E Diel, 1 Nëntor 2026

Moda dhe tendencat e fushatës zgjedhore

Si vishen deputetët e ardhshëm, stili, risitë, gjetjet dhe gabimet e tyre

Merita TOÇILA*
Në këtë atmosferë mitingjesh, mbledhjesh, me ngjyra e flamuj nga të gjitha llojet, është e pamundur të rrish indiferent ndaj prezantimit të kandidatëve të ndryshëm për në fushatën elektorale, të liderve të partive të ndryshme si dhe më së shumti të ndjekësve nëpër mitingje... simpatizantët e shumtë të këtyre fushatave. Midis ngjyrave te flamurëve e banderolave; blu, rozë, të kuq, të gjelbër etj., dallojnë edhe ngjyrat e politikanëve. Veshja dhe prezantimi i tyre i përditshëm në takime me elektoratin gjithmonë e më tepër po bëhet e njëjtë me atë që e voton duke shkurtuar kështu distancat...
Imazhi i një lideri sot ka filluar të ndryshojë duke pësuar edhe ai, ndryshimet që pëson e gjithë shoqëria. Ai vendos një komunikim me zgjedhësit e vet dhe ky realizohet nëpërmjet disa elementeve, ndër të cilët edhe një komunikim i fshehtë, që nuk ndihet por që vepron po aq fuqishëm sa fjala, ndonëse kjo ndodh pavetëdijshëm. Është komunikimi i veshjes. Për ata që e dinë dhe që e njohin gjuhën e simboleve, sheh një larmi paraqitjesh nga njëra mbledhje në tjetrën, nga njëri miting te tjetri. Figura e një lideri sot në botë shihet si përcjellës i fuqisë, pushtetit, besimit. Lideri, në imazhin e tij duhet të krijojë këtë besueshmëri në mënyrë që stili, veshja e realizuar, modelimi, prerja, t’i përgjigjen qëllimit, sigurisht, duke mos neglizhuar personalitetin dhe karakteristikat individuale. Jemi mësuar që të shohim lidera në veshje formale, me një stil klasik, të përcaktuar që në fillim të shek. XX dhe kjo për më tepër ka funksionuar në Shqipëri ndër vite, shumë më e theksuar para viteve ‘90. Por, sot vihen re disa ndryshime; këto personalitete ndonjëherë braktisin gravatat, xhaketat dhe ambientet e mbyllura, duke i dhënë edhe portretit një çiltërsi dhe një pamje të shkujdesur, e cila ndikon për të zbutur distancën që i mban larg nga njerëzit. Padyshim, e gjitha kjo tregon një formë emancipimi. Përveç këtyre, që janë më të dukshme, politikanët kanë filluar të largohen nga “bardh e zi” -ja e përhershme, këmisha e bardhë kombinohet me pantallona e xhaketë të zezë, ose gri të errët, ndonëse ata që i përkasin një brezi më të hershëm vazhdojnë që të ndjekin këtë rrymë. Ka prezantime ku këta politikanë i largohen kontrastit klasik, për të sjellë kontraste më të zbutura. Gjithsesi, për meshkujt, edhe pse mund të punojnë me ndonjë specialist në përcaktimin e veshjes së tyre, gjithmonë mbetet diçka për t`u rregulluar pasi edhe krijimtaria është e limituar për ta dhe nuk dalin dot jashtë një kuadrati.

Rama e Berisha respektojnë “rregullat e lojës”
Sa u përket figurave të njohura të politikës, vihet re një respektim i rregullave në veshje dhe sipas situatave, diku më të çlirët, në një mjedis të hapur e diku të ngurtësuar, në një takim më të organizuar. Në të dyja rastet ata dijnë të bëjnë vlerësimin e duhur të situatës dhe kjo vlen si për Ramën ashtu edhe për Berishën.

Meta sportiv, guxon me ngjyrat dhe përzien stilet
Ka edhe nga ata lidera që nuk i njohin fare zyrtarizmat, por që kjo gjë nuk i bën më pak popullorë siç është rasti i Ilir Metës. Në stilin e veshjes së tij ai mbetet përherë sportiv dhe guxon me ngjyrat, ndonjëherë edhe duke i përzier stilet.

