Raporti, 15% e kandidatëve nuk plotësojnë kriteret
Koalicioni për "Parlament të Pastër" boton raportin mbi cilësinë e kandidatëve, që garojnë për deputetë në legjislaturën e ardhshme
TIRANË- Koalicioni për "Parlament të Pastër", i kryesuar nga ish-Presidenti, Alfred Moisiu, publikoi dje listën e atyre kandidatëve për deputetë, që nuk janë të përshtatshëm për të qenë përfaqësues të qytetarëve në legjislaturën e ardhshme Nisma e Koalicionit për "Parlament të Pastër" arriti në fazën e vet finale pas një pune kërkimore, që zgjati rreth dy muaj.
Pas hulumtimit të të dhënave të mbi 140 kandidatëve, u arrit të evidentohen një seri rastesh midis kandidatëve, të cilët, sipas koalicionit për "Parlament të Pastër", nuk plotësonin kriteret bazë të vendosur nga ky koalicion.
Mbi bazën e një përzgjedhjeje të rastësishme të emrave që do t'i nënshtroheshin verifikimit, ndër kriteret që koalicioni përfshiu në hulumtimin e tij ishte: edukimi i kandidatëve, përvoja e tyre profesionale dhe ajo politike, si dhe precedentët penalë.
Një kriter tjetër, i cili u mor parasysh edhe pse nuk kishte një peshë të llogaritur specifike në pikavarazhin e përgjithshëm, ishte përfshirja e kandidatëve në çështje të diskutueshme, të ngritura kryesisht nga shtypi i pavarur vendas. Secili kandidat iu nënshtrua një analize të hollësishme vlerësimi me pikë, ku rol luajtën të gjithë kriteret e mësipërm.
Nga verifikimet e bëra, sipas koalicionit për "Parlament të Pastër", rezultojnë se plot 15% e kandidatëve potencialë, që janë ofruar nga partitë politike për të kërkuar votën e shqiptarëve, nuk i përmbushnin standardet kualifikuese dhe nuk janë të këshillueshëm për t'u zgjedhur në Kuvendin e ardhshëm.
Ndër ta, 3 ndodhen në listat e PS-së, 5 në listat e PR-së, 1 në listat e LSI-së, 4 në listat e PD-së, 3 në listat e PDK-së dhe nga 1 në listat e G99-së, LDK-së, PDS-së, LZHK-së dhe PSV91.
Koalicioni për "Parlament të Pastër" këshillon partitë politike që të rishikojnë në mënyrë konstruktive pjesëmarrjen e tyre në listat e kandidatëve, ose qoftë edhe në renditjen e tyre brenda këtyre listave, për të kufizuar pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë.
Dy aleanca e mëdha
Nga koalicioni "Aleanca e Ndryshimit" janë vëzhguar 62 kandidatë, prej të cilëve 9 rezultojnë të papërshtatshëm. Kandidatët, që sipas këtij koalicioni rezultojnë të papërshtatshëm në secilën parti përbërëse është: Partia Demokratike, 4 kandidatë të papërshtatshëm; Partia Republikane, 5 kandidatë të papërshtatshëm; Partia Lidhja Demokristiane Shqiptare,1 kandidat i papërshtatshëm.
Ndërsa nga koalicioni "Bashkimi për Ndryshim", janë vëzhguar 52 kandidatë, prej të cilëve 5 rezultojnë të papërshtatshëm, konkretisht: Partia Socialiste, 3 kandidatë të papërshtatshëm; Partia Demokracia Sociale,1 kandidat; Partia G99, 1 kandidat.
Të vegjlit
Nga koalicioni "Poli i Lirisë" janë vëzhguar 8 kandidatë, prej të cilëve, sipas koalicionit për "Parlament të Pastër", 4 rezultojnë të papërshtatshëm: Partia Demokristiane, 3 kandidatë; Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, 1 kandidat.
Ndërsa nga Aleanca Socialiste për Integrim janë vëzhguar 18 kandidatë, prej të cilëve, sipas koalicionit, 3 rezultojnë të papërshtatshëm, që në fakt janë dy, pasi në radhët e LSI-së, nga koalicioni për "Parlament të Pastër" është përfshirë edhe Lefter Maliqi, i cili këto zgjedhje në fakt nuk garon në emër të LSI-së, por PD-së.
Në këtë mënyrë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka vetëm një kandidat të papërshtatshëm dhe në të njëjtën raport është edhe Partia Socialiste e Vërtetë 91.
Lista e kandidatëve të papërshtatshëm, sipas koalicionit për "Parlament të Pastër"
. Astrit Veliaj Partia Republikane
. Hajrrulla Paturri Partia Republikane
. Mehmet Spahiu Partia Republikane
. Myrvete Pazaj Partia Republikane Vasilika Caushi Partia Republikane
Paulin Sterkaj Partia Demokratike
. Indrit Fortuzi Partia Demokratike
. Spiro Ksera Partia Demokratike
Lefter Maliqi Partia Demokratike .
Pashk Ujka Lidhja Demokristiane
Asllan Dogjani Partia Socialiste
Tom Doshi Partia Socialiste
Vangjel Tavo Partia Socialiste
Artur Duckallari Partia Demokracia Sociale
. Pilo Keri Partia G99
Viron Bezhani Partia Lëvizja Socialiste për Integrim
Nazmir Bilani Partia Socialiste e Vërtetë 91
. Frrok Gjini Partia Demokristiane
. Jak Ndokaj Partia Demokristiane
. Mark Kroqi Partia Demokristiane . Gezim Bocari Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
Kush është koalicioni për "Parlament të Pastër"
TIRANË- Aktualisht, koalicioni për "Parlament të Pastër" është i përbëre nga 4 organizata të shoqërisë civile dhe i kryesuar nga ish-Presidenti i vendit, Alfred Moisiu. Secila prej këtyre organizatave ka një eksperiencë specifike, e bazuar kjo mbi historikun dhe fushat e ekspertizës.
Organizatat që tanimë janë pjesë zyrtare e këtij koalicioni, janë Lëvizja "Mjaft", Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve (AIESD), Impact Center një OJQ me fokusin kryesor investigimin gazetaresk dhe promovimin e aktivizimit nëpërmjet mjeteve të masmedias, si dhe Fondacioni "Moisiu", kryetar i të cilit është ish-Presidenti i vendit, Alfred Moisiu.