Paralajmërimi i gazetës Tema se Berisha do bllokojë reformat bëhet realitet, kriset reforma zgjedhore
Për të mos mbetur integrimi peng vetëm i zbardhjes së 21 janarit, Berisha i shton listës së problemeve edhe reformën zgjedhore. Krejt papritur demokratët prishin konsensusin. Sa për hallin e partive të vogla, nuk kujtohet askush
Një ditë më parë, gazeta Tema paralajmëroi përmes një editoriali se për të mos përmbushur kushtin e Bashkimit Europian për zbardhjen e plotë të 21 janarit, kryeministri Sali Berisha do të tentojë të prishë një kusht tjetër ku vlen edhe vota e opozitës, duke tentuar kështu të lërë fajin tek opozita. Në të vërtetë qëllimi është që statusi të mos mbetet pa u marrë për shkak e vetëm të 21 janarit.
Dhe në fakt sot ka ndodhur kështu. Demokratët kanë krisur reformën zgjedhore, duke rrezikuar sërish ta çojnë atë drejt dështimit. Në mënyrë krejt të papritur ata janë tërhequr nga një formulim për të cilin kishin rënë dakord për më parë.
Përfaqësuesi i socialistëve në këtë komision, Damian Gjiknuri thotë se tërheqja e demokratëve është e papritur dhe e çuditshme. Por në fakt nuk është krejt e çuditshme. Berisha synon ta lërë fajin për statusin tek kritere të tilla, për të mos u përballur me krimet e tij.
Çfarë ka ndodhur?
Përfaqësuesi i PS dhe ai i PD në komisionin e reformës zgjedhore dolën të tensionuar nga mbledhja.
Demokratët kishin tentuar të hiqnin një nen të pranuar më parë, që do i mundësonte KQZ-të të hapte kutitë me probleme. Socialistët thonë se kjo do hiqte mundësinë për transparencë, kurse demokratët thonë se kjo transparencë do e zgjaste pa fund procesin e ankimimit.
Sot në mënyrë krejt surprizë, krejt të paparashikuar, bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore z.Rusmali kundërshton një tekst që ka gati mbi 1 javë që është negociuar dhe është rënë dakord. Bëhet fjalë për nenin 116 të draftit, besoj se edhe media e ka, ku është rënë dakord që kutitë e materialeve zgjedhore të mos hapen në vendin e numërimit të votave, por të hapen vetëm për disa shkaqe të caktuara, ku janë listuar disa nga këto shkaqet, në pikën 6 të këtij neni në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë procesit ankimor. Zotërinjtë sot në mënyrë krejt të papritur, jam shumë i zhgënjyer nga kjo, e mohojnë këtë, nuk është teksti që kemi rënë dakord thonë. Ndërkohë që të gjithë komunikimin mjafton që të shkoni e të pyesni z.Viktor Gumi si sekretar i komisionit apo dhe personat mbështetës të këtij komisioni, çfarë teksti kemi shpërndarë përpara deputetëve në komision, tha Damian Gjiknuri.
Kurse Oerd Bylykbashi i PD tha: Eshtë bërë një formulim që ndryshon thelbësisht këtë konsensus të arritur, që është futur, nën rrogoz dhe bën ndryshim thelbësor të një momenti kompromisi, i cili synon përmirësimin maksimal të procesit të numërimit. Do të krijonte një problem shumë të madh, sepse atë që neve sot bëjmë, 4500 kuti të materialeve zgjedhore, i hapim 66 KZAZ, duke e fraksionuar ngarkesën e punës, të gjithën më pas ta bëjmë duke e hapur me proces ankimor të 4500 kutitë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e cila do të rrënonte procesin ankimor, do ta zgjaste në mënyrë të skajshme.
Ndërsa Gjiknuri këmbëngul se ishte një nen për të cilin ishte rënë dakord, duke ofruar madje edhe dokumentin e grupeve të ekspertëve. Unë kam tekstin që ka shpërndarë grupi ekspertëve komisionit. Ky është teksti aktual, teksti i negociuar, i rënë dakord dhe ku bëhet qartë fjalë për çfarë kemi rënë dakord. Pika 6 e nenit 116 thotë shumë qartë: kutitë e materialeve të votimit hapen në KQZ gjatë fazës së shqyrtimit të ankimit, në përputhje me nenet 136 dhe/ose pika 1 e nenit 138 të Kodit nëse prova/provat e kërkuara administrohen në kutinë e materialeve të votimit, si dhe kur ka mospërputhje mes numrit të fletëve të gjetura në kuti dhe votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje, kur nuk është përdorur teknologjia në qendrat e votimit, si dhe në dy-tre raste të tjera kur ka shënime për vërejtje në protokoll. Gjëra që dihen, janë raste klasike të ankimit dhe ne këto i kishim vënë në mënyrë specifike në ligj. Kishim rënë dakord, ka qenë pjesë e një pakete të negociuar, të rënë dakord nga ekspertët, kemi edhe komunikimet e plota elektronike, të anëtarëve të komisionit me këtë tekst, tha Gjiknuri.
Harrohet kërkesa e partive të vogla
Veç kësaj mosmarrëveshje të papritur mes dy partive te mëdha, ajo që lë serish të pakënaqura partitë e vogla është shpërfillja prej komisionit të posaçme, i propozimit për korrektimin e sistemit. Megjithëse kane dorëzuar pranë Kuvendit një dokument me 26 firma, edhe të kreut të mazhorancës Berisha e liderit të opozitës Rama, sërish ky draft nuk do të diskutohet nga Komisioni. Kjo nënkupton, qe nëse partitë e mëdha do të plotësojnë kërkesën e aleatëve për korrektim të sistemit, duhet të zgjerojnë objektin e punës së komisionit të reformës zgjedhore, përmes një vendimi në parlament.