Prifti: Si Niksoni, kam 60 video, frikë se më vrasin
Në një intervistë për Ilir Babaramon në “News 24”, deputetit Dritan Prifti ka treguar detajet e një video të tretë, ndërsa ka thënë se kishte shumë të tjera
“Kamerat ishin për Metën, ngeci dhe Balliu brenda, nuk ishte e planifikuar nga unë”
Ishte spekuluar në media dhe deputeti Dritan Prifti e konfirmoi dje në mbrëmje. Ka një video të tretë, madje edhe dhjetëra më shumë, në orën kamera që u përdor për të filmuar kreun e LSI-së, Ilir Meta, personazh këtë radhë është botuesi Fahri Balliu. Disa detaje të kësaj video të tretë të filmuar nga deputeti Dritan Prifti, ky i fundit i ka bërë publike dje në mbrëmje në emisionin “5 pyetje nga Ilir Babaramo” në televizionin “News 24”. Duke thënë se “ai është si Niksoni” (Riçard Nikson, President i SHBA në deri më 1974), Prifti deklaroi se kishte afërsisht po aq përgjime sa ky i fundit, rreth 62. Në intervistë ai ka shpjeguar edhe atë që ndodhi në shtëpinë e tij, ku ai ka filmuar një skenë të marrjes së një shume parash nga ish-zëvendësministri i tij Leonard Beqiri. I pyetur pse nuk i publikonte videot, Prifti ka arsyetuar se ato i përdorte për t’u mbrojtur. Ai ka thënë se është i kërcënuar, pa mbrojtje, ndërsa akuzoi se kundërshtarët e tij “të vrasin”. Prifti ka përsëritur se kishte frikë për jetën e tij dhe të familjes. Deputeti ka folur edhe për marrëdhëniet politike, duke shpjeguar arsyet pse nuk i është bashkuar PS-së, por duke theksuar edhe se e ka ndihmuar këtë të fundit në disa raste.
Video e tretë
“Direkt te videot muhabeti.” Kjo ishte në fakt batuta e parë e ish-ministrit Dritan Prifti, i ftuar në një studio televizive, ndërsa u ftua të sqaronte zërat për një video të tretë të filmuar nga ai vetë, po ende të pa bërë publike. “Janë më shumë se tre, janë shumë më shumë. Kjo numër treshi është me një personazh të medias..”, tha deputeti që përfshiu ish-zëvendëskryeministrin në një video skandal, i cili është ende në gjykim, ku sipas tij dhe akuzave të prokurorisë flitet për korrupsion.
Ai ka shpjeguar ndërkohë që nuk ka dashur ta bëjë publike këtë rast të tretë, ku edhe pse, sipas tij, ka një ofertë të paligjshme dhe tentativë korruptive, derisa kjo nuk u realizua nuk kishte asgjë për të denoncuar. Prifti shpjegoi se video është: “Me pronarin e ‘Gazetës 55’, Fahri Balliu”, por ai ka shtuar se nuk donte të fliste për brendinë e videos, pasi, sipas tij, ajo është konsideruar nga prokuroria “sekret hetimor dhe nuk mund të dekonspiroj gjërat që janë aty”.
Pasi ka shpjeguar njohjet me Balliun dhe si ishte arritur te video, Prifti ka thënë se nuk kishte bërë plan ta përgjonte atë. Sipas tij, Balliun ia kishte prezantuar Meta, por ishte një koincidencë që ai u ndodh në takim me atëherë ministrin e Energjetikës, 10 minuta para se ky të fuste në “kurthin e përgjimit” Ilir Metën. “Kamerat ishin për Metën, ngeci dhe Balliu brenda, nuk ishte e planifikuar nga unë”, shpjegoi më tej Prifti. Ai ka thënë se botuesi i kishte kërkuar ndere për firma dhe gjëra të kësaj natyre, ndërsa kishte ofruar dhe shumë ta mëdha parash. Prifti thotë se nuk e ka pranuar ryshfetin, por, sipas tij, më vonë Meta e ka kryer atë që kërkonte Balliu dhe që, sipas tij, ishte e paligjshme.
