E Shtunë, 31 Tetor 2026

Momentet e fundit të Arjan Selimit, pa një person që po e vëzhgonte

Sokol Koçiu, i cili ishte pasditen e së hënës në shoqërinë e Selimit, rrëfen momentet e fundit të 37-vjeçarit të vrarë

Si një ndër njerëzit e fundit që u shoqërua me Arjan Selimin, Sokol Koçiu ka treguar dje momentet e fundit të 37-vjeçarit. Koçiu ka saktësuar faktin se në sekondat e fundit të jetës ka spikatur prezencën e një personi të dyshimtë pranë lokalit ku ishin ulur dhe është çuar menjëherë për ta ndjekur. “Unë isha bashkë me të dhe bashkëshorten time. Për një moment, Arjanit një person iu duk i dyshimtë, që nuk ishte i lagjes dhe e deklaroi që ky nuk është i lagjes. E ndoqi nga pas përreth pallatit, e ndoqi për nja 30 sekonda, pastaj u dëgjuan breshëritë e automatikut’, është shprehur Koçiu. Sokol Koçiu drejton një zyrë për dhënie ndihme ligjore prej disa muajsh dhe prej disa kohësh ai asistonte dhe ndihmonte Selimin në lidhje me procedurat ligjore që ai po përballej gjatë gjykimit të çështjes së tij. Koçiu dhe Selimi kanë edhe një miqësi mes tyre, e konservuar që prej kohës kur të dy janë njohur në burg. Koçiu ka deklaruar dje se e takonte thuajse çdo javë në të njëjtin vend Arjan Selimin, duke shtuar se ky i fundit në asnjë moment nuk ka reflektuar apo shprehur qoftë dhe problemin më të vogël gjatë bisedave mes tyre. “Absolutisht asnjë shqetësim nuk ka shprehur. Mënyra sesi rrinte në shtëpi , i lirë pa asnjë problem, nga dy orë, tri orë. Kjo nuk ishte hera e parë e takimit, të paktën një herë në javë vija e takoja këtu, se e kisha dhe mik dhe ja po e njëjta situatë, kafen atje përjashta. Të paktën diçka edhe mund të më thoshte, nga diçka ruhej, por nuk më ka thënë absolutisht ndonjëherë asgjë se mund të ketë patur ndonjë konflikt me dikë’, - është shprehur dje Koçiu . Më tej miku dhe asistenti ligjor i Selimit është shprehur se që mbrëmjen e së hënës të njëjtat gjëra i ka deklaruar në polici me vullnetin e tij të lirë, së bashku me bashkëshorten e tij. “Shkova vetë në polici. Se isha këtu, madje. I kam thënë po këto gjëra, po ashtu dhe bashkëshortja ime, se dhe ajo ishte aty, ka qenë e fundit, e fundit fare që e ka takuar, si me thënë”, është shprehur dje Sokol Koçiu. Ditën e djeshme burime policore kanë konfirmuar se kanë mbledhur të dhëna në lidhje edhe me telefonatat e fundit që ka bërë Selimi. Shërbimi i sektorit të antidrogës duket se e ka patur në mbikëqyrje telefonin e Selimit dhe pse nga policia e Tiranës dje askush nuk preferoi të pranonte apo të mohonte këtë fakt në mënyrë zyrtare. Arjan Selimi u vra mbrëmjen e së hënës rreth orës 19:15 poshtë apartamentit ku jetonte, ndërsa dëshmitë e para të mbledhura nga hetuesit flasin për një kurth të mirëmenduar, të ngritur ndaj 37-vjeçarit. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:15 minuta pranë ish-Parkut të Autobusëve, në fund të Rrugës së Kavajës, ndërsa pallati ku banonte Andoni ka qenë i futur në rrugica të pandriçuara. Breshëria e armëve nuk ka kursyer as 19-vjeçarin Keltis Kola, i cili ishte duke ecur poshtë pallatit ku ndodhi ngjarja. Dyshimet e policisë janë se bëhet fjalë për një kurth. Burime policore kanë bërë të ditur se Selimi mund të ketë spikatur praninë e dyshimtë të një personi aty pranë dhe ndërsa është çuar për të verifikuar lëvizjet e personit të dyshimtë është goditur me breshëri në mënyrë të beftë me kallashnikov nga një person i cili ka dalë nga një kthinë që ndodhet mes pallatit ku jetonte Selimi dhe një vile trekatëshe. Selimi ka mbetur i vdekur në vend, pasi ka marrë disa plumba të cilët i kanë copëtuar gjithë kraharorin.

