E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modeli ekonomik garanton qëndrueshmëri dhe rritje

19-03-2012 / Gazeta 55

Raporti i Bankës Botërore, flasin ekspertët e ekonomisë. Guxholli: Jemi vend me të ardhura ekonomike të mesme të larta. Rushaj: Suksesi qëndron te rritja e pagave dhe pensioneve

“Shqipëria është një histori suksesi në Evropë”.
Kështu e ka cilësoi dy ditë më parë, Krye-ekonomisti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore Indermit Gill, stabilitetin ekonomik në vend, sipas të cilit Shqipëria është një nga të paktat vende, që në një kohë të shkurtër kaloi nga një vend me të ardhura të ulëta në një vend me të ardhura të mesme e të larta.
Por cili është opinioni i ekspertëve të ekonomisë?
Këshilltarja e kryeministrit për ekonomisë, Suzana Guxholli u shpreh se zyrtari i Bankës Botërore evidentoi progresin ekonomik të vendit dhe mënyrën sesi po rritet Shqipëria me një model ekonomik të qëndrueshëm.
“Indermit Gill theksoi se Shqipëria është një rast suksesi, sidomos për elementin e parë të këtij modesti atë të konvergjencës, e cila ka të bëjë me mënyrën sesi po rritet Shqipëria me një model ekonomik të qëndrueshëm i cili rrit të ardhurat, mirëqenien dhe ritmin e rritjes e ka shumë të shpejtë dhe shumë të madh. Dallohet për nga shpejtësia sesi lëvizi nga një vend me të ardhura të ulëta në një vend me të ardhura të mesme e të larta. Kjo do të thotë që modeli ekonomik ka ndezur motorët e duhur për të garantuar rritje ekonomike të qëndrueshme”, u shpreh Guxholli.
Ndërkaq sipas zëvendësministrit të Financave, Alfred Rrushaj, suksesi qëndron tek rritja e pagave dhe e pensioneve që sipas tij ka rritur fuqinë blerëse.
“Ajo që kemi bërë me rritjen e pagave dhe pensioneve gjykohet të jetë një politikë e suksesshme. Thelbi është rritja e fuqisë blerëse e ndikuar nga reformat”, theksoi ai. Shkencëtarët e mëdhenj të ekonomisë kanë arritur në konkluzionin se Evropa ka një model të sajin dhe ky është një model i artë. Modeli europian garanton konvergjencë, pra rritje të të gjitha ekonomive të të gjitha vendeve të veta të zhvilluara, më pak të zhvilluara dhe në zhvillim.
Sipas zëvendësministrit të Financave Rrushaj, Shqipëria është një rast unik që është marrë si shembull, ndërkohë që sipas këshilltares për ekonominë Suzana Guxholli, “Shqipëria po përpiqet të rrisë produktivitetin, rritjen e punësimit ku pavarësisht krizës e ka mbajtur papunësinë në nivel të qëndrueshëm”.
Kryeekonomisti i Bankës Botërore deklaroi një ditë më parë se nëse do të më duhej sot të vija bast për Shqipërinë, do të ishte një bast pozitiv për të falë të gjitha këtyre arritjeve të cilat i garantojnë Shqipërisë një të ardhme të mrekullueshme.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›