Modeli ekonomik i Berishës, që disa nuk e kuptojnë ose sduan ta kuptojnë
Berisha shpalli dje objektivat e vitit 2012 para deputetëve të partisë që ai drejton. Kriza ekonomike në eurozonë dhe modeli ekonomik i qeverisë së tij kanë qenë boshti kryesor i fjalës së shefit të ekzekutivit para deputetëve demokratë. Pasi u shpjegoi atyre pse eurozona është në krizë, ai tha: Me gjithë këtë situatë, e sigurt është që modeli ekonomik shqiptar funksionon. Ata të cilët nuk e kanë kuptuar këtë ose nuk e kanë të qartë se çdo të thotë model ose janë të verbuar nga qëndrime të tjera… Modeli ynë i ka dhënë këtij vendi rritjen më të madhe në Europë, tha Berisha, duke u mburrur se qeveria e tij ka adoptuar modelin ekonomik të taksave të ulëta dhe të lirisë së tregut.
Por çthonë shifrat? Grafiku në figurën bashkëngjitur është ndërtuar nga Banka Botërore me të dhënat për rritjen ekonomike të Shqipërisë për periudhën 1999-2010. Siç duket qartë në grafik, rritja ekonomike ka qenë ndjeshëm më e lartë në periudhën 1999-2005, përpara se Berisha të vinte në pushtet e të zbatonte modelin ekonomik të tij. Konkretisht, rritja mesatare vjetore ekonomike në periudhën 1999-2005 ka qenë 6.4%, ndërsa në periudhën 2006-2010 ka qenë vetëm 4.8%.
Në fakt, pavarësisht ritmit më të ulët të rritjes ekonomike në periudhën berishiane, Shqipëria ka patur një rritje të admirueshme ekonomike gjatë gjithë periudhës 1999-2010. Dhe cila ka qenë arsyeja kryesore? Rritja mesatarisht 18% në vit e sektorit të ndërtimit. Ndërtimet pa leje e pa kriter gjithkund, si gjatë qeverisjes socialiste edhe asaj demokrate, kanë qenë themeli i modelit ekonomik shqiptar gjatë dekadës që shkoi. Tani që, sipas censusit, 33% e banesave janë të pabanuara, duhet menduar për një model të qëndrueshëm ekonomik, i cili të ketë në themel prodhimin vendas dhe shfrytëzimin racional të burimeve natyrore e turistike.
*respublica.al
