Peshëngritje, shqiptari nënkampion bote
Peshëngritja shqiptare vazhdon të sjellë medalje për Shqipërinë nga evenimentet ndërkombëtare. Pikërisht ditën e djeshme në Kampionatin e 35-të Botëror për të Rinj, që po zhvillohet në Bukuresht, Ervis Tabaku ka konfirmuar se është një prej shtangistëve më premtues në Shqipëri. Në konkurrimin e tij në peshën 85 kg, Tabaku kapi shifrat e 362 kilogramëve në dygarësh duke u ngjitur kështu në podin e fituesit të medaljes së argjendtë, duke u shpallur njëkohësisht nënkampion bote. Një sukses i padiskutuar për shtangën kuqezi. Por magjia Tabaku nuk u mbyll me kaq në aventurën botërore. 20-vjeçari do të ngjitej i dyti në podium në stilin e shkëputjes dhe i treti në stilin e shtytjes. Ervis Tabaku ka konkurruar në baterinë A të peshës 85 kg ku gjithsej janë ngjitur në podium 25 shtangistë. Në stilin e shkëputjes, Tabaku ka ngritur 166 kg. Ndonëse gabon në dy provat e para me 160 kg dhe 166 kg, te prova finale Tabaku nuk do të falë duke u klasifikuar i dyti me medalje argjendi. Stilin e shtytjes shqiptari e nis me 191 kg, të cilën e kalon me sukses. Në provën e dytë shqiptari Tabaku bën mrekullinë duke ngritur 5 kg më shumë dhe realizon me sukses 196 kg. Në provën e tretë dhe të fundit të sfidës botërore, Tabaku tenton të ngrejë 202 kg meqenëse rivali i polak pak minuta më parë kishte ngritur 201 kg. Por kësaj radhe fati ishte kundër tij dhe e mbyll kështu Botëronin në këtë stil me 196 kg me medalje bronzi. Medalja e artë në këtë stil shkoi për Tomash Zelinksin. Kampion i botës në dygarësh u shpall një tjetër polak, Adrian Zielinksi me 169 në shkëputje, 199 kg në shtytje dhe 368 kg në dygarësh. Me 357 kg në total, Tomash Zielinski zuri vendin e tretë në botë. Ky sukses i Ervis Tabakut ka konfirmuar edhe një herë arritjet e peshëngritjes shqiptare në arenën botërore. Në pedanën e Botërorit të të rinjve, sot do të ngjitet konkurrenti i fundit për tanët, Endri Karina në peshën 94 kg.