Ankimimi i PS, Kushtetuesja në dilemë
Ankimimi i gjashtë partive opozitare në Gjykatën Kushtetuese për marrëveshjen Shqipëri-Greqi ngjall pikëpyetjet nëse një kërkesë e tillë do të pranohet për shqyrtim apo jo. Pritet që të ketë një debat mes juristëve në lidhje me interpretimin që do t‘i bëhet Kushtetutës së Shqipërisë. Nenet në varësi të interpretimit mund të favorizojnë shqyrtimin ose ta pengojnë atë. Nëse Gjykata Kushtetuese do të mbështetet në nenin 134 pika f e Kushtetutës së Shqipërisë, gjasat që kërkesa ankimore të merret për bazë janë të pakta. Në të thuhet se partitë politike dhe shoqatat mund të legjitimohen si subjekte për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, por vetëm për çështje që lidhen me interesa të tyre. Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj të datës 10 tetor 2007 dhe 25 korrik 2008 ka interpretuar të drejtën e subjekteve, referuar nenit 134 të Kushtetutës për të vënë në lëvizje gjykatën. Në këtë vendim thuhet se: "Interesi duhet të jetë i drejtpërdrejtë, vetjak dhe i argumentuar". Por nëse një prej këtyre partive ka të sanksionuar në statutin e saj mbrojtjen e territorit, atëherë interesi është i drejtpërdrejtë. Neni 134 thotë se Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje vetëm me kërkesë të: Presidentit të Republikës, Kryeministrit, jo më pak se një të pestës së deputetëve, Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, çdo gjykate sipas rastit të nenit 145 pika 2 të kësaj Kushtetute, Avokatit të Popullit, organeve të qeverisjes vendore, organeve të bashkësive fetare, partive politike dhe organizatave të tjera, individëve. Pika dy e nenit thotë se kur ankimimi bëhet nga qeverisja vendore, organet e bashkësisë fetare, partive politike dhe organizatave dhe individëve mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre. Ajo çka do të lehtësonte mjaft hapat e kësaj kërkese ankimore do të ishte nëse do bazohej te firmat e 28 deputetëve të Parlamentit. Megjithëse pritet një përgjigje konkrete për të parë se ku do të bazohet Gjykata Kushtetuese për të vendosur së pari nëse do e marrë në shqyrtim kërkesën ankimore të 6 partive ose jo. Edhe pse ekzistojnë mendime se nuk ka bazë juridike për të bërë një ankimim të tillë, ekspertët juridikë të këtyre subjekteve kanë sjellë në vëmendje të Gjykatës Kushtetuese për të parë nëse kjo marrëveshje për ujërat territorialë është e bazuar në Kushtetutë ose jo.
A.Th.
A.Th.