Letra/KFOR-i t’ia kthejë objektin dhe pasurinë Kosovafilmit
Kosovafilmi që nga përfundimi i luftës punon dhe vepron në kushte të vështira materiale, hapësirë tejet të kufizuar dhe në mungesë teknologjie. Shumica e institucioneve të tjera të kulturës me çlirimin e vendit e kanë përmirësuar gjendjen, e kanë shtuar vëllimin e punës dhe kanë filluar të këndellen, megjithëse edhe në to mbetet shumëçka për t’u dëshiruar. Ndërkaq, në institucionin më të suksesshëm të kulturës në vend, veprimtaria zhvillohet në 200 metra katrore që nuk i plotëson as për së afërmi kushtet për kreacione të mirëfillta, për realizimin e projekteve dhe, sidomos për ruajtjen e një pasurie të paçmueshme të filmave të prodhuar nga ky institucion. Kosovafilmi para vitit 1999 kishte objektin më reprezentativ në Kosovë: 3000 metra katrore, ku përfshiheshin studiot, salla e sinkronizimit, hapësira për tavolina montazhi, zyrat për punë të kineastëve dhe hapësira tjetër përcjellëse, me një pamje të mrekullueshme-qyteti dukej si në pëllëmbë të dorës. Përreth objektit, i cili sot ka vlerë mbi dhjetë milion euro, qenë mbëltuar pisha e pemë të tjera që e bënin ambientin si në filma. Të gjitha këto janë edhe tash, por nuk shfrytëzohen nga Kosovafilmi, i cili e ndërtoi këtë objekt për zhvillimin dhe avancimin e kinematografisë në Kosovë.
Gjatë luftës pasuria e Kosovafilmit u plaçkitë dhe u dëmtua rëndë nga ushtria serbe (mijëra metra trakë filmi të copëtuar ishin shpërndarë gjithandej “Qytetit të filmit”). Ushtria pushtuese mori me vete tavolinat e montazhit, kamerat 35 milimetershe, xhipat, veturat, dhe teknikën tjetër, e cila duhet të jetë në Beograd, ose është shitur nën dorë. Pastaj, objektin në atë rrëmujë e mori në shfrytëzim të përkohshëm Komanda e KFOR-it. Komanda e KFOR-it e ka edhe më tutje pronën tonë pa pëlqimin e Kosovafilmit dhe pa e kompensuar asnjë lekë për 12 vjet shfrytëzimi.
Në fillim na patën thënë se qëndrimi i tyre në pasurinë tonë do të jetë i përkohshëm, derisa ta gjejnë ndonjë objekt tjetër të përshtatshëm. Më vonë na premtuan se do të kalojnë në Aeroportin e Prishtinës. Madje për këtë qëllim Kosovafilmi angazhoi një avokat që pati letërkëmbim edhe më selinë e NATO-s në Bruksel. Por kaluan dymbëdhjetë vjet që atëherë dhe gjendja nuk ndryshoi, objektin e shfrytëzojnë ushtarakët e NATO-s, ndërsa Kosovafilmi ngulfatet në një hapësirë 200 metra katrore, pa kushte elementare për punë më rrezik të shuhet vetvetiu, sepse as kabinetet qeveritare nuk u treguan dashamirëse në dhënien e buxhetit. Kemi biseduar disa herë me komandantët e KFOR-it, të cilët shpesh ndërroheshin, kështu që sa arrinim të përafroheshim me qëndrimet, ata e mbaronin mandatin e tyre dhe vinin zëvendësimet, me të cilët prapë duhej të fillonim nga e para. Ka disa vjet që nuk u takuam më me ushtarakët e KFOR-it as këmbyem letra me administratën e tyre, në mungesë të një rezultati konkret, por edhe të dekurajuar nga sulmet e pareshtura të kabineteve ministrore që nga viti 2007 e tutje.
Kosovafilmi punon dhe vepron në kushte të rënda, në mungesë të një hapësire për ruajtjen dhe shfaqjen e filmave, pra të arkivit. Filmat artistik e dokumentar, të metrazhit të shkurtër dhe vizatimor rrezikohen të mos u mbetën brezave të ardhshëm, as të mos kenë mundësi t’i shijojnë brezat e tashëm, sepse po dëmtohen në shkallë të pariparueshme. Një pasuri e paçmueshme rrezikon të mos jetë më, prandaj është mire që edhe zyrtarët më të lartë të KFOR-it, por edhe qeveritarët tanë të këmbëngulin t’i kthehet pasuria Kosovafilmit, sepse është pasuri e këtij institucioni, është paraparë për punën e zhvillimit e të avancimit të kinematografisë dhe e rrezikon seriozisht veprimtarinë e mëtutjeshme të institucionit më të suksesshëm dhe më të rëndësishëm në Kosovë.
Autori është drejtor i Kosovafilmit