E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si maten 90 për qind?

Pos të nxehtit që na i përvëloi trutë dhe kaosit të trafikut që na ka shkaktuar bllokimi i disa rrugëve në Prishtinë, javën e shënuan disa ngjarje, që do të mund të quheshin interesante, varësisht se si i shikoni, si edhe rrahja e temës së veriut dhe mënyra kreative e zgjidhjes së telasheve atje. Kështu, në mbledhjen e Qeverisë nga fillimi i javës, kryeministri deklaroi se pavarësisë së mbikëqyrur po i vjen fundi e me këtë edhe fundi i kontrollit ndërkombëtar mbi Kosovën. Sipas tij, gati 90% e Pakos së presidentit Ahtisaari është zbatuar, ndërkaq institucionet e vendit po forcohen çdo ditë e më tepër.

Edhe po të ishte e vërtetë kjo deklaratë, do të ngrihej dilema nëse ky do të ishte lajmi i mirë apo i keq për Kosovën (“fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare”) – sepse nëse Kosova është kështu e varfër dhe e korruptuar me mbikëqyrjen ndërkombëtare, a thua çfarë do të ishte pa mbikëqyrje ndërkombëtare... dhe a do të ishte fare? Për këtë, mbase duhet kujtuar njëmbëdhjetë vjetët e fundit, e sidomos shkurtin e vitit 2008.

Sido që të jetë, pasi e tha këtë, kryeministri fillimisht doli në fushatë “pajtimi gjaqesh”, ngase së pari vizitoi kryetarin e porsazgjedhur të Odës Ekonomike e më pas shkoi ta vizitonte oponentin e këtij të parit, Kelmendin, i cili kishte akuzuar me ngulm se zgjedhja e Gërxhaliut ishte bërë në kundërshtim me statutin... Se çfarë do të kenë qenë rezultatet, nuk e di, por ajo që më ra në sy, qe protokolli paksa i përçudnuar – kur e vizitoi OEK-un, ishte i veshur me kostume e kravatë, kurse Gërxhaliu e priti pa kravatë. Te ELKOS-i shkoi i veshur “sportski”, përderisa Kelmendi e priti i veshur me kostume e kravatë... Po ia lë lexuesit të vlerësojë nëse kjo ka ndonjë relevancë apo jo. Por, gjestet dhe dukja shpesh thonë më shumë sesa premtimi se Qeveria do ta ndihmojë biznesin kosovar (pa specifikuar cilin).

E më pas “e priti” AAK-ja rivale, e cila e akuzoi se përfaqësuesit e Qeverisë së tij kishin mbajtur takime të fshehta me Serbinë dhe se për këtë kishte dëshmi... ani që nënkryetari i saj, Gjini, me shumë nervozë u përgjigj: “më vonë, më vonë, më vonë” (mbase për ata që kanë probleme me dëgjim) kur e pyetën për provat që kishte për ta mbështetur një akuzë kaq të rëndë. AAK-ja vendosi ta nisë telenovelën e re, e cila ende pa u shpalosur në kapitullin e dytë, tashmë ka marrë nota negative nga AKR-ja dhe u cilësua “qesharake” disi kalimthi nga kryeministri. Kjo parti ka premtuar se do “të dalë me fakte” javën që vjen, e që do të ishte mirë të ishin diç më tepër sesa një email i ndonjë dashamiri nga Evropa Perëndimore. E takimet eventuale me Serbinë nuk mund të jenë të lidhura për tjetër gjë e që nuk është veriu... apo mbase munden... mbase, dhe sërish mbase, këtë do të na e zbulojë AAK-ja, e cila rrezikon të humbë shumë, shumë nëse i ka hyrë kësaj pune si blof.

