Kurimi i pacienteve jashte vendit, plotësohen kuotat per vitin 2009
Emanuela Sako
Ministria e Shëndetësisë është drejt ezaurimit të kuotave për pacientët që kurohen në spitalet e huaja. Burime nga kjo ministri bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se aktualisht janë dërguar për kurim në spitalet e huaja 105 pacientë me probleme të thella shëndetësore që nuk mund të kurohen në spitalet tona. Problem mbetet çështja se ku duhet të drejtohen pacientët e tjerë që do të kenë probleme shëndetësore gjatë gjithë këtij viti. Në marrëveshjet që ka Ministria e Shëndetësisë me Greqinë dhe Turqinë, kuotat e pranimit të pacientëve në spitale janë 100 pacientë në vit mund të shkojnë në Turqi dhe 30 të tjerë në Greqi. Aktualisht vende vakante janë rreth 25, deri në fund të këtij viti.
Pacientët
Sipas specialistëve, zgjidhja e vetme mbetet realizimi i ndonjë marrëveshje të re mes palëve. Në të kundërt, numri i limituar mund të ndërpresë dërgimin e pacientëve për këtë vit. Vitin e kaluar ndodhi e njëjta situatë, ku pas muajit shtator numri i pacientëve u ezaurua dhe asnjë pacient nuk mundi të shkojë jashtë vendit pas kësaj date. Kërkesat e paraqitura pas muajit shtator, u shqyrtuan gjatë këtij viti dhe u dërguan për kurim në një nga dy vendet që kishin kryer aplikimin. Kjo është një nga arsyet që numri i pacientëve po plotësohet në një kohë të shkurtër. Përveç kërkesave të shumta që ka këtë vit, janë ato të mbarturat që krijuan këtë distancë të gjatë, e cila pritet të thellohet më pas. MSH-ja ka marrëveshje për dërgimin e pacientëve me Greqinë dhe Turqinë. Ndërsa, ekzistojnë marrëveshje të tjera rastësore bashkëpunimi me disa vende të tjera. Por kjo ndodh më tepër në rastet e emergjencave. Ndërsa ekzistojnë marrëveshje për fëmijët, siç është ajo me Vatikanin, apo me Gjermaninë.
Mundësitë
Ministria e Shëndetësisë ka detyrë që t’u krijojë pacientëve të gjitha mundësitë për të shkuar deri në spitalin e caktuar nga shteti pritës, duke kontaktuar vazhdimisht me autoritetet vendase. Një pjesë e pacientëve vendosin të shkojnë me shpenzimet e veta për kurim jashtë vendit. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ndërhyn për t’u mundësuar lehtësimin e vizave. Të gjithë pacientët që rezultojnë me ndonjë nga sëmundjet e përcaktuara në listën e hartuar nga MSH-ja, shteti shqiptar i ndihmon për t’i nisur në njërin nga shtetet pritëse.
box
Dokumentacioni për pacientët që duan të shkojnë për kurim jashtë vendit
Për pacientët që kërkojnë kurim falas në bazë të marrëveshjeve janë të nevojshme këto dokumente:
Epikrizë nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Vendim Komisioni Ndërspitalor në QSUT.
Këto dy dokumente, në rastin kur shkojnë në Turqi duhen të përkthyera dhe të noterizuara në anglisht, ndërsa për rastet që shkojnë në Greqi, të përkthyera dhe të noterizuara në greqisht.
Për pacientët që kërkojnë notë verbale për lehtësimin e vizës në ambasada janë të nevojshme këto dokumente:
Epikrizë nga Qendra Universitare Spitalore “Nënë Tereza”.
Dokumentacion që vërteton disponibilitetin për pritjen e pacientit në vendin ku do të shkojë dhe kostoja e shpenzimeve për kurimin e pacientit.
Garanci bankare (që tregon pagesën e bërë nga pacienti kundrejt spitalit në masën 30% të shpenzimeve për kurimin e pacientit jashtë).
Këto janë dokumente që kërkohen nga ana jonë për të lëshuar Notën Verbale. Më pas bashkë me dokumentet e tjera që çdo ambasadë kërkon paraqiten për marrjen e vizës.
20 Qershor 2009