Kryebashkiaku Renci: Rama, e ardhmja e të majtës shqiptare
Kryetari i opozitës Edi Rama zhvillon një vizitë në Firence, ku u prit prej kreut të Bashkisë Matteo Renci. Aspirata për një të majtë të re dhe bashkëpunimi me Partinë Socialiste ka qenë tema kryesore e diskutimeve mes kreut të Partisë Socialiste dhe njërit prej ideologovë kryesorë të së majtës italiane.
“Ishte një takim jashtëzakonisht i kënaqshëm sepse folëm si dy miq të vjetër edhe pse në fakt jemi vetëm dy miq të rinj, por e kaluara e bashkëpunimit mes Tiranës dhe Firences ka lënë gjurmët e veta. Dhe njëkohësisht aspirata e përbashkët për të ndërtuar një të majtë të re, moderne, europiane dhe për të nxjerrë nga kriza shoqëritë ku jetojmë na bën shumë më të afërt dhe njëkohësisht i bën shumë më konkrete dhe planet e afërta të së ardhmes për programin që në aspirata është i përbashkët, për bashkëpunimin që është shprehje e një vullneti të përbashkët dhe sigurisht për miqësinë që është kushti themelor i garantuar prej kohësh”tha Rama.
Matteo Renci, kryetari i Bashkisë së Firences e ka vlerësuar kreun e opozitës shqiptare dhe ka ofruar bashkëpunim.
“Jam shumë i lumtur që prita Edi Ramën këtu në Fierence, në Palazzo Vecchio. Kur Edi Rama ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës qyteti i Tiranës dhe qyteti i Fiernces kanë punuar shumë së bashku jo vetëm për bashkëpunime në kuadër të shkëmbimeve kulturore, por edhe për bashkëpunimin mes qyteteve. Përtej këtij roli institucional si Kryetar Bashkie jam i lumtur sepse besoj që Edi Rama përfaqëson të ardhmen për të majtën shqiptare, për popullin shqiptar dhe për t`i dhënë një dorë edhe të majtës europiane që kërkon më në fund t`i thotë fjalën e fundit krizës dhe t`i japë një prespektivë të re mirëqenieje Italisë, Shqipërisë dhe Europës. Shpresojmë së bashku të mund të bëjmë jo vetëm një takim të mirë si ky i sotmi për të gjitha gjërat për të cilat mund të punojmë sëbashku, por edhe mundësi fantastike për Shqipërinë Italinë dhe Europën e nesërme”-u shpreh Renci.
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar një takim me studentë shqiptarë në Firence, para të cilëve ka prezantuar programin për një Rilindje Shqiptare.
Gjithashtu Rama është takuar edhe me qytetarë shqiptarë si dhe me struktura të Partisë Socialiste në këtë qytet.