E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moisiu: Kosova dhe Ukraina – një krahasim i rremë nga Moska

Në një intervistë ekskluzive përballë, Mentor Nazarkos në RTSH1, ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka rrëfyer prapaskena të pazbuluara më parë, për rolin e tij në politikën e Jashtme dhe marrëdhëniet me liderë botërorë. Ai flet për funksionimin e institucioneve në vend, përplasjet politike dhe një takim të rrallë, me presidentin rus Vladimir Putin, ku sipas tij, u kuptua për herë të parë, se Moska do të ndryshonte qëndrim ndaj çështjes së Kosovës.

Në Nazarko Podcast pjesën kushtuar marrëdhënieve ndërkombëtare, ish-presidenti Moisiu komentoi qëndrimin e presidentit rus Vladimir Putin, i cili ka përdorur ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, për të justifikuar agresionin në Ukrainë.

“Putini ka përmendur Kosovën si precedent, por kjo është një krahasim i pavend. Ndërhyrja në Kosovë ndodhi për të ndalur një gjenocid dhe pa rezolutë të Këshillit të Sigurimit, ndërsa Ukraina është një shtet sovran, anëtare e Kombeve të Bashkuara, që po sulmohet në mënyrë të hapur nga një fuqi bërthamore,” u shpreh ai.

Ai kujtoi edhe një takim të tij me presidentin Putin në Zagreb, në vitin 2007, ndërmjetësuar nga diplomatë evropianë, ku sipas tij, ishte e qartë se Rusia po ndryshonte qëndrim ndaj çështjes së Kosovës.

“Në atë kohë, Rusia kishte qenë pjesë e një deklarate të Grupit të Kontaktit, së bashku me SHBA-në, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Italinë, ku thuhej qartë: jo ndarje, jo bashkim me ndonjë shtet tjetër, jo kthim në gjendjen e mëparshme – por respektim i vullnetit të popullit të Kosovës. Këtë deklaratë e ka nënshkruar edhe Lavrov,” tha ai.

Ai përmendi edhe Planin e Ahtisaarit dhe përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen e statusit të Kosovës, duke shtuar se pozicioni i Rusisë ndryshoi më vonë, në funksion të interesave të saj gjeopolitike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›