Moda pranverë-verë 2009, rikthim në stilin oriental
Rrobat e parregullta, të gjera dhe valëvitëse, janë një rregull i ri që do të vlejë për pranverën dhe verën e këtij viti. Të pranishme në modën pranverë-verë 2009 do të jenë edhe modelet orientale, familjare për kulturën tonë. Sezoni i modës pranverë-verë 2009 do të karakterizohet me modele valëvitëse dhe të tejdukshme. Asimetria është shumë e shprehur edhe në fustane dhe funde të gati të gjithë disenjatorëve. Në modë do të jenë fustanet me një krah, me gjatësi të pacaktuar. Shumë prej tyre janë të stolisura edhe me fije-fije, si dhe me dizajnë të tjerë.
Veshjet
Të pranishme janë edhe rrobat me pjesë, pala dhe me shtesa të qepura që kanë për qëllim ta gicilojnë imagjinatën tuaj meqë edhe mbulojnë, por njëkohësisht edhe zbulojnë. Pantallonat do të paraqiten në variante të shumëllojshme, por që të gjitha karakterizohen me madhësi të bollshme dhe me ndikim oriental. Në këtë mënyrë, në pistat e modës kanë dominuar pantallonat e stilit të haremit, pantallonat indianë “dhoti”, si dhe pantallonat e gjera me bel të lartë. Dizajnët me lule, skajet e buta dhe stofrat e lehtë janë shenjë mbrojtëse e këtij sezoni që do të vijë së shpejti.
Ngjyrat
Gjatë sezonit pranverë/verë do të dominojnë ngjyrat duke filluar nga e kuqërremta deri te nuancat e zbehta
të portokallisë. Janë kthyer edhe fustanet e stilizuara që ishin në modë në mes të shekullit të kaluar. Në modë është edhe i ashtuquajturi “chic”-u i keq, i cili nënkupton modelet “e sigurta” me perla të vogla. Ndërsa fustanet e bardha do të jenë të përshtatshme për t’u veshur si gjatë ditës, ashtu edhe në mbrëmje. Nuk është se fustani i bardhë ia ka zënë vendin fustanit të vogël të zi, por ai është përfundimisht “must have” për sezonin e ardhshëm pranverë-verë. Këtë vit, vëllim të madh do të kenë si fustanet e shkurtra, ashtu edhe të gjatat. Edhe variantet e ditës, por edhe ato të mbrëmjes, janë pjesërisht nga material i hollë.
Veshja e gabuar e vipave
Nëse do të ekzistonte një “polic mode” në këtë botë, atëherë të gjithë vipat tashmë do të ndodheshin pas hekurave të ftohta të burgut. Arsyeja e arrestimit? Një dhe e vetme: mënyra e veshjes së tyre nuk është e përshtatshme për famën dhe emrin që ato mbartin. Nëse një stilist i mirëfilltë do të shihte me vëmendje këto pamje, menjëherë do të krijonte për këto diva një sfilatë të veçantë, sepse në mjaft foto të tyre shfaqen momentet më të këqija të personazheve të famshëm të botës së shoubizit. “Oh Zot, por çfarë ka veshur?”. Kur kjo pyetje është komenti i parë që i bëhet një ylli që sfilon në tapetin e kuq, do të thotë se ka përfundimisht diçka që nuk shkon. Edhe personazheve të famshëm u ndodh të kenë në dollapin e tyre të stërmadh të rrobave disa gjëra të gabuara. Gabimi më i përhapur dhe më i përdorshëm? Përpjekja për të qenë origjinal me të gjitha kushtet. Fustane të shkurtra ose më mirë si të sajuar, ngjyra të ndezura, aksesorë që më tepër kanë pamjen e armëve, këto janë përbërësit e një minisfilate të gabuar të vip-ave.
Kate Bosworth, në versionin e “strucit”. Kurrë mos vish gjëra të tilla dhe kurrë mos u mundo t’i përafrohesh një kafshe.
Kelly Rowland e Destiny’s Child, askush nuk e ka shpjeguar faktin se veshja sportive, që përafron më tepër me tutat që mbahen në shtëpi, tepër të shtrënguara, nuk është seksi, sidomos kur shoqërohet nga takat e larta.
