Shqipëri, Kosovë, kurrikula të përbashkëta
Bashkëpunim në fushën e kurrikulave në sistemin parauniversitar dhe atë universitar për shkëmbimin e nxënësve, studentëve dhe profesorëve. Bashkëpunim më i ngushtë i projekteve të përbashkëta të kërkimit shkencor dhe inovacionit në fushën e nëntokës, shkencave albanologjike, mjedisit etj. Janë këto disa nga pikat kryesore në të cilat mbështet marrëveshja 5-vjeçare për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të shkencës. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj dhe homologu i tij kosovar, Enver Hoxhaj. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë. Së bashku me delegacionin që e shoqëron, ministri Hoxhaj e filloi vizitën e tij nga Korça. Të dyja delegacionet u takuan te Mësonjëtorja dhe vijuan me takime me mësues dhe pedagogë të Korçës. Ndërsa dje pas bisedimeve zyrtare u nënshkrua marrëveshja që synon të intensifikojë dhe të garantojë bashkëpunimin bilateral midis dy vendeve mbi bazën e realizimit të objektivave të përbashkëta për arritjet e standardeve në fushën e arsimit. Kjo marrëveshje do të sigurojë mbështetje për Universitetin e Prizrenit me staf akademik dhe hartimin e kurrikulave. Marrëveshja parashikon hartimin e diplomave të përbashkëta sipas standardeve të Bashkimit Europian si dhe mbështetje për studentët e doktoraturës, duke shtuar numrin e kuotave për studentët nga Kosova.
Intensifikimi i bashkëpunimit qeveritar, duke zhvilluar politika arsimore brenda kornizës europiane do t’i shërbejë objektivave të përbashkëta në fushën e arsimit dhe të shkencës, u shprehën të dy ministrat.
Ministri Hoxhaj dhe delegacioni që e shoqëron pati takime me Kryeministrin Sali Berisha dhe më pas një takim në Presidencë me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Takimet e paradites së djeshme u mbyllën me një vizitë në shkollën 9-vjeçare “Sadik Stavileci” në Kashar, gjatë së cilës u bë dhe binjakëzimi me shkollën “Gjon Buzuku” të Prizrenit.
#