Moldavët, ia 'lagin' më së shumti

Varësia ndaj alkoolit është një problem me të cilin përballen miliona e miliona vetë në të gjithë globin e megjithatë një nga zonat e planetit që mban rekordin për përdoruesit më të shumtë të pijeve alkoolike janë ish-vendet e Bashkimit Sovjetik, sigurisht përfshi edhe Rusinë.
Por edhe mes tyre mund të veçohen vende që janë ndër më problematiket dhe kanë përqindjen më të lartë të personave të alkoolizuar që janë shndërruar tashmë në probleme dhe barrë për familjet dhe shoqërinë. Moldavia dhe qytetarët e kësaj republike të vogël ish-sovjetike, sipas një studimi të fundit del se janë “pijanecët” më të mëdhenj në botë. Sipas këtij studimi, mesatarisht çdo banor i këtij vendi konsumon në vit 18 litra alkool.
Bëhet fjalë për një raport të publikuar së fundi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Moldavët pinë tri herë më shumë sesa mesatarja globale, e cila është 6.1 litër për person në vit. Megjithatë, duke qenë se pjesa më e madhe e alkoolit prodhohet vetë, sasia e konsumit të alkoolit në këtë vend mund të jetë edhe më e madhe nga sa thotë shifra zyrtare. Përdorimi i tepruar i pijeve alkoolike çdo vit merr jetën e mbi 2 milionë njerëzve në të gjithë botën dhe mes tyre thuajse gjysma janë të rinj nga mosha 15 deri në 29 vjeç. Ndër shkaqet masive të vdekjeve në planet alkooli zë vendin e tretë. Madje, alkooli konsiderohet si një faktor vrastar edhe më i madh se vetë SIDA apo sëmundjet ngjitëse si tuberkulozi që ende janë shumë problem në disa zona të botës. Organizata Botërore e Shëndetësisë, nisur nga këto shifra, u ka bërë thirrje qeverive të botës që ta kenë më shumë vëmendjen në marrjen e masave parandaluese ndaj pirjes dhe krijimit të varësisë ndaj alkoolit në popujt e tyre veçanërisht kur bëhet fjala për të rinjtë që janë edhe më të prekshëm ndaj një fenomeni të tillë. Moldavia ndodhet mes Rumanisë dhe Ukrainës dhe është një nga vendet më të varfra në Europë.
Ajo është e ndarë mes moldavëve etnikë, të cilët flasin një gjuhë shumë të ngjashme me rumanishten dhe rusëve etnikë. Vendi është një nga prodhuesit më të mëdhenj të verës në botë dhe në përgjithësi vera dhe pije të tjera alkoolike kanë një traditë të vjetër të prodhimit edhe në kushtet e shtëpisë. Dhe njerëzit në më të shumtën e rasteve konsumojnë pikërisht alkoolin që e prodhojnë vetë. Ky është edhe një nga shkaqet që e bën të vështirë përcaktimin e sasisë së vërtetë të konsumit të alkoolit, sepse askush nuk mund ta vërtetojë se sa alkool prodhohet në vit në këtë vend në mënyrë artizanale. Veç verës, moldavët prodhojnë edhe raki dhe vodkë, pije të tjera shumë të konsumueshme në këtë vend.
Por Moldavia nuk është vendi i vetëm problematik. Fqinjët e saj vuajnë nga e njëjta sëmundje e të pirit. Probleme të mëdha kanë edhe fqinjët e Moldavisë, Ukraina dhe Rumania. Për të mos folur për Rusinë, e cila e ka alkoolin një nga problemet më të mëdha shëndetësore dhe sociale. Globalisht, vetëm 6.2% e vdekjeve të meshkujve shkaktohet nga alkooli dhe për sa u përket femrave kjo shifër po në rrafsh global është 1.1%. Ndërkohë, po të shohim rusët, kjo shifër është 20% për meshkujt. Pra, në Rusi një e katërta e meshkujve vdesin për shkak të alkoolit, abuzimit me të apo sëmundjeve që shfaqen nga përdorimi pa kriter i pijeve alkoolike.
Kjo përqindje shumë e lartë e vdekjeve të meshkujve rusë nga alkooli ka bërë që edhe jetëgjatësia e tyre të ulet ndjeshëm me një mesatare 60 vjeç. Ndërsa për sa u takon femrave, vetëm 6% e vdekjeve të tyre është për faj të alkoolit. Vende si Rusia dhe Ukraina e kanë në traditë pirjen e vodkës në sasi të mëdha, por gjatë këtyre 20 viteve të fundit, pra pas shpërbërjes së perandorisë sovjetike ata kanë futur ndër pijet e tyre të preferuara edhe birrën. Vetëm së fundi në Rusi birra ka filluar të konsiderohej dhe deklasifikohet si një pije alkoolike. Rusia vetë ka një histori të gjatë problemesh me alkoolin, si dhe tentativë të vazhdueshme e të dështuara për ta zgjidhur këtë problem. Mikail Gorbaçov u përpoq që të ndalonte shitjen e vodkës dhe kjo e bëri atë menjëherë shumë jopopullor dhe rusët gjetën mënyra të tjera alternative për të prodhuar alkool që ishin sigurisht shumë më të rrezikshme për shëndetin. Ndërkohë, ka disa zona në Moskë, të cilat e ndalojnë shitjen e alkoolit gjatë orëve të natës, madje ka propozime që bëjnë fjalë për ndalimin e shitjes së alkoolit gjatë fundjavave.
Këtë javë, kreu i Gjykatës së Lartë ruse tha se nga 12 mijë vrasje që kanë hetuar vitin që shkoi në vend 75% janë shkaktuar nën ndikimin e alkoolit. Edhe vende të tjera europiane kanë probleme me alkoolin, sigurisht jo të përmasave të sllavëve. Pas moldavët vendin e dytë për konsumin e alkoolit për kokë e zënë çekët me 16 litra në vit. Britanikët preferojnë më shumë birrën ndërsa rusët vodkën. Ndërsa moldavët pinë në sasi të njëjta dhe pa asnjë lloj preference, apo dallimi si verën, rakinë, apo birrën.
Po sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë ndërsa moldavët pinë më shumë, ata që pinë më keq pra që kanë pasoja nga pija janë pikërisht rusët dhe ukrainasit. Ndërsa vendet e Mesdheut janë më pak të varur ndaj alkoolit edhe pse pinë sasi të mëdha edhe ata. /gazetashqip/