Të vdesësh e të vritesh për sportin
Bota e sportit është e bukur. Lojtarët e mëdhenj janë gjithmonë të adhuruar nga tifozët e të rrethuar vazhdimisht nga shtypi e paparacët. Paguhen shumë e bëjnë përgjithësisht një jetë mondane, por fusha e futbollit, përveç golave, ka parë edhe vdekjet e futbollistëve, që në jo pak raste e kanë kthyer ndeshjen në një skenë të trishtuar. Duke iu referuar Shoqatës Spanjolle të Kardiologjisë, 74-94% e rasteve të vdekjeve të sportistëve kanë ndodhur për shkak të parregullsive kardiovaskulare, ndërkohë që mosha e atletëve të cilëve u kanë ndodhur vdekje të tilla kanë qenë sportistë nën moshën 30 vjeç, të cilët kanë pasur defekte të lindura në arteriet e tyre koronare. Rasti i parë në botë i vdekjes së një lojtari daton plot 120 vjet më parë, kur më 13 janar 1889, futbollisti anglez, Ulliam Kroper, i skuadrës Stavelu, vdiq një ditë më pas problemeve që pati në zorrë gjatë ndeshjes kundër Krimbsi Toun. Që nga ajo ditë “kronika” e vdekjeve në fushë është e gjatë, duke bërë një “lexim të afisheve të vdekjeve deri në ditët tona. Më 19 shkurt 1916, futbollisti i Arsenalit, Bob Benson, vdiq gjatë një ndeshjeje kundër Ridingut. Duke ardhur më në kohë, më 30 tetor 1977, futbollisti i famshëm italian, Renato Kuri, i Peruxhias, pësoi një goditje kardiake në ndeshjen kundër Juventusit në Serinë A. Stadiumi ku luan Peruxhia mban pikërisht emrin e tij. Rasti i fundit të vdekjes së një futbollisti në fushë i takon sulmuesit kroat 25-vjeçar, Hrvoje Kustiç, më 3 prill 2008, i cili vdiq në spital pasi kishte marrë në fushë disa goditje në kokë në ndeshjen Zadar-Sibalia.
Është rasti t’i hedhim një sy se çfarë ka ngjarë në botën e futbollit. Më poshtë po japim një listë të “vdekjeve më të famshme”.
VDEKJET NË FUSHË
MARK-VIVIEN FOE - Futbollistët që vdesin në fushë nuk janë të paktë, madje pamjet janë të tmerrshme për këdo që ka parë vdekjen në fushë të kamerunasit 28-vjeçar, Mark-Vivien Foe, i cili vdiq pas një ataku në zemër gjatë gjysmëfinales së Kupës së Konfederatave gjatë ndeshjes Kamerun-Kolumbi, të zhvilluar më 26 janar të vitit 2003, në Lion të Francës. Imazhi i fundit i mesfushorit në stadiumin “Gerland” të Olimpikut të Lionit, në minutën e 72-të të takimit, pas infarktit, ka mbetur gjatë në kujtesën e të gjithëve. Foe vdiq vetëm 45 minuta më vonë në qendrën mjekësore të stadiumit, me gjithë përpjekjet e gjithanshme të stafit mjekësor. Vdekja e Foes shkaktoi një shok të madh në botën e futbollist dhe në median sportive. Tieri Henri, golin e tij të fitores së Francës në finalen e Kupës së Konfederatave ia kushtoi kamerunasit, ndërsa Kevin Kigan, trajneri i Mançester Sitit, lajmëroi se klubi do të hiqte për një kohë të gjatë nga përdorimin fanellën me numër 23, që Foe e kishte mbajtur me klubin anglez. Në stadiumin e Mançester Sitit është ndërtuat një memorial i vogël kushtuar futbollistit, ndërkohë klubi i tij i parë Rasing Klub de Lens i dha emrin Mark Vivien Foe një prej rrugëve që të çon te stadiumi “Feliks Bolaert”.
