E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njollat në lëkurë, evitoni sezonin mars-prill



Ekspozimi në rrezet e forta diellore në periudhën mars-prill mund të bëhet shkak për shfaqjen e një sërë problemeve të lëkurës. Këto probleme mund të përkeqësohen edhe më shumë nëse nuk trajtohen në kohën e duhur dhe me kurat e përshtatshme. Një nga problemet kryesore të kësaj periudhe është shfaqja e njollave kafe në lëkurë, të cilat mbeten të pariparueshme për gjithë periudhën e vitit nëse nuk trajtohen si duhet. Sipas specialistes së mjekësisë bimore, Mimoza Petani, në këtë periudhë duhet filluar urgjentisht nga përdorimi i kremrave me filtra mbrojtës, të cilat janë me faktor nga 15-30 dhe rekomandohen të përdoren sipas llojit të lëkurës. Çarja e vrimës së ozonit, qëndrimi i zgjatur në diell, por edhe stresi, janë disa nga faktorët që ndikojnë në shtimin e njollave ngjyrë kafe. Por pas si faktorë negativë nuk ngelen as ushqimi jo i mirë, ndotja e mjedisit, pakujdesitë dhe mostrajtimi i lëkurës së fytyrës në mënyrë të vazhdueshme.
Kujdesi
Si fytyra, ashtu dhe trupi nuk duhen lënë pas dore. Duke pasur parasysh se në dimër lëkura është e fshehur pas veshjeve të rënda, paraqiten probleme si lajmërim për ne se trupi po mbrohet dhe është nën ndikimin e stresit. Në këtë rast djersitja, si në verë, ashtu dhe në dimër, është rrezik. Lëkura e djersitur, sidomos në kohën e dimrit, është e parehatshme dhe shpesh mund të ftohesh. Në shpinë paraqiten puçrra ose njolla (pavarësisht nga mosha ose gjinia). Kështu që, si femrat, ashtu dhe meshkujt, duhet të përdorin produkte për qarkullimin e mirë të gjakut, të cilat çlirojnë poret e trupit dhe psikikën. Këto duhet të jenë preparate të buta që e pastrojnë lëkurën në thellësi. Përbërësit mund të jenë të ndryshëm si për qetësimin e lëkurës, stimulimin dhe rigjenerimin. Këshilla kryesore për personat që kanë probleme me njollat në lëkurë si dhe për ata që i mundon lëkura e thatë është se duhet të përdorin produkte me aloe vera bio, e cila, duke qenë bio, nuk jep probleme alergjike. Po kështu, mund të përdorin vajra (si ai i jojobës, avocados, ederës,) të cilët e ruajnë dhe higjienën e lëkurës.
Produktet
Kremi i kalendulës luan një rol kryesor për rigjenerimin e lëkurës. Kalendula, ose kumaku, është antiseptik dhe e zbut lëkurën. Ky krem është ideal, sidomos për lëkurat e thata, të dëmtuara, me plagë. Kalendula njihet si rigjenerues natyror dhe ushqyes i lëkurës, pengon dehidrimin, stimulon jetën e qelizave të lëkurës dhe e ripërtërin natyrshëm lëkurën e lodhur. E forcon mekanizmin e saj natyror dhe mbrojtës, vepron mirë kundër ndezjes së lëkurës, e lag dhe e zbut atë, e pastron thellë, e përtërin, e përthan dhe, në mënyrë stimuluese vepron në qetësimin e qelizave të lëkurës së ndjeshme. E mbron lëkurën nga irritimi dhe skuqja, pengon proceset e oksidimit dhe parandalon ose pengon plakjen e parakohshme. Me përdorimin e rregullt të saj hiqen rrudhat, lëkura bëhet më elastike, e butë dhe me një freski rinore. Kremi kalenduala ose vaji kalendula rekomandohet për të gjithë tipat e lëkurës, por në veçanti efektet e tij ndjehen në lëkurën e vrazhdë të dëmtuar dhe mund të përdoret në të gjitha pjesët e trupit, si: duar, qafë, kurriz, duke i fërkuar ngadalë derisa të përthithet. Është i rekomandueshëm të përdoret pas dushit, larjes së fytyrës, është shumë i mirë edhe për make-upin. Nga goja për problemet e lëkurës rekomandohen të pihen disa produkte bimore si: aloe vera, papaja, shegë, çentela aziatike (sallata e ujit) dhe produkte me bazë të vitaminës A (betakaroten), vitaminë E, plus vaji bajames etj.
Përdorimi
Përdorimi i kremrave të ndryshme është mirë të merret nën këshillën e mjekëve specialistë. Kjo për vetë faktin se rekomandohen ato kremra duke i përshtatur me llojin e lëkurës. Ndërkohë që përdorimi i tyre këshillohet të bëhet çdo tre apo katër orë për ata që janë për më shumë kohë nën efektin e rrezeve të diellit. Gjithashtu, sipas mjekes, është e rëndësishme që lyerja të bëhet 20 minuta para ekspozimit në diell. Ndërsa pas çdo larjeje është e nevojshme që të aplikohet sërish përdorimi i kremrave mbrojtës që të shmangen simptomat negative. Përdorimi i filtrave mbrojtës mund të mos jetë i efektshëm vetëm në rastet kur pas lyerjes me kremin apo vajin mbrojtës përdoren dhe kremra të tjerë pudër. Në këtë rast, efekti mbrojtës ndaj rrezeve të diellit është në nivele të ulëta dhe nuk luan asnjë rol ndihme.

21 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›