Monografi që flet për jetën kulturore në Ferizaj

Në këtë libër monografik kanë zënë vend, portretet e tre brezave të aktorëve ferizajas që e mbajtën të pashuar fjalën shqipe në skenën e teatrit të Ferizajt, por edhe matriale tjera që flasin për veprimtarinë e bujshme të SHKA "Mustafa Bakija", Festivalin e Teatrove, Festivalin "Kosovarja këndon", rrjetin bibliotekar të Ferizajt, e shumë klubeve e institucioneve tjera të kulturës.
Redaktori i librit, Zenun Rexhepi ka thënë se autori Shukri Hoxha shkrimit të kësaj monografie iu qas në moshë të shtyrë dhe me shëndet të dobësuar, duke jetuar me brengat e mëdha të viteve 90-ta, për të lënë për breza një libër me plot fakte për ngjarjet e kohës që lidhen me teatrin dhe Festivalin e Teatrove dhe personalitete që i dhanë vrull zhvillimit të këtyre vlerave kombëtare.
Për vlerat e kësaj monografie ka folur recensenti, Esat Kamberi. Ai ka thënë ndër tjerash se "referencat e nxjerra nga dokumentet arkivore për aktivitete e zhvilluara në lëmin e kulturës dhe artit, bisedat e zhvilluara, shënimet e mbledhura dhe të ruajtura për një kohë të gjatë për tërë atë që ishte ndodhur në Ferizaj për gjashtë dekada, bënë të mundshme që të krijohet kjo monografi me vlerë të veçantë për kulturën dhe artin në Ferizaj".
Një fjalë rasti në këtë promovim dhe njëherësh tubim përkujtues kanë mbajtur edhe profesor Tefik Ajvazi, Selim Musliu-Berisha, Ibrahim Hyseni, Sadije Çarkaxhiu dhe gazetari ferizajas Rexhep Rifati./Kosovapress/