MIKLOSH FEHER - Më 25 janar të vitit 2004 ndodhi vdekja e futbollistit të Kombëtares hungareze dhe të ekipit të Benfikës, Miklosh Feher, i cili vdiq pas një kolapsi nga një goditje kardiake në zemër, në fund të ndeshjes me Viktoria Guimaraes, të fituar nga ekipi i hungarezit 1-0. Sulmuesi i Benfikës, Feher, ishte vetëm 23 vjeç. Feher e pësoi atakun kardiak gjatë minutave shtesë dhe vetëm pak sekonda pasi ishte ndëshkuar me karton të verdhë nga gjyqtari i takimit. Edhe pse i trajtua në fushë nga personeli mjekësor dhe u transportua në spitalin më të afërt, nuk mundi të jetonte. Për fatin e keq të “Mikit” lojtarit edhe ambulanca mbërriti me vonesë, për shkak të vështirësisë për të hyrë në stadium. Në kujtim të Mikloshit, Benfika tërhoqi përgjithmonë numrin 29, të cilën Feher e mbajti gjatë karrierës së tij futbollistike me Benfikën, për t’u mos u veshur kurrë nga një lojtar i Benfikës.
MOHAMED ABDELVAHAB – Futbollisti egjiptian ishte një nga lojtarët e rëndësishëm të Kombëtares egjiptiane kur fitoi Kupën e Afrikës në vitin 2006. Abdelvahab vdiq gjatë stërvitjes me ekipin e tij El Ahly, më 31 gusht 2006, në moshën 23-vjeçare. Doktorët egjiptianë dolën në konkluzionin se futbollisti kishte vdekur nga ataku kardiak. Doktori i klubit shtoi se vdekja e tij ishte e menjëhershme pas infarktit. Katalin Hildsan- futbollisti i Dinamos së Bukureshtit, i cili vdiq në moshën 24-vjeçare, gjatë një ndeshjeje miqësoreje midis Dinamos dhe Oltenitë, më 5 tetor të vitit 2000. Katalin pësoi një infarkt kardiak në minutën e 74-rt të ndeshjes dhe ra në fushë, duke vdekur më pas. Një sektor i stadiumi të Dinamos mban emrin e tij.
ANTONIO PUERTA - Mbrojtësi i Seviljes në kampionatin spanjoll vdiq në spital më 25 gusht 2007, vetëm disa ditë pas infarktit të zemrës të pësuar gjatë fitores 4-1 të ekipit të tij me Getafen në ditën e parë të sezonit të Temporadës. Infarkti që Puerta pësoi është shoqëruar me dëmtim të trurit. Puerta pësoi dy goditje të zemrës një në fushë dhe një të dytë në dhomat e zhveshjes. Ndërkombëtari spanjoll 22-vjeçar jetoi vetëm disa ditë falë një frymëmarrje artificiale të furnizuar nga një aparat special në spitalin “Virgen del Roko” të Seviljes.
VRASJET E FUTBOLLISTËVE
Vdekjeve natyrore në fushë u shtohen edhe ato të sportistëve të vrarë, që kanë të bëjnë ose jo direkt me futbollin. Futbollisti kolumbian, Elson Evelio Besera Vaca, u vra në moshën 27-vjeçare. Vaka ishte lojtar i përfaqësueses kolumbiane mori pjesë në Kupën e Amerikës 2001 dhe në Kupën e Konfederatave 2003, aktivitet që mbeti i famshëm për vdekjen e kamerunasit Mark Vivien Foe. Kolumbiani ishte lojtar i klubit të pasur të Emirateve të Bashkuara Arabe, Al Xhazira. Besera u vra më 8 janar 2006, në një klub nate, me katër plumba pistolete në qytetin e tij të lindjes, Kartagjena, në departamentin e Bolivarit, së bashku me shokun e tij, Aleksandër Rios, i cili në fakt ishte edhe objektivi reali i grupit të gangsterëve. Besera vdiq disa ditë më vonë, më 10 janar, pas plagëve të shumta. Autoritetet kolumbiane ofruan në këmbim të informacioneve 5 milionë dollarë për të gjetur vrasësit të 27-vjeçarit. David Lang ishte një lojtar i njohur i futbollit amerikan, duke u bërë edhe kapiten i ekipit të Dallas Kaubojs, që fitoi Super Boul. Lang u vra afër shtëpisë së tij në Ston Mountain të Xhorxhias.
Brajan Sidnej Pata, një mbrojtës amerikan i Miami Hurricanes, u vra më 7 nëntor 2006 jashtë apartamentit të tij, pasi kishte përfunduar më herët stërvitjen atë ditë. Vrasja e 22-vjeçarit u servir si një vetëvrasje nga policia.
