E Shtunë, 31 Tetor 2026

Momenti kisingjerian i Hillaryt

Tokio – Turneu i fundit i Hillary Clintonit në Azi mund të konsiderohet si vizita më e rëndësishme rajonit nga një diplomat amerikan që nga misioni sekret i Henry Kissingerit në Pekin në korrik të vitit 1971. Misioni i Kissingerit kishte shkaktuar një revolucioni diplomatik. Rilidhja e marrëdhënieve amerikano-kineze kishte shprishur baraspeshën botërore dhe kishte përgatitur Kinën për hapjen e ekonomisë së saj – rezultat i saj, më shumë se kurrë, po definon botën e sotme. Ajo që Clinton tha gjatë turneut të saj në Azi ose do t’ia vërë kapakun asaj që Kissingeri e kishte nisur para katër dekadash, ose do të jetë fillimi i një faze të re të asaj epoke.
Vizita e Clintonit prodhoi shenjat më të qarta se Amerikane nuk është e gatshme ta pranojë Kinën për hegjemoni rajonale. Prapa skenës së Samitit Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Hanoi, Clinton sfidoi ministrin e Jashtëm kinez, Yang Jiechi, lidhur me pretendimin e Pekinit për pronësinë e tij mbi  Ishujt Spratly në Detin Jugor të Kinës, se tani është pjesë e “interesit themelor”. Por Kina, e cila konsideron se këtë territor (pronësia e të cilit kontestohet nga Vietnami dhe Filipinet) si pjesë të territorit, sikur se pretendon për Tajvanin dhe Tibetin, duke shndërruar në tabu çdo interferencë të jashtme.
Duke refuzuar këtë, Clinton propozoi që me ndihmën amerikane të krijohet një mekanizëm ndërkombëtar për ndërmjetësim për tejkalimin e pretendimeve të sovranitetit ndërmjet Kinës, Tajvanit, Filipineve, Vietnamit, Indonezisë dhe Malajzisë që tani ekzistojnë lidhur me rajonet në Detin Jugor të Kinës. Për kinezët, interesimi i Clintonit o mor si shok i madh, dhe duke marrë për bazë ngrohtësinë nga nikoqirët vietnamezë – pavarësisht kundërshtimit të madh lidhur me të drejtat e njeriut në Vietnam – sekretarja amerikane e Shtetit mund ta ketë ngritur këtë çështje në mënyrë urgjente pjesërisht edhe me palën malajziane dhe me atë filipinase.
Një frikë e përgjithshme është rritur se Kina po kërkon të përdorë rritjen e marinës së saj jo vetëm për të dominuar në ujërat e pasura me hidrokarbure të Detit të Kinës Jugore, por edhe linjat e transportit ujor, duke ditur se ka njërin prej transporteve më të ngarkuara detare. Prandaj, ishte një lajm i mirëseardhur kur u mor vesh se Clinton po thellonte përkushtimin amerikan për sigurinë në ujërat përreth Kinës, duke marrë pjesë personalisht në manovrat ushtarake ajrore dhe detare në Gadishullin Korean. Ngjashëm, lidhjet ushtarake ndërmjet SHBA-së dhe njësiteve më elitare të forcave të armatosura indoneziane – të suspenduara për dekada me radhë – janë rikthyer gjatë kohës së turneut aziatik të Clintonit.
Manovrat ushtarake ishin, papritur, një paralajmërim për Korenë e Veriut se fuqia amerikane për përkushtimin ndaj Koresë së Jugut nuk ka mbaruar, duke marrë parasysh faktin se Koreja Veriore në fillim të këtij viti sulmoi një anije koreanojugore. Por më i rëndësishëm është fakti që Clinton u tregoi të gjithëve në rajon se Amerika nuk është distancuar nga lufta në Afganistan dhe Irak, duke shprehur angazhimin amerikan për mbrojtjen e interesave vitale në Azi.
