Zor se fillojnë të hënën në Jarinje

Punëtorët e një kompanie nga Novi Pazari po punojnë me intensitet të shtuar për rregulluar vendin për kontejnerët që do të vendosën në zonën neutrale kufitare në mes Jarinjes e Rudnicës.
Aty është paraparë që nga e hëna të vendosen policët e doganierët e Kosovës dhe kolegët e tyre nga Serbia për të zbatuar marrëveshjen e arritur në Bruksel.
Megjithatë, burime të Klan Kosovës të afërta me planifikimin e zbatimit të marrëveshjes janë pesimist se të hënën në ora 8 do të zbarkojnë në këtë vend.
Sidoqoftë, pala kosovare me njësitet e veta policore dhe të doganës tashmë është e gatshme.
Policët kufitarë për këtë pikë dhe atë në Merdare, janë zgjedhur.
Në Jarinje do të jenë katër ekipe policore, me policë multietnik, tre shqiptarë, katër serb e nga një boshnjak në ndërrim.
Gjithashtu, edhe doganierët janë gati. Ndërrimi do të ketë pesë sosh.
Drejtori i doganave ka thënë nëpërmjet telefonit se gjithçka është gati që ata të vendosen atje të hënën në mëngjes.
Parashihet që në një pikë të përbashkët të kryejnë punët doganierët e dy shteteve. Secila palë do të ketë kontinierët e vet, ndërsa afërsia mes tyre do të jetë rreth 5 metra.
Të dyja palët e bëjnë kontrollit në hyrje e dalje, ndërsa kur mallrat hynë në Kosovë, do të vijnë për zhdoganim në Mitrovicë.
Ka mbetur edhe një detaj i paqartë rreth kësaj pike. Policët e doganierët e Kosovës ende nuk dihet se a do të shkojnë me helikopter si deri më tani, apo me automjete.
Ndryshe, për pikën kufitare në Merdare ku punët janë duke u kryer nga pala Kosovare, gjithçka është gati për mëngjesin e së hënës./Indeksonline/