Monitorimi i komisioneve bankare, me porosi nga BE-ja
Monitorimi i veprimeve bankare sa u takon komisioneve për shërbime të ndryshme po kryhet nga Autoriteti i Konkurrencës me porosi të Bashkimit Europian. Pikërisht metodologjia që po ndiqet për monitorimin e tregut bankar është marrë nga BE-ja, e cila synon vëzhgimin nga afër të sektorit financiar në vend. Pas rasteve të shumta të rritjes së komisioneve bankare në mënyrë jo transparente, duke marrë edhe rekomandimin e Kuvendit të Shqipërisë, Autoriteti i Konkurrencës nisi vëzhgimin e tregut që në mesin e vitit 2009. “Dua të theksoj faktin se nuk po bëjmë hetim, por monitorim të tregut, në bazë të rekomandimeve të dhëna nga BE-ja, në mënyrë që sektori bankar të jetë sa më transparent”, tha për “Shqip” kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati (Milo). Tendenca e rritjes së komisioneve bankare u vu re në verën e vitit të kaluar, kur klientët u gjendën para një fakti të kryer, pa u paralajmëruar. Shqetësimi i BE-së në këtë rast, e cila ia ka transmetuar edhe Autoritetit të Konkurrencës, mbetet mungesa e transparencës nga bankat, gjë që mund të shkaktojë reagime të forta nga konsumatorët.
Po dje, Autoriteti paraqiti para anëtarëve të Komisionit të Ekonomisë raportin vjetor 2009, ku mes të tjerave u diskutua gjerë çështja e gjobave të pavjela, që në total e kapërcejnë nivelin e 7 milionë dollarëve. “Nuk ka të bëjë me mungesën e bashkëpunimit, por me aspektin ligjor”, tha Milo në komision.
Viti 2009 ka shënuar një rritje të rasteve të hetuara nga Autoriteti i Konkurrencës në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Gjatë këtij viti, Autoriteti aplikoi një platformë më atraktive për të rritur ndjeshmërinë e komunitetit të biznesit për një bashkëpunim më real me Autoritetin në funksion të respektimit të rregullave të ekonomisë së lirë të tregut nga të gjithë operatorët. Kjo taktikë ka çuar në rritjen e numrit të ankesave nga operatorët e tregut dhe konsumatorët në tregjet e komunikimit elektronik (2 raste), tregu farmaceutik, tregu i energjisë, tregu i profesioneve të lira, si dhe tregu i sigurimeve.
#