E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Berisha do Gjykatën e Lartë, ka hallin e Mediut

 

TIRANË- Avokat Spartak Ngjela e sheh në një tjetër këndvështrim, përplasjen institucionale mes Kuvendit dhe Presidencës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Deputeti Ngjela ka deklaruar dje se e gjitha kjo është një përpjekje e kryeministrit Sali Berisha për të marrë Gjykatën e Lartë, aty ku, sipas tij, do të kërkohet me dhunë pafajësia e Fatmir Mediut. “Çdo njeri që i shmanget votimit në Kuvend, është anti-parlamentarizëm. Topalli nuk e ka aftësinë për të interpretuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese thekson se kjo çështje zgjidhet vetëm me votë. Por Berisha e ka të domosdoshme që të marrë Gjykatën e Lartë, sepse ka hallin e Mediut. Mediu do të gjykohet në Gjykatën e Lartë, kështu që kërkon të marrë një pafajësi me dhunë”,- tha dje Ngjela. Avokat Ngjela deklaroi se kandidaturat që Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka emëruar, janë të një niveli të lartë dhe se duhet kuptuar në thelb ndarja e pushteteve. “Kandidaturat që ka zgjedhur Presidenti, janë nivel i lartë. Ai është një pushtet që kontrollohet nga Presidenti i Republikës, përndryshe do humbiste sensi i ndarjes së pushteteve. Nëse mazhorancës nuk i pëlqen, i rrëzon me votë në Kuvend. Parlamenti është proces i të votuarit. Nuk është llapje. Ata janë mësuar me llapje. Parlamentarët nuk llapin. Votojnë”,- sqaroi Ngjela.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›