E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ftesa e LSI-së, PS: Meta të votojë për numrin 33

Pas ftesës së Metës për tryezë, përgjigjet zyrtarisht edhe Partia Socialiste


TIRANË- Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, duhet t'i bashkohet apelit të përbashkët për të votuar Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.


Ky është qëndrimi zyrtar i PS-së, i përcjellë përmes kandidatit për deputet në Qarkun e Tiranës, Saimir Tahiri, ndaj ftesës së Ilir Metës për një tryezë të përbashkët të së majtës. Dy ditë më parë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u ka dërguar ftesë liderëve partiakë, Edi Rama, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, për të diskutuar në lidhje me procesin zgjedhor.


Një ftesë e ngjashme nga zyra e LSI-së u ishte dërguar edhe përfaqësuesve të tjerë të së majtës, ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano, ish-Presidentit, Rexhep Meidani dhe Servet Pëllumbit. Por, përveç përgjigjes pozitive nga Fatos Nano, asnjë prej të ftuarve të tjerë nuk ka pranuar ftesën e Ilir Metës, vetëm pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve.


E, ndërsa Gjinushi, Milo, Meidani dhe Pëllumbi e kanë thënë fjalën e tyre, së fundmi vjen edhe përgjigja nga PS-ja, sipas së cilës, Meta duhet të bashkoje votat me PS-në."Zgjedhjet e 28 qershorit janë historike për të ardhmen tonë të përbashkët. Ato janë zgjedhjet e ndryshimit, që do i japin çdo shqiptareje e shqiptari mundësi dhe shpresë për të ardhmen.


Kjo do të ndodhë duke mbyllur kapitullin e politikës së vjetër dhe hapur kapitullin e politikës së re. Prandaj, duke shprehur kënaqësinë që edhe Ilir Meta pranoi më së fundi qëndrimin tonë, se largimi i Sali Berishës është një domosdoshmëri, theksojmë se kjo mund të realizohet vetëm duke i bashkuar të gjitha votat për Partinë Socialiste",- tha dje Tahiri.


Ai shtoi se, "pikërisht për këtë arsye, ne e ftojmë Ilir Metën të jap kontributin e tij konkret në këtë drejtim, duke iu bashkuar apelit tonë që në 28 qershor të gjithë duhet të votojnë Partinë Socialiste të Shqipërisë, numrin 33, sepse vetëm duke votuar për Partinë Socialiste të Shqipërisë garantohet vota për ndryshimin historik dhe fundi i politikës së vjetër të së shkuarës".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›