Moisiu: Presidenti me konsensus, mundësi për pazar. Të zgjidhet nga populli
Ftesa për të zgjedhur një president konsensual që kalon nëpërmjet bisedimeve është thjesht një shndërrim i procesit në pazar politik për kreun e shtetit. Ish-presidenti Alfred Moisiu, i zgjedhur me konsensus në vitin 2002, e sheh takimin e palëve politike si një zgjidhje jo të duhur.
Gjithmonë fillon pazari politik se kush do jetë njeriu i tij, me influencën e tij, për të nxjerrë leverdi politike të mëvonshme. Kjo është arsyeja që ne jemi të bindur se Presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Unë mendoj se z.Rama ka bërë një propozim të drejtë, por nuk e di si do reagojë kreu i mazhorancës, sidomos pas rekomandimeve që dha komisioneri Fyle, shprehet ai për Ora News.
Për ish-presidentin, Shqipërisë nuk i duhet një kryetar shteti që vjen prej radhëve të të konsumuarve në politikë, por vendit i duhet një figurë e re që të mos jetë vegël e pushtetit. Pavarësisht se nuk dua të mohoj aftësitë e z.Nano, me të cilin kam bashkëpunuar kur ishte kryeministër, ne kemi nevojë të shohim personalitete e fytyra të reja në politikën shqiptare, të cilat të mos mbajnë gjynahet e së kaluarës. Pra duhen fytyra të reja, emra që nuk janë përmendur deri tani, theksoi Moisiu.
Por pavarësisht se disa ndryshime në Kushtetutë shmangin krizën presidenciale, për Moisiun zgjedhjet e parakohshme mbeten një opsion i mundshëm. Unë mendoj që zgjedhjet e parakohshme janë një zgjidhje, një variant dhe një qeveri teknike mund të organizojë zgjedhjet në mënyrë që të shmangen parregullsitë që kemi vënë re deri tani, theksoi Moisiu.