Fatos Beja: Integrimi kërkon vullnet politik, opozita u bë pengesë

“Partitë e reja, të frymëzuara nga bazat e pakënaqësisë, do dështojnë”
Kryetari i komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë dhe njëherazi deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Beja fajëson opozitën për vonesat e shkaktuara në procesin e integrimit të vendit.
Sipas deputetit demokrat, Partia Socialiste gjatë 2 viteve radhazi zhvilloi një betejë anti-institucionale, në dëm të interesave të vendit.
“Objektivi ynë, objektivi i kësaj mazhorance është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo përpjekje është një çështje e Shqipërisë dhe çdo palë politike ka detyrimin e saj moral për t’i shërbyer interesave të vendit. Integrimi i vendit kërkon vullnet politik, i cili mungoi gjatë dy viteve radhazi. Janë miratuar disa ligje me konsensusin e opozitës. Por, për Kodin Penal PS paralajmëroi të mos votonte në Kuvend. Ngritja e Gjykatës Administrative në marrëveshjen e 14 nëntorit, PS e renditi të fundit, pavarësisht se sot janë rikthyer për ta miratuar. Por e njëjta situatë ishte edhe një vit më parë, pasi drafti është hartuar me asistencë ndërkombëtare. Gjykata duhet ngritur, pasi në radhë të parë është një ndihmë e madhe për biznesin, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative. Padyshim që është një zhvillim pozitiv që ka nisur dialogu për këtë dhe premisat duken pozitive”, u shpreh Beja.
Sa i takon reformës zgjedhore, Beja tha se Kodi nuk do të ndryshojë, ndërsa vëmendja është përqendruar në zbatimin e 52 rekomandimeve të ODIHR.
“Kodi Zgjedhor nuk ndryshon, pasi ligji është shumë i mirë. Ka 52 rekomandime të OSBE/ODIHR të cilat po shqyrtohen dhe po punohet për përmbushjen e tyre”, tha ai.
Për deputetin Fatos Beja, partitë e reja që mund të krijohen apo që janë në krijim e sipër, do të rezultonin të dështuara në testin e parë elektoral.
Sipas tij, në kodin elektoral s’ka asnjë pengesë për partitë e reja, por problemi qëndron te programi i tyre, i cili sipas deputetit të PD, s’ka mbështetje elektorale, por niset nga pakënaqësitë e drejtuesit.
“Asnjë parti e re s’mund të ketë sukses pa patur një mbështetje të caktuar në popull. Nëse ti ke mbështetje në popull, pa problem që mund të krijosh partinë, por kur ke një parti programi i së cilës s’ka mbështetje elektorale, atëherë është e pamundur të pritet sukses. Jemi mësuar që partitë e vogla në vendin tonë, të jenë parti individësh pa elektorat. Nëse nisesh nga bazat e pakënaqësisë, unë besoj se nuk është ky interesi i publikut”, tha ai.