Por t’i kthehemi deklaratës së Thaçit në lidhje me Pakon e Ahtisaarit. Nuk e di se me cilin kandar është matur 90-përqindëshi i zbatimit të pakos. Kjo, teknikisht, për shkak se ky dokument nuk përmban edhe matricën e monitorimit me indikatorë, që do të përcaktonte me përpikëri përparimin e arritur. Pse thotë kryeministri 90 e jo ta zëmë 55, 72 a 99 për qind... Si mundet me aq shumë siguri të thotë kështu dhe pse, sipas tij, ato gjëra që nuk janë zbatuar nga plani në fakt e përbëjnë dhjetëpërqindëshin e dokumentit. Një shikim sipërfaqësor i obligimeve të dala nga dokumenti zbulon, për shembull, se: autoritetet e Serbisë duhet të kërkojnë pëlqimin nga Ministria e Arsimit e Kosovës për t’i përdorur planprogramet mësimore të atij shteti në Kosovë – kjo nuk ndodh; Komunat me shumicë serbe kanë të drejtë të marrin ndihma financiare nga Serbia nëpërmjet një banke komerciale të certifikuar nga BQK-ja e që ato mjete të raportohen në Thesar – a ndodh kjo? E dyshoj shumë; është dashur të themelohen komuna e Mitrovicës veriore dhe Këshilli i përbashkët 11-anëtarësh, pas periudhës transitore 120-ditore -- pakoja është fuqizuar me Kushtetutë ka dy vjet, as komunë, e as Këshill nuk ka. Ka problem dhe shumë serioz; Një vit pas hyrjes në fuqi të këtij dokumenti, është dashur të organizohej regjistrimi i popullatës -- regjistrimin e fundit zyrtar që e mbaj unë mend është ai i para njëzet e nëntë vjetësh; Sistemi gjyqësor është dashur të kompletohej me procedurë relativisht të shpejtë - gjykatësit janë propozuar nga Këshilli gjyqësor udhëhequr nga tre avokatë me konflikt interesi dhe në kundërshtim me ligjin. Pronësia dhe statusi i ndërmarrjeve shoqërore plus pagesa e 20-përqindëshit punëtorëve të ndërmarrjeve të shitura – shembull eklatant është Pallati i Shtypit dhe investimi prej 15 milionësh në objektin, pronar i të cilit nuk është Qeveria, plus paratë e njëzetpërqindëshit ende nuk u janë paguar të gjithëve që është dashur, plus kalimi me votim të dyshimtë i strategjisë për privatizimin e PTK-së në Kuvend...; Kosova është dashur ta themelonte AKI-në – e ka themeluar në letër dhe e ka emëruar shefin e AKI-së, për të cilin thonë se i ka nja tre-katër të punësuar; Agjenda legjislative e njëqind ligjeve është miratuar për tre muaj – ligje që nuk ka arritur t’i lexojë askush nga deputetët që i kanë votuar, në një proces absolutisht jodemokratik dhe të dëmshëm, ngase janë miratuar ligje që kanë nevojë urgjente për revidim. Si për shembull, Ligji për zgjedhjet, edhe për pasojë të mangësive të të cilit, zgjedhjet e para lokale shkuan deri në katër raunde...

Po ndalem, sepse dokumenti i ka gjashtëdhjetë faqe dhe them se nuk kam kandar për ta vlerësuar përqindjen e realizimit të Pakos. Por është mjaft indikative deklarata në lidhje me nevojën për largimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare, përkatësisht kontrollit ndërkombëtar, siç do ta quante kryeministri. Nëse ka menduar në UNMIK-un, nuk kam se si të pajtohem më shumë. Por esenca është se UNMIK-u nuk bën as mbikëqyrje e as kontroll ndërkombëtar që nga transferimi i kompetencave te ICO-ja dhe EULEX-i. E nëse ka menduar në nevojën e largimit të ICO-së dhe EULEX-it, atëherë këtu do të kishim një mospajtim. Për arsyen shumë të thjeshtë se, me gjithë ngathtësinë e vet, EULEX-i ka mbetur shpresa e vetme për Kosovën që të përjetojë të shohë arrestimin dhe largimin nga postet publike të njerëzve thellësisht të dyshuar për korrupsion, pavarësisht pozicionimit politik. Nëse ka menduar në ndikimin politik të diplomatëve dhe politikanëve të huaj në Kosovë, aty jam e sigurt se Kosova nuk do të lirohet kurrë nga ky lloj kontrolli, përderisa të ketë këso udhëheqje dhe përderisa varet shumë, shumë nga përkrahja e shteteve të mëdha që vazhdojnë të lobojnë për pavarësinë e Kosovës. Përderisa kemi kryeministër, i cili thotë se rezultati në GJND është meritë e institucioneve të Kosovës... duke ua hëngër hakun atyre që na nxorën përpara edhe kësaj radhe.

Mbase javën tjetër do të marrim vesh nga AAK-ja seç po ndodh me bisedime apo jo... dhe shumë po shpresoj që të jetë blof i kësaj partie. Po shpresoj se tashmë nuk kanë nisur bisedimet për tirolizimin e Mitrovicës, që çon drejt shkeljes së Kushtetutës dhe ndryshimit të sistemit të brishtë politik që kemi. Që me gjasë është pasojë e moszbatimit të atij 10- përqindëshi të Planit të Ahtisaarit, apo jo?

flaka@koha.net

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›