E Diel, 1 Nëntor 2026

Monitorimi ajror kundër kultivimit të bimëve narkotike, Hita takim me komandantin e Guardia di Finanza-s

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita priti në një takim komandantin e Operacioneve Ajrore Detare të Guardia di Finanza-s, me fokus monitorimin ajror të territorit kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Delegacioni i lartë i Guardia di Finanza-s, i kryesuar nga komandanti i Operacioneve Ajrore Detare, gjeneral Divizioni Joselito Minuto, u prit nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, dhe drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit.

Gjatë takimit, Hita falënderoi përfaqësuesit e Guardia di Finanza-s për partneritetin e qëndrueshëm dhe theksoi se ky model bashkëpunimi ka tejkaluar prej kohësh kufijtë formalë të marrëdhënieve institucionale, duke u shndërruar në një shembull të konsoliduar besimi, mirëkuptimi dhe miqësie, që ka sjellë rezultate konkrete dhe shumë pozitive në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Nga ana e tij, gjeneral Divizioni Joselito Minuto rikonfirmoi angazhimin e Guardia di Finanza-s për intensifikimin e monitorimit ajror, nëpërmjet shtimit të fluturimeve dhe verifikimit të çdo koordinatë të raportuar si zonë me risk për kultivimin e bimëve narkotike.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›