E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu: Akuzat në fushatë, Topalli të flasë me fakte

Ish-Presidenti, Alfred Moisiu, apelon për një fushatë të qetë, larg dhunës verbale të përdorur nga forcat politike


TIRANË- Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i cili drejton edhe koalicionin për "Parlament të Pastër", shprehet i shqetësuar lidhur me situatën e acaruar politike në vend, si rezultat i dhunës verbale të përdoruar nga palët ndaj rivalëve politikë.


Një klimë e tillë, sipas Presidentit Moisiu, nuk është aspak e përshtatshme teksa shigjeton në veçanti fjalorin e përdorur së fundmi nga Kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli ndaj demokristianëve dhe republikanëve.


Edhe pse nuk e ka përmendur me emër, Moisiu i është referuar pikërisht Topallit teksa është shprehur se nuk është parë e dëgjuar që të flitet pa fakte, teksa etiketohen njerëzit si mafiozë apo spiunë. "Kjo klimë që është krijuar, veçanërisht kohët e fundit, nuk është e përshtatshme.


Në një vend që është anëtar i NATO-s, nuk ishte parë dhe ishte dëgjuar një gjuhë e tillë, siç po dëgjohet kohët e fundit, për t'i cilësuar pa asnjë dokument, pa asnjë fakt, për dhënie ndërtimi, jo mafioz, jo spiun, e kështu me radhë",- tha Moisiu.


Duke iu referuar edhe dy vrasjeve të javëve të fundit, të pretenduara si me prapavijë politike, ish-Presidenti u bëri thirrje partive të reduktojnë dozën e sharjeve. Në të kundërt, sipas tij, në 28 qershor do të vijë dhe dënimi nga elektorati.


"Forcat politike të nxjerrin konkluzionet e duhura, të reduktojnë urgjent gjuhën e tyre, sepse nuk i mbështet populli, asnjë shqiptar nuk është më pas këtyre 19 vjetëve në ato pozita, që të shohë të derdhet gjak për të realizuar një të drejtë kushtetuese që e ka çdo qytetar",- tha ai.


Deklarata e ish-Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, vjen pikërisht në ditën kur koalicioni për "Parlament të Pastër" publikoi raportin e plotë mbi verifikimin e kandidatëve nga katër koalicionet, që garojnë në zgjedhjet e 28 qershorit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›