Unë si Niksoni, më kërcënojnë me jetë
Duke folur për videot, Prifti tha mbrëmë në studio se ai kishte edhe shumë të tjera, por të cilat nuk kishte ndërmend t’i bënte publike, të paktën për momentin, duke theksuar mëse njëherë që këtë e bënte për t’u mbrojtur. Ai ka kujtuar rastin e presidentit amerikan Riçard Nikson, që kishte bërë rreth 62 përgjime në zyrën e tij, duke lënë të kuptohet se zotëron një numër të përafërt videosh. Por Prifti ka refuzuar fatin e Niksonit, që u detyrua të jepte dorëheqjen pas publikimit të përgjimeve në aferën Uatergejt. Duke folur për videot, Prifti ka theksuar se ato nuk mund t’i publikonte as t’i denonconte, pasi sistemi gjyqësor në Shqipëri nuk ishte i besueshëm dhe se nuk ia vlente publikimi i videove në këtë situatë. “Unë nuk jam supermeni dhe nuk mund të dal të bëhem hero”, ka thënë Prifti kur është pyetur për përgjegjësinë që ai mbante për t’i bërë publike regjistrimet në të cilat sipas tij janë njerëz të Metës apo të dërguar prej tij. Ai ka thënë se “videot i ruaj në dy vende jashtë Shqipërisë”. Ndërkohë ka bërë një sërë akuzash pa emër, por duke nënkuptuar se kishte njerëz që e kërcënonin dhe se Meta donte që ai të largohej nga Shqipëria. “Gjithë shteti është kundër meje”, ka deklaruar Prifti, ndërsa nga ana tjetër ka theksuar se kundërshtarët e tij ishin të aftë të vrisnin. Ai ka folur për kërcënime nga më të ndryshmet, ndërsa ka denoncuar edhe faktin se nuk mbrohej.
Video me Beqirin
“S’ka pazar, paratë m’i kishte detyrim”
Detajet e videos, me të cilën u mendua se Prifti i kishte bërë në një farë mënyre “gropën vetes”, janë ende të pa zbardhura, por deputeti dha mbrëmë një version të tij rreth saj. Ai mohoi që video të ishte fshirë nga ai, por nga një proces automatik. Prifti theksoi se ishte i interesuar në zbardhjen e saj dhe për këtë nuk kishte kërkuar që çështja të mbyllej për procedurë, që, sipas tij, ishte e mundur, por nuk ishte në planet e tij. Prifti ka shpjeguar se paratë në video ishin një detyrim ndaj tij i ish-zëvendësministrit ndërsa mohoi të kishte një pakt me të për të thënë të njëjtat gjëra. Ai tha se në atë video më shumë kishte gjëra kundër Metës se sa kundër tij, pasi siç shpjegoi ai i kishte bërë një “intervistë” zëvendësministrit me të cilin nuk kishte marrëdhënie të mira as para dhe as pas videove.
Raportet me PS
Prifti: Te PS pasi të pastrohem
“Kam marrëdhënie shumë normale me zotin Rama, kemi çdo javë komunikim”, tha dje Prifti. Sipas tij nuk është momenti për të shkuar në PS dhe se aty kishte persona me “marrëdhënie të stresuara me të”. Ai ka lënë të kuptohet se sidoqoftë është afër PS dhe pasi të “pastrohet” nga hetimet do të kërkojë të bashkohet me të, por për të vendosur për karrierën politike duhet të presë përfundimin e procesit mbi videon. Ai ndërkohë ka shpjeguar se me Ramën janë marrë vesh, ndërsa nuk ka mohuar akuzat që bëri kundër Ramës dhe nuk ka thënë që ato janë të pavërteta Prifti deklaroi se kishte ndodhur një pajtim ku ai e Rama kishin pranuar se e kishin tepruar.