Monitorimi ndaj kultivimit të narkotikëve, Hita pret delegacionin e Guardia di Finanza-s: Rezultate konkrete në luftën kundër drogës
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, priti sot delegacionin e lartë të Guardia di Finanza-s, të kryesuar nga Komandanti i Operacioneve Ajrore Detare, Gjeneral Divizioni Joselito Minuto.
Gjatë takimit, Hita falënderoi përfaqësuesit e Guardia di Finanza-s për partneritetin e qëndrueshëm dhe theksoi se ky model bashkëpunimi ka tejkaluar prej kohësh kufijtë formalë të marrëdhënieve institucionale. Ai e cilësoi atë si një shembull të konsoliduar besimi, mirëkuptimi dhe miqësie, që ka sjellë rezultate konkrete dhe shumë pozitive në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Nga ana e tij, Gjeneral Divizioni Joselito Minuto rikonfirmoi angazhimin e Guardia di Finanza-s për intensifikimin e monitorimit ajror.
“Delegacioni i lartë i Guardia di Finanza-s, i kryesuar nga Komandanti i Operacioneve Ajrore Detare, Gjeneral Divizioni Joselito Minuto, u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, dhe drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm Drejtues Madhor Skender Hita falënderoi përfaqësuesit e Guardia di Finanza-s për partneritetin e qëndrueshëm dhe theksoi se ky model bashkëpunimi ka tejkaluar prej kohësh kufijtë formalë të marrëdhënieve institucionale, duke u shndërruar në një shembull të konsoliduar besimi, mirëkuptimi dhe miqësie, që ka sjellë rezultate konkrete dhe shumë pozitive në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Ai nënvizoi se do të shtohet numri i fluturimeve dhe do të verifikohet çdo koordinatë e raportuar si zonë me risk për kultivimin e bimëve narkotike.
Takimi u zhvillua në prani të drejtuesve të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit dhe rikonfirmon vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë mes dy institucioneve në fushën e luftës kundër kriminalitetit.
/rtsh.al/