E Diel, 1 Nëntor 2026

Molliqaj: Lama nuk foli brenda Lëvizjes

Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj duke komentuar për largimin e deputetes Alma Lamës nga grupi parlamentar i kësaj lëvizjeje, ka thënë se Lama nuk i ka shfrytëzuar mundësitë e diskutimit dhe ngritjes së çështjeve të cilat sipas tij, i ofron VV.

Ai thotë se Lama jo vetëm se nuk ka ngritur çështje brenda subjektit por edhe ka munguar në mbledhje. Madje edhe për largimin e saj VV ka kuptuar prej medieve.

“Siç e mësuam nga mediat sot, deputetja Alma Lama është larguar nga Lëvizja Vetëvendosje! Arsyet të cilat ajo i përmend në një letër të saj publike ajo ka pasur mundësi t’i ngrisë në strukturat e Lëvizjes, siç janë Këshilli i Përgjithshëm dhe grupi parlamentar, mirëpo ajo jo që nuk i ka ngritur, por as nuk ka marrë pjesë në mbledhje. Çështjet për të cilat deputetja Lama shpreh shqetësimet dhe mospajtimet e saj, janë vendime të organeve të Lëvizjes Vetëvendosje! të marra që në vitin 2011. Të njëjtat janë bërë publike në mediat kryesore, në muajin shtator të vitit 2011”, ka thënë Molliqaj për Indeksonline.

Ndërkaq, largimin e saj, Molliqaj e ka quajtur të bazuar mbi interesat personale.

“Ne mbetemi besnikë të konceptit, programit dhe frymës së Lëvizjes Vetëvendosje! deri në realizimin e plotë të tyre. Angazhimi i secilit qytetar që pajtohet me Lëvizjen Vetëvendosje! bëhet duke shprehur vullnetin vetanak në mënyrë të pavarur, sikuse që edhe largimi i secilit është i varur nga vullneti i tyre e mbi interesat personale”, ka thënë ai./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›