Sazan Guri, surpriza e fushatës
Ndonjë prej kandidatëve (Sazan Guri) zgjedh të luajë me ngjyrat e ngrohta, gjë që e afron me publikun, duke hequr dorë nga bluja, grija, e zeza dhe zgjedh për çudi, një lloj të verdhe në të gjelbërt, të kombinuar me të bardhë, që vjen e papritur për një fushatë elektorale, por gjithsesi, është këndshëm, sepse rrëzon një largësi mes zgjedhësit dhe të zgjedhurit, duke e zbritur nga podiumi dhe duke e afruar më pranë. Një zgjidhje e tillë do të ishte mirë, gjithmonë për ata që kanë tipare të theksuara, për të zbutur portretin dhe për të ekuilibruar situatën.

Të rinjtë sportivë por jo më bukur se të vjetrit
Ka një ndryshim midis kandidateve më të rinj në politikë dhe atyre më me përvojë. Të sapointegruarit prezantohen me më pak konturime. Veshja e tyre dhe imazhi që duan të përcjellin shpërfaq sportivitet dhe është rinore, me qëllim për të qëndruan më pranë një brezi më të ri zgjedhësish, nga edhe vijnë, por nuk është se sjellin diçka më shumë se kaq... Mënga e përveshur, pantallonat xhinse, apo jeleku, nuk sjellin ndonjë natyrshmëri apo afrimitet më shumë. Secili prej tyre ka krijuar një lloj fizionomie me të cilën arrin të prezantohet dhe të imponohet, edhe pse kur këtë rol nuk e luan veshja, mund ta luajnë faktorë të tjerë ndihmës siç janë lëvizjet, mimika etj.

Femrat bëjnë diferencën
Ndërsa për kandidatet femra, situata është më ndryshe... Ato janë treguar më të kujdesshme në këtë fushatë, pasi për nga vetë larmia e veshjeve dhe impenjimi i gjerë i modës për to, kanë më tepër mundësi për t’u prezantuar në forma të ndryshme dhe gjithmonë në një nivel të kënaqshëm.

Ndër vite kemi pasur zonja klasike, te të cilat mbizotëronte klasikja, në përzgjedhjen e ngjyrave, modelimin dhe në simbolikën e tyre, zonja që përfaqësonin nënën, gruan... por larg ikonës së modës. Edhe pse tek - tuk ka pasur ndonjë prirje për të dalë jashtë formalitetit, por në raste shumë të rralla dhe thuajse të pandjeshme. Jozefina Topalli vjen me e sofistikuar ne veshje dhe prerje. Spikat përdorimi i materialeve të shtrenjta, duke bërë ndërhyrje vogla ne modelim, por vazhdon të mbetet në stilin klasik dhe pa sjellë risi. Mimi Kodheli gjithmonë me një pamje tepër të rregullt të një gruaje të fortë dhe të vendosur. Majlinda Bregu, edhe pse një ndjekëse e modës, bën gjetjen e duhur duke përcjellë imazhin e një gruaje moderne, por jo më pak të vendosur dhe këmbëngulëse. Tek ajo shihet një tendencë e dukshme për të sjellë diçka të re; në mënyrën e përzgjedhjes së ngjyrave, herë duke krijuar kontraste, herë duke ruajtur një monokromë në reliev, të përdorimit të materialeve të thjeshta, duke eliminuar ndonjëherë edhe një xhaketë të një stili të vjetëruar. Kandidatja Erisa Xhixho vjen më “fashion” në këtë fushatë elektorale, duke sjellë tendencat e reja të modës dhe një frymë krejtësisht të re që përkon sigurisht dhe me preferencat e saj, por spikat në përdorimin e materialeve dhe elementeve dekorative, elegante dhe aspak ekstravagante, një përzgjedhje e zgjuar dhe jo e tepruar, duke mbetur gjithmonë shik dhe duke vijuar një prirje futuriste. Por, nuk mbeten pas kandidatet e tjera femra, të cilat pa diskutim do të sjellin një erë re të gruas politikane si Juliana Hoxha, Erla Mëhilli, Vasilika Hysi etj.
* - Piktore, stiliste.

20 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›