VETËVRASJET
Sergi Lopez Segu është një nga futbollistët e njohur spanjollë, i aktivizuar me Barcelonën, Majorkën dhe Real Saragozën. Pas karrierës sportive ai u zhvendos në Argjentinë, ku u martua e pati një fëmijë. Martesa dështoi plotësisht dhe e kombinuar edhe me përfundimin e karrierës së tij profesionale e çuan Seunë në depresion, e cila rezultoi më pas në një vetëvrasje, më 4 nëntor 2006, në moshën 39-vjeçare. Në funeralin e tij ishin të pranishëm njerëz të njohur të botës së futbollit, përfshirë presidentin e Barcelonës Hohan Laporta, futbollistin Samuel Eto, ish-presidentin e Valencias, Pedro Kortes dhe të gjithë skuadrën e Monakos. Lester Morgan Suazo ishte një portieri nga Kosta Rika pjesëmarrës në Kupën e Botës 2002. Suazo në nëntor të vitit 2002 vrau veten.
Tifozët e vrarë
Nuk mund të mungojnë dhe këta. Kronologjia e tyre është e “pasur” në Itali. Nis më 28 prill 1963, ku vritet i pari tifoz futbolli, Xhuzepe Plataio, 48 vjeç, tifoz i Salernitanës, pas sherreve në stadium mes tifozëve dhe policisë, në ndeshjen Salernitana-Potenca. Ky rast u arkivua, pa u gjendur ndonjë fajtor. Më 2 dhjetor 1973, në një ndeshje Roma-Napoli, një tifoz i ri napolitan, Alfredo Dela Korte, u plagos nga policia me një plumb pistolete në fytyrë.
Vrasjet vazhdojnë: 28 tetor 1979, tifozi lacial Vinçenco Papareli u godit në fytyrë, madje direkt në sy, nga një “raketë-fishekzjarr”, në stadiumin “Olimpik” të Romës, një orë para nisjes së derbit Roma-Lacio. Objekti u lëshua nga tifozë romanë nga tribuna e kundërt, ndërsa Papareli humbi jetën në spital. 30 shtator 1984: Në fund të ndeshjes Milan-Kremoneze, tifozi milanist Marko Fongesi u godit për vdekje me thikë nga një tjetër tifoz milanist, ndërsa tifozë të tjerë po çanin me thika gomat e makinës së tij.
9 tetor 1988: Në stadiumin “Del Duka” të Askolit, në fund të një ndeshjeje ndaj Interit, Nazareno Filipini, tifoz 32-vjeçar i Askolit, u plagos rëndë në sherret mes ty palëve të tifozëve.
4 qershor 1989: Përpara ndeshjes Milan-Roma, vdes Antonio De Falki, tifoz verdhekuq 18 vjeç. Ai u sulmua nga një grup tifozësh të Milanit dhe në vrapim e sipër, ndërsa po e ndiqnin, pati atak në zemër. Një tifoz i Milanit u dënua me 7 vjet burg. 18 qershor 1989: Fiorentina-Bolonja, java e parafundit e kampionatit. Një tren me tifozë bolonjezë ra në pritë të tifozëve fiorentinë. Pas një bombe molotov lëshuar në tren, dy tifozë u plagosën, njëri prej të cilëve 14-vjeçari Ivan Dal’Olio, që u dëmtua përjetësisht në fytyrë.
10 janar 1993: Në fund të ndeshjes Atalanta-Roma vdes nga infarkti Çelestino Kolombi, u ndodhur në mes të një sulmi të policisë.
30 janar 1994: Salvatore Moskela, 22 vjeç, humbi jetën pasi u hodh nga treni për t’i shpëtuar tifozëve të Mesinës.
29 janar 1995: Para ndeshjes Xhenoa-Milan, vritet me thikë një tifoz gjenovez, Vinçenco Spanjolo, vrasësi ishte Simone Barbalja, dënuar me 15 vjet burg.
24 maj 1999: Një ditë pas Piaçensa-Salernitana, “finale” për të qëndruar në Serinë A, treni me 3000 tifozë salernitanas mori flakë në një tunel. Katër tifozë humbën jetën.
2 shkurt 2007: Vdes kryeinspektori i Policisë, Filipo Raçiti, në derbin Katania-Palermo, i goditur jashtë stadiumit. Një tifoz futbolli, Gabriele Sandri, u vra më 11 nëntor 2007 nga punonjësit e rendit në Areco të Italisë, duke shtuar edhe një vdekje në serinë e zezë të futbollit në Apenine.
21 Shkurt 2009