Një pjesë e manovrave ushtarake janë kryer në Detin e Verdhë, në ujërat ndërkombëtare shumë afër territorit kinez, duke treguar po ashtu zotimin amerikan për liri të deteve në Azi. Dhe kjo u pasua me një vizitë të një luftanijeje amerikane në Vietnam – e para që nga mbarimi i luftës së Vietnamit para 35 vjetësh.
Koreja Veriore, nuk ishte e papritur, volli vrer dhe kundërshtoi manovrat ushtarake, madje duke kërcënuar me përgjigje “fizike”. Dhe Kina jo vetëm që e quajti një “sulm” ndërhyrjen amerikane për zgjidhjen e pretendimeve territoriale kineze në Detin e Kinës Jugore, por edhe mbajti manovra ushtarake të paparalajmëruara në Detin e Verdhë si kundërpërgjigje ndaj ushtrimeve ushtarake amerikano-koreanojugore.
Vizita e Clintonit ishte e rëndësishme jo vetëm për riafirmim të përkushtimeve amerikane për sigurinë në Azi dhe në pjesën lindore të Paqësorit, por ka vënë në dyshim zemrën e politikës së jashtme kineze. Më 2005 liderët kinezë dolën me lansimin e politikës së kërkimit të “një bote harmonike”, dhe thanë s prioritet i tyre do të ishte krijimi i marrëdhënieve miqësore me të gjithë fqinjët e afërm. Por në gusht të vitit 2008 Komiteti Qendror i Partisë Komuniste deklaroi se “veprimtaria e çështjeve të jashtme duhet të bazohet në vazhdimin e konstruktit ekonomik si bërthamë e saj”.
Por të gjitha politikat e jashtme, duket, tani janë hijezuar nga shqetësimet e brendshme. Ka frikë se mund të ketë përhapje të trazirave nga një Kore Veriore buzë shkatërrimit, e cila po ndjek një politikë të plogësht karshi Kinës. Dhe pretendimet kineze për territoret e Detit të Kinës Jugore po e bëjnë të pamundshme ruajtjen e marrëdhënieve miqësore me shtetet fqinje.
Në Azi, shpresohet sot se vizita e Clintonit do t’i bëjë liderët kinezë të kuptojnë se Amerika nuk e ka hequr rajonin nga lista e prioriteteve dhe se këtu po testohet roli dhe ndikimi i bashkësisë ndërkombëtare. Retorika hegjemone dhe dominimi detyrues krijojnë vetëm armiq, jo harmoni. Dhe në të vërtetë do të jetë cilësia e marrëdhënieve të Kinës me fqinjët, veçanërisht Indinë, Indonezinë, Japoninë, Rusinë dhe Korenë Jugore që do të jetë qendrore në krijimin e një imazhi të mirë ndërkombëtar, duke i dhënë sinjal jo vetëm rajonit, por edhe mbarë botës se çfarë fuqie e madhe synon të bëhet Kina.
Një politikë kineze e presionit dhe e kërcënimeve prej fuqie të madhe kundër Vietnamit dhe/ose Filipineve për pronësinë e ishujve Spratly, ose dërgimi i mesazheve kërcënuese karshi fqinjëve më të vegjël aziatikojugorë, do të vazhdojnë të rrisin alarmet përgjatë Paqësorit dhe do të shihen si dëshmi të ambicieve hegjemone të regjimit kinez. Derisa Kina nuk demonstron se mund të arrijë pajtim paqësor për pretendimet pronësore me fqinjët, pretendimi i Kinës për “një rritje paqësore”, do të duket jobindës jo vetëm në Washington, por edhe në të gjitha kryeqytetet aziatike.
Dyzet vjet më parë, hapja amerikane ndaj Kinës së Maos shokoi Japoninë dhe mbarë Azinë. Vizita e Clintonit ka bërë të kundërtën; ka dridhur Kinën – për të cilën dikush shpreson se po e  moderon sjelljen e saj në rajon. Dhe nëse dridhja mund të thuhet se kishte karakter garantues, kjo mbase ka vërtetuar shqetësimet aziatike për përkushtimin përforcues të Amerikës për sigurinë e rajonit.

(Autori ishte ministër i Mbrojtjes i Japonisë dhe këshilltar i Sigurisë Kombëtare. Ai është anëtar i partisë opozitare japoneze, Diet. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›