E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sfida e zhvillimit, emigrimi dhe roli i Presidentit në Shqipëri- Reflektimet e Alfred Moisiut, një burrështetas i njohur

Në një intervistë të gjatë dhe të thelluar, një nga personalitetet më me përvojë të politikës shqiptare, si ish-presidenti Moisiu, ndau mendimet mbi sfidat kryesore që përballon vendi, duke folur për zhvillimin lokal, turizmin, emigrimin dhe funksionimin e institucioneve shtetërore.

Ish-presidenti, nuk la pa sjellë në vëmendje faktin se bujqësia mbetet një sektor i rëndësishëm, por ende shumë i pazhvilluar dhe kërkon mbështetje, si dhe studime të thelluara për të avancuar në turizëm dhe zhvillim ekonomik.

Po ashtu, ai theksoi vështirësitë në zhvillimin ekonomik të zonave rurale dhe nevojën për mbështetje më të madhe të turizmit si një burim i rëndësishëm zhvillimi. “Duhet të krijojmë institucione kërkimore që të mbështesin një planifikim afatgjatë, sepse nuk mund të vazhdojmë të punojmë në mënyrë të rastësishme,” u shpreh ai.

Një tjetër sfidë e madhe është emigrimi, që përbën një problem serioz për Shqipërinë. Sipas ish-presidentit, është e rëndësishme që njohuritë dhe përvoja e diasporës të shfrytëzohen në mënyrë më efektive: “Duhet të afrojmë një pjesë të intelektualëve tanë jashtë vendit, për t’i kthyer dhe për t’i angazhuar në zhvillimin e Shqipërisë.”

Në lidhje me rolin e presidentit dhe balancën e pushteteve, Moisiu nënvizoi rëndësinë e një demokracie të vërtetë që respekton ndarjen e pushteteve dhe kompetencat kushtetuese. Ai theksoi se një president i forte, nuk është zgjidhja e vetme, por politikanët duhet të demokratizohen: “Një politikan që e njeh demokracinë, nuk e keqpërdor pushtetin.”

Ai shtoi se, autoritarizmi mund të shfaqet kur një kryeministër qëndron në pushtet për shumë mandate dhe se është e domosdoshme të ruhet një ekuilibër i fortë midis institucioneve shtetërore.

Ish-presidenti Alfred Moisiu theksoi rëndësinë e përvojës dhe bashkëpunimit ndër breza, si dhe vlerësimin e atyre që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë për interesin e kombit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›