Vrasja e Selimit, mblidhen krerët e Policisë së Shtetit

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka thirrur mbrëmjen e djeshme në një mbledhje urgjente grupin hetimor që po shqyrton vrasjen e Arjan Selimit, që humbi jetën pas 5 plumbave kallashnikov mbrëmjen e së hënës pranë banesës së tij. Mbledhja me dyer të mbyllura po drejtohet nga kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Krerët e Policisë së Shtetit kanë kërkuar një përshkrim të detajuar të të gjitha të dhënave që janë mbledhur deri në këtë moment dhe kanë bërë një rakordim të përgjithshëm të të gjitha informacioneve të mbledhura, si nga dëshmitë dhe indiciet, por edhe nga të dhënat konfidenciale operative. Në një njoftim zyrtar për mediat, Policia e Shtetit deklaroi dje se është duke u hetuar në disa pista që do të çojnë në zbardhjen e krimit si edhe identifikimin e autorëve, ndërsa po merren në pyetje persona që kanë dijeni për ngjarjen. 37-vjeçari Selimi u vra rreth orës 19:15 të së hënës pranë ish-Parkut të Autobusëve. Trupi i Selimit u gjet i pajetë, poshtë një pallati 8-katësh, ndërsa dëshmitarë pohojnë se u dëgjuan disa të shtëna armësh në zonë. Vrasja e tij ka mobilizuar tashmë gjithë drejtorinë e policisë së Tiranës, e cila nga ana e saj që pas daljes nga burgu nga ana e Selimit e ka mbajtur herë pas here në vëzhgim atë.

19-vjeçari i plagosur: nuk kam parë asnjë gjë, thjesht ndjeva goditjen e plumbave

Keltis Kola, 19-vjeçari i plagosur gjatë atentatit ku mbeti i vrarë Arjan Selimi, është marrë dy herë në pyetje nga oficerë të policisë gjyqësore, por dëshmitë e të riut nuk kanë dhënë asnjë fakt që mund të hidhte dritë mbi ngjarjen. Kola ka shpjeguar vetëm momentet para të plagosej dhe ka deklaruar se ai ishte me një shok duke ecur në rrugicën ku ndodhi krimi. Në moment Kola ka dëgjuar breshëritë e automatikut dhe fill më vonë ka rënë në tokë si pasojë e plumbit që i ka përshkruar trupin. Shoku i tij ka ikur me vrap i terrorizuar, ndërsa Kola ka mbetur i shtrirë duke dëgjuar dhe pjesën tjetër të breshërive. Më pas djaloshi i plagosur ka rrëfyer dhe momentet kur është asistuar me ndihmë nga banorët e lagjes, duke theksuar në mënyrë të qartë se nuk ka patur asnjë mundësi të shikonte vrasësit edhe për shkak të befasisë në të cilën u ndodh, por dhe sidomos për shkak të territ që mbizotëronte. Burime policore i thanë dje MAPO-s se dëshmia e 19-vjeçarit të plagosur është praktikisht e paaftë të sjellë ndonjë të dhënë me rëndësi në lidhje me autorët, ndërsa oficerët e policisë gjyqësore i kanë bërë të ditur 19-vjeçarit se mund të rimerret në pyetje në një kohë të dytë. Oficerët dyshojnë se Kola mund të jetë në gjendje shoku dhe frike aktualisht dhe për këtë shkak mundet të kursejë ndonjë detaj që ka parë nga skena e krimit, ndërsa në 24 orët e fundit hetuesit kanë mbledhur të dhëna për Kolën, pasi në fillim për të u dyshua se mund të ishte një i njohur i viktimës Arjan

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›