E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monitorimi, ajri dhe uji në vendin tonë, të pastër



MMPAU prezanton rezultatet e raportit të mjedisit

Shqipëria, e 25-ta ndër 140 vende të monitoruara në botë

Mjedis i shëndetshëm, me ajër dhe ujë të pastër në të gjithë vendin tonë. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave ka prezantuar dje konkluzionet e Raportit të Gjendjes së Mjedisit për periudhën trevjeçare 2005, 2006 dhe 2007. Ky raport u realizua nga Rrjeti i Agjencive të Mjedisit në nivel qarku dhe qendror, si dhe nga institucionet shkencore të kontraktuara dhe të financuara nga MMPAU.

Raporti

Gjatë një konference për shtyp, ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Lufter Xhuveli, tha se "nga matjet në vend dhe grumbullimi i të dhënave të monitorimit të komponentëve mjedisorë për periudhën 3-vjeçare, si dhe duke u nisur nga raportet e institucioneve ndërkombëtare mjedisore, Shqipëria u rendit sipas EPI (Indeksit të Performancës Mjedisore) vendi i 25-të, ndër 140 vende të monitoruara në botë, me një mjedis të shëndetshëm dhe të pastër". Sipas ministrit Xhuveli, monitorimet për cilësinë e ajrit, një ndër komponentët e monitoruar, janë shtrirë në zonat urbane më të populluara si në Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër, Korçë, por dhe zona të tjera të vendit, në 15 stacione për 6 indikatorët më kryesorë të cilësisë së ajrit.

Në bazë të të dhënave të monitorimit, ajri urban rezulton i pastër për 4 treguesit SO2, (dioksid squfuri), NO2, (dioksid azoti), O3, (ozoni) dhe Pb, (plumbi), të cilët janë brenda normave të lejuara të standardit shqiptar dhe të Bashkimit Evropian. "Përmbajtja e pluhurave në ajrin urban PM10 (grimcat nën 10 mikron), dhe LNP (lëndët e ngurta pezull), në vitet 2006-2007 paraqiten në përmirësim në krahasim me vitin 2005, ku 2 stacione rezultojnë brenda normave të lejuara të standardit shqiptar, në 3 stacione LNP është brenda normës së lejuar dhe PM10 i është afruar normës së standardit shqiptar", - tha zoti Xhuveli, sipas të cilit, në stacionet e tjera përmbajtja e pluhurit kalon normën e lejuar, por vihet re tendenca në ulje e përmbajtjes së tyre.

Për sa i përket ajrit në të gjitha zonat e tjera të Shqipërisë, nga Saranda e Gjirokastra e deri në Dibër e Kukës etj., ajri rezulton i pastër për të gjithë treguesit e cilësisë.

Ministri Xhuveli u shpreh më tej se "të dhënat e inventarit të gazeve me efekt serë (GES), tregojnë se çlirimi total neto i gazeve me efekt sere për periudhën raportuese është 8.5 milionë ton në vit CO2 gaz karbonik, sasi që e rendit Shqipërinë në vendet me ndotjen më të ulët, krahasuar me vendet e tjera evropiane".

Sipas tij, monitorimi i radonit në ajër dhe ambiente të brendshme, në tokë dhe ujë të pijshëm tregon se në të gjitha zonat e vendit të monitoruara përmbajtja e radonit është në vlerat e lejuara.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›