën, me personazhe dhe peizazhe të sajuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Përmes romaneve të tij, arriti të krijonte një laborator të natyrës njerëzore.
Kjo është arsyeja që Le Carre ka arritur që t’i mbijetojë tregut dhe të mbijetojë si një fenomen letrar edhe sot e kësaj dite, 20 vjet pas shkatërrimit të Traktatit të Varshavës dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë, që ka qenë edhe bekgraundi i pjesës më të madhe të veprave të suksesshme. Kjo është arsyeja se përse librat e tij, edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë që të jenë skenarë shumë konkurrues në kinematografi me përpjekjet e fundit, atë të krijimit të filmit nga libri i vitit 1974, “Tinker, Tailor, Soldier, Spy”.
Kjo sepse Le Carre, vitet e fundit, ose më mirë pas ndryshimeve të mëdha në Lindje të Europës nisi që ta shtrinte këndvështrimin dhe hapësirën e romaneve, duke e parë tashmë spiunazhin si një çështje të përbotshme, me faktorë dhe aktorë të rinj, që nuk ekzistonin më parë. Në vitet 2000, nisi që të dilte me romanet e tij në Amerikën Latine, në botën e drogës dhe të narkotrafikut e karteleve të fuqishme kolumbiane. Më pas shkroi edhe për trafiqet e armëve të kontinentit afrikan në librin “The Tailor of the Panama”.
Tashmë personazhet e tij nga spiunët rusë dhe amerikanë të Luftës së Ftohtë ishin bankierë, njerëz të fuqishëm dhe drejtues të lartë të korporatave zhvatëse dhe kriminale, politikanë të famshëm që punonin nën rrogoz për interesa të kundërta nga ato për të cilat ishin zgjedhur e të tjera si këto. Në romanin e fundit të vitit 2008, ai i rikthehet Rusisë, këtë herë shumë vite pas shpërbërjes së komunizmit, një vend ku ekzistojnë probleme të tjera dhe njerëz të rinj, por në të cilin gjërat janë shumë më të lidhura me të shkuarën nga sa mund të mendosh.
Në këtë roman, ai futet sërish në botën e nëndheshme të shërbimeve sekrete, që e ka përlyer dhe joshur, e mbushur me mashtrime dhe gënjeshtra, një botë me të cilën u njoh që në fëmijëri. I ati i shkrimtarit ishte një njeri që hynte e dilte nga burgu, për shkak të borxheve të mëdha që bënte herë pas here. E ëma e braktisi kur ishte ende 5 vjeç. Ndërkohë i ati u martua dhe solli në jetë edhe fëmijë të tjerë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Le Carre që lindi në vitin 1931, e gjeti veten në tregun e zi, duke shitur produkte të rralla nën dorë me çmime shumë të larta. Shkrimtari jetonte në një botë gënjeshtrash e frike, ku guxonte që të kishte ëndrrat e tij të fshehta.
Ndërkohë, teksa ishte student në Bernë të Zvicrës ra në dashuri me letërsinë gjermane dhe gjuhën gjermane dhe ky pasion e nxiti të shkonte në Oksford për të mësuar për njëfarë kohe gjuhët e huaja. Në këtë periudhë u bashkua me MI5, shërbimi sekret ushtarak britanik dhe pas tre vitesh u transferua në shërbimin sekret MI6. Nisi që të punonte në Bon, si sekretar i dytë i ambasadës britanike. Më 1961-shin, vitin e ngritjes së murit të Berlinit, u ndje shumë i frustruar dhe pikërisht atëherë shkroi edhe romanin e parë. Një vit më pas, ai e la shërbimin për t’iu përkushtuar të shkruarit me kohë të plotë. Në atë kohë ishte i martuar me gruan e dytë dhe jetonte në Britaninë e Madhe. Ka një djalë i cili në vitin e ardhshëm, do të publikojë romanin e tij të dytë. Për sa i përket Le Carre, ai është një nga shkrimtarët e rrallë që ka ditur t’u përshtatet epokave të ndryshme dhe të jetë vazhdimisht i suksesshëm, pasi ai di të kapë thelbin e situatave dhe pulsimin e një realiteti që është i nëndheshëm dhe në një botë hijesh.