Zonat rurale nuk trajtohen njësoj në investime

KCIC ka kryer një hulumtim në zonat rurale të Gjilanit lidhur me investimet e qeverisë komunale dhe më pas, të gjeturat e hulumtimit, të përmbledhura në një raport, i ka diskutuar bashkërisht me grupet e interesi.
Në këtë hulumtim sipas Enver Kqikut janë përzgjedhur dhjetë fshatra për të qenë pjesë e këtij hulumtimi: Zhegra, Lladova, Pogragja, Malisheva, Përlepnica, Bresalci, Cërnica, Livoqi i Ulët, Velekinca dhe Dobërqani. Përzgjedhja e fshatrave është bërë nga propozimet e organizatave jo-qeveritare, të dalë nga takimet e rregullta me OJQ-të e rrjetëzuara të Anamoravës.
Përmes këtij hulumtimi, organizata, ka pasur për qëllim të përfshijë qytetarët e vendbanimeve të përzgjedhura që lirshëm të shprehin mendimet e tyre dhe të përgjigjen në pyetjet e formuluara dhe të japin në mënyrë objektive vlerësimin rreth gjendjes faktike të investimeve, të bëra nga Qeveria Komunale e Komunës së Gjilanit, në secilin fshatrat veç e veç si dhe gjithashtu të shprehin vlerësimet e tyre rreth gjendjes aktuale në vendbanimet e tyre. Kështu disa prej pyetjeve në pyetësor kanë qenë të karakterit të përgjithshëm.
Në hulumtim janë përfshirë grup moshat e ndryshme. Nga numri i përgjithshëm i respondentëve, prej tyre 37,61% kanë qenë të moshës 18-25 vjeçare; 37.61% të moshës 26-45 vjeçare , kurse 24.77% e të anketuarve kanë qenë të moshës 46-65 vjeçare.
Gjithashtu, prej të intervistuarve, 78.9% kanë qenë të gjinisë mashkullore, përderisa 21.1% të gjinisë femërore. Sa i përket faktit se a janë të punësuar, 56.3% kanë qenë në marrëdhënie pune, kurse të pa punësuar kanë qenë 43.7 %. Pyetësori ka qenë i përbërë prej 13 pyetjeve, ku 10 prej tyre kanë qenë pyetje të mbyllura ndërsa 3 pyetje kanë qenë të hapura dhe intervista me një kandidat mesatarisht ka zgjatur 3-5 min.
Në bazë të hulumtimeve të bëra vrejmë se, përderisa në fshatin Malishevë qytetarët janë shumë të kënaqur me punën e komunës së Gjilanit, respektivisht me 45.5%, fshatrat tjera siç janë Zhegra, Velekinca, Lladova dhe Pogragja, niveli i knaqshmërisë është 0%. Kjo le të kuptoj se qytetarët e këtyre fshatrave nuk janë të kënaqur me punën e komunës së Gjilanit dhe shërbimet që ofron për qytetarë.
Nga grafikonet shihet se pjesëmarrja e qytetarëve në punët e Asamblesë Komunale është shumë e ulët. Vetëm 5.5% e të anketuarve janë deklaruar se marrin pjesë në punimet e Asamblesë Komunale. Ndërsa, në fshatin Velekincë për dallim nga fshatrat tjera pjesëmarrja është diç më e lartë, me 12%, transmeton rajonipress.
Të anketuarit nga fshati Livoc i Epërm, Zhegra dhe Përlepnica janë deklaruar se mbahen dëgjime publike në komunën e tyre. Përderisa, qytetarët nga Malisheva dhe Bresalci thanë të kundërtën. Rezultati i përgjithshëm i pyetjes “A mbahen dëgjimet publike në komunën tuaj” tregon se 40% e të intervistuarve janë deklaruar negativisht rreth mbajtjes së dëgjimeve publike në Gjilan, dhe 37% kanë thënë se nuk din ose nuk janë të informuar nëse komuna mban dëgjime publike./Indeksonline/