Berisha: Miniera e vdekjes, fajin e ka Prokuroria
Kryeministri Berisha vijon takimet. Premton unazën e qytetit në Fushë Krujë, ndërtimin e një rruge të re Tiranë-Krujë-Qafë Shtamë. Heq përgjegjësitë për ngjarje të rënda, që kanë ndodhur gjatë mandatit qeverisës
TIRANË- Fushata e ngjeshur zgjedhore po i "përplas" kryetarët e partive nga jugu në veri dhe nga lindja në perëndim, me qëllim fitimin e besimit të popullit për qeverisje 4-vjeçare.
Kështu, Kryeministri Sali Berisha, gjatë fundjavës ka bërë një zhvendosje nga Saranda në Peshkopi, ku ka mbajtur fjalime e premtime për të fituar besimin e shqiptarëve anekënd.
Vendndalimet e Kryeministrit gjatë ditës së diel, kanë qenë qytetet Peshkopi, Bulqizë, Klos, Fushë Krujë, duke e përmbyllur ditën e djeshme me një takim të mbajtur në Tiranë, me gratë demokrate në Pallatin e Kongreseve, ku e ftuar ishte edhe eurodeputetja Doris Pack.
Në fjalimet e mbajtura para elektoratit të secilës prej zonave, Berisha e ka vënë theksin tek infrastruktura rrugore, të cilën e ka quajtur çelësi i zhvillimit. Rruga e Arbrit, sipas tij, është projekti i dytë gjigant, që po zbatohet në vendin tonë.
Ky aks i hap rrugën shkëmbimit tregtaro-industrial me vendet fqinje, sidomos me Maqedoninë dhe nxit zhvillimin e zonave verilindore, duke i afruar ato me qendrat e mëdha të banimit dhe zhvillimit, siç janë Durrësi e Tirana.
Projekti ka vite që u nënshtrohej diskutimeve, por konkretizimi i tij ende nuk është arritur, thjesht janë hedhur themelet e një projekti me gjatësi mbi 100 km. Kryeministri ka premtuar gjithashtu gjatë vizitës së zhvilluar në Peshkopi, se në këtë qytet do të hapet së shpejti edhe një Universitet.
"Unë ju garantoj sot, se Peshkopia do të ketë universitetin e saj", -tha ai. Nën ndikimin e presionit të kohës, Kryeministri është zhvendosur drejt një qyteti tjetër verior, atij të Bulqizës, por këtu Berisha ka anashkaluar përgjegjësinë e qeverisë së tij ndaj minierës së "vdekjes" dhe ia ka faturuar këtë organit të akuzës, duke e cilësuar si të paaftë dhe të korruptuar.
"Duke shprehur dhimbjen time për aksidentet e minierës, unë ju garantoj ju se do të bëjmë çdo gjë, që përgjegjësit e tyre të vihen para ligjit. Si qeveri, ne i kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur institucionit të akuzës, por ai vazhdon të flejë mbi dosjet e krimit, gjë e cila është tërësisht e papranueshme për ne",- tha ai.
Mati ka qenë ndalesa e fundit e Kryeministrit në veri të vendit. Nga Mati, Berisha përcolli mesazhin për një Shqipëri evropiane, ku qytetarët e saj do të lëvizin pa viza nëpër Europë. Po dje, Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar takime edhe në qytetin e Fushë Krujës.
Në këtë qytet, Berisha premtoi ndërtimin e unazës së qytetit. Berisha premtoi gjithashtu ndërtimin e një rruge të re, Tiranë - Krujë - Qafë Shtamë. Kryeministri i ka
përmbyllur takimet e djeshme me një fjalim të mbajtur në Tiranë, me gratë demokrate në Pallatin e Kongreseve, ku e ftuar e nderit ishte edhe eurodeputetja Doris Pack.