Monitorimi i TV për fushatën, në rrezik, Kuvendi nuk ka zgjedhur anëtarët e AMA-s
Zgjedhjet
Kryekomisionerja Lleshi, pakt me kryetaren e KKRT-së e vjetër, Bushati
Opozita - Partia Socialiste ka kërkuar që të zgjedhë sa më shpejt anëtarët e rinj të dy institucioneve kryesore, AMA dhe të KD së RTVSH-së
Bordi - AMA duhet ti vërë në dispozicion logjistikën e saj Bordit të Monitorimit që do të krijohet pranë KQZ-së për monitorimin e fushatës elektorale
Regjistrimi - AMA do të bëjë regjistrimin e programeve për 15 operatorë televizivë dhe në mënyrë analoge për 2 operatorë radiofonikë
Bushati - Endira Bushati do të firmosë këtë marrëveshje, por asaj i ka mbaruar mandati, pasi ligji i ri parashikon zgjedhjen e anëtarëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të diskutojë në mbledhjen e sotme një marrëveshje me Këshillin Kombëtar të Radiotelevizionit, e pagëzuar tashmë me ligjin me emrin AMA. Kjo është një praktikë e njohur e KQZ-së, e cila sa herë ka zgjedhje nënshkruan një marrëveshje për të monitoruar mënyrën se si televizionet publike respektojnë ligjin zgjedhor për pasqyrim të fushatës së partive politike. Marrëveshja mes dy institucioneve përbëhet nga 6 nene dhe ka për qëllim të parashikojë rregullat, mënyrën dhe afatet e shfrytëzimit të kapaciteteve teknike të AMA-s për nevojat e monitorimit. Projektmarrëveshja parashikon dhe të drejtat dhe detyrimet respektive që do të kenë të dyja palët në kuadrin e monitorimit të fushatës zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin 2013. KQZ-ja bën të ditur se në hartimin e projektmarrëveshjes është marrë dhe mendimi i ekspertëve të AMA-s. Sipas këtij drafti parashikohet se Autoriteti i Mediave Audiovizive merr përsipër: a. Të vendosë në dispozicion të Bordit të Monitorimit të Medias (BMM), studion e monitorimit me pajisjet teknike për monitorim, si dhe personelin teknik dhe monitorues përkatës; b. Të vërë në dispozicion të BMM, ambiente të mjaftueshme për kryerjen e monitorimit dhe c. Të bëjë regjistrimin e programeve në mënyrë dixhitale për 15 (pesëmbëdhjetë) operatorë televizivë dhe në mënyrë analoge për 2 (dy) operatorë radiofonikë. Për regjistrimin e programeve të transmetuara nga operatorët radiotelevizivë vendorë të bëjë regjistrime me sondazhe. Por problemi qëndron se KQZ-ja ka parashikuar të nënshkruajë marrëveshjen me kreun e KKRT-së, Endira Bushati, së cilës i ka mbaruar mandati. Ligji i Medias Audiovizuale parashikon zgjedhjen e anëtarëve të rinj. Por që të realizohet kjo gjë, duhet të angazhohet Kuvendi, i cili është në prag të skadimit të mandatit. PS ka bërë thirrje që të zgjidhen sa më parë anëtarët e rinj jo të vetëm të AMA-s, por edhe të KD-së së RTVSH-së. Nëse këta anëtarë nuk zgjidhen, atëherë i bie që pakti i KQZ me KKRT-në e vjetër të jetë nul juridik dhe i pazbatueshëm.
Monitorimi i TV për fushatën, në rrezik, Kuvendi nuk ka zgjedhur anëtarët e AMA-s burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email