Naomi Watts, gjithçka e gabuar. Hidhe çantën e shndritshme, ndërro këpucët, digje fustanin dhe merr një makinë për t’u ndërruar menjëherë.
Lilly Allen, mendimi i parë që i ka ardhur në mendje kësaj vajze që sapo është parë në pasqyrë sigurisht që ka qenë: ‘Do të dukem e këndshme, një fustan i lezetshëm tërësisht rozë!’. Por ka qenë një mendim i gabuar, sepse në fakt me këtë fustan nuk i ngjason tjetër kujt vetëm një kutie që mbart bonbone, pasi macja e ka gërvishtur me thonj.
Alicia Keys, këshilla e parë që vjen për këtë vajzë është që të ndërrojë menjëherë garderobën e saj. Më tepër sesa një fustan lëkure, i përafrohet sekuencave të filmave vizatimorë.
Britney, ende nuk e ka kuptuar se flokët janë pjesa kryesore e bukurisë dhe se kurrë nuk dilet nga shtëpia me pizhamet e gjumit.
Cate Blanchett, ka bërë gabimin më të thjeshtë. Është përpjekur me të gjitha kushtet të shfaqet origjinale. Do të transmetonte një imazh elegant me një fustan të ngushtë të zi, që mund të përdorej për çdo rast.
Kate Moss, nuk duket ndryshimi midis fustaneve të mbrëmjes dhe këmishëve të gjumit. Mesa duket, një veshje të tillë edhe vetë Kate nuk e ka pëlqyer, sepse pas disa orësh ajo është fotografuar po me të njëjtin fustan, por të shkurtër, sipas stilit të saj të grisjes.
Lindsay Lohan, jo gjithnjë e zeza është perfekt në veshje, do të ishte më e këndshme nëse kjo ngjyrë do të përzihej me ngjyra të tjera.
Liz Taylor, është mëse i pranueshëm fakti që ky emër mbart kurorën e mbretëreshës së Hollivudit, por përse do të nënvlerësonte një titull të tillë duke u veshur si një Dea egjiptiane?
Mariah Carey, thuajse gjithnjë gabon praktikisht. Kjo është një ndër arsyet e thella që duhet të heqë dorë nga veshja e këtyre lloj pantallonave, të cilat i rrinë ngjitur pas trupit. Efekti i papranueshëm.
Mary J.Blige, përfundimisht e ka tepruar. Sigurisht që nuk mund të përcaktohet si një zonjë, më tepër duket si një fushë ku bari i gjelbër sapo ka lulëzuar.
Paris Hilton, si mund të shkatërrohet një veshje blu me një shall meksikan?
Rihanna, është viktimë e disa defekteve të modës.
Këshillat e ekspertëve për të mos rënë viktimë e gabimeve
Rregulli 1: Kurrë mos e ekzagjeroni! Fustani tepër i fryrë dhe flokët tepër të gufuara do të bien në sy, por në mënyrën e gabuar.
Rregulli 2: Duhet të njohësh ngjyrat që preferon. Nëse jeni brune, mos vishni ngjyra të qarta. Nëse jeni me flokë të kuqe, mos përdorni veshje portokalli. Nëse jeni bionde, mos përdorni ngjyrën e verdhë.
Rregulli 3: Përshtatni veshjen me rastin. Mos vishni pantallona xhins tepër të ngushta në ndarjen e çmimeve Oskar, apo mos përdorni fustan elegant në piceri.
Rregulli 4: Veshja e rrobave një masë më të vogël për t’u dukur sa më e dobët, ju bën të gaboni tmerrsisht.
Rregulli 5: Mos nënvlerësoni këpucët dhe aksesorët në përgjithësi. Ndodh shpesh se janë pikërisht këto që bëjnë ndryshimin.
Rregulli 6: Së fundi, pranoni këshillën e mikeshave ose të ndonjë personi tjetër. Nëse nuk do të merrni parasysh edhe propozimet e të tjerëve, atëherë do të përfundoni si damat në këto imazhe.
21 Shkurt 2009