Pas kuintave të vejushës
Dalja në publik, në një emision special, e vejushës së diktatorit shqiptar, Hoxha, ka hapur një debat ku po përfshihen gradualisht shumë palë. Duket se debati po orientohet qëllimisht në diskutimet rreth atyre çfarë tha apo nuk tha bashkë autorja e megakrimit komunist, gjë që duket se ka qenë edhe qëllimi i daljes publike të saj. Fenomeni në fjalë e do një diskutim e debat, por në epiqendër nuk mund të jetë kurrsesi vejusha, por qëllimi dhe efektet e publicitetit që po i bëhet asaj dhe krejt diktaturës nga mediat. Askush nga mediat në vendet më demokratike të botës nuk do të guxonte ta bënte një gjë të tillë, pasi do të përballej me pasoja të rrepta ligjore e morale. Për ta konkretizuar këtë, do të mundohem të sjell në kujtesën e lexuesve dhe sidomos të kolegëve të mi gazetarë rastin e gazetares dhe shkrimtares së të njohur gjermane, Eva Herman, që u pushua nga puna në kanalin e parë të televizionit publik gjerman, ARD, ku kishte rreth 20 vjet që punonte. Eva Herman u pushua nga puna menjëherë pasi gjatë një emisioni promovimi të një libri të saj shprehu një gjykim personal për familjen naziste. Ajo u pushuan nga puna më 9 shtator 2007, pasi kishte thënë: “... Nazizmi ishte një periudhë e tmerrshme, me një lider të marrë e të rrezikshëm, i cili e çoi vendin e gjermanëve në shkatërrim, por, në të njëjtën kohë, kishte pasur dhe diçka të mirë, në vlerat e familjes, në të jetuarit së bashku”. Për këtë thënie në librin e saj sociologjik “Arka e Noes”, ajo jo vetëm u pushua, por u përball me opinionin negativ të rretheve kulturore politike e gazetareske të mbarë Gjermanisë, edhe pse nazizmi kishte 60 vjet që nuk ekzistonte më. E solla këtë shembull për të kuptuar se sa vështirë është në vendet e shoqëritë demokratike të guxosh të shprehesh publikisht qoftë edhe një mendim personal pozitiv për diktaturat, e jo t’u mundësosh autorëve të krimeve të tyre, hapësira të tilla mediatike siç po ndodh në Shqipëri. Pikërisht duke u mbështetur në këto parime të botës demokratike që po përpiqemi t’i bashkohemi, këmbëngul që opinioni publik dhe debati të orientohen kundër atyre që mundësojnë paraqitjet publike, përgjegjësve të tragjedisë më të madhe në historinë e popullit tonë. Çdo justifikim profesional është i pavlefshëm në rastin në fjalë, pasi në të keqen më të vogël përbën një provokim për shumicën e shqiptarëve viktima të diktaturës, që vejusha u mundua ta mbronte publikisht. Ka emisione në mediat publike për diktaturat dhe diktatorët, madje edhe me dëshmi të autorëve të krimeve, por ato trajtohen si histori kriminale, ku gazetarët dhe producentët sqarojnë publikun, duke i vënë përballë realitetin, gjë që nuk ndodhi në rastin e vejushës. Provokimi që u bëhet viktimave të diktaturës nga emisioni në fjalë nuk mund të shihet si përgjegjësi e një njeriu të zhytur në krime, por pa dyshim është përgjegjësi morale, profesionale e qytetare e atyre që e mundësuan një provokim nga më të ndyrët në mediat shqiptare postkomuniste. Nuk mund të pretendohet kurrsesi një rastësi një ndërmarrje e tillë mediatike, pa dyshim ka një paraprije politike që, sipas meje, synon të pamundurën, rehabilitimin e diktatorit. Në këtë kontekst duket se edhe debati po orientohet drejt diktaturës, ku artificialisht po krijohen dy palë, diktuar dhe të përndjekurit prej saj, duke pasur në koshiencën e publikut një realitet virtual sa të pavërtetë, aq edhe të rrezikshëm. Viktima të diktaturës ne Shqipëri ishte më shumë se 90 % e popullsisë, të përndjekurit ishin pjesa më e përvuajtur e saj. A nuk ishim të gjithë të izoluar, pa liritë dhe të drejtat themelore fjalën, lëvizjen, zgjedhjet etj. A nuk ishim të gjithë në mjerimin ekonomik? Me pak fjalë provokimi është shumë më i gjerë se ish-të përndjekurit. Të provokuar janë të gjithë shqiptaret që besojnë tek liria dhe demokracia. Më vjen keq në reagimin e shoqërisë sonë. Rasti në fjalë tregoi se nuk kemi kurajën e domosdoshme qytetare. Ku janë elitat, shkrimtarët, artistët, e ashtuquajtur shoqëria civile, Komiteti i Helsinkit dhe OJF-të. Ndaj së cilës shqiptarët duhet të reagojnë është diktatura, pasojat dhe kujtimi kriminal i saj.
Nuk është se pres ndonjë reagim të jashtëzakonshëm qytetar, por jam i detyruar të kujtoj ata që me të vërtetë i provokon një ngjarje e tille, se problemi nuk është mbeturina mjerane e diktaturës në ekran, por ata qëndrojnë pas kuintave, “profesionale”, financiare e politike të emisioneve të tilla, e thëne ndryshe, ata që qëndrojnë në pezhishkën e “vejushës se zezë”. Atje duhet përqendruar reagimi ynë, zemërimi ynë, revolta jonë.