E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Monografia” e Alush Shimës promovohet në Prishtinë

Piktori bashkëkohor shqiptar Alush Shima shumicën e veprave të tij i krijoi fshehtas, në mes viteve 1965 - 1990. Mbi 500 piktura, nga rreth 5 mijë sa janë prodhuar në atë kohë, janë pjesë e monografisë për veprën e tij, të cilën artisti 70-vjeçar e ka shkruar vetë. Pas Tiranës, “Monografia” u promovua edhe në Prishtinë. Alush Shima është piktori i vetëm shqiptar, vepra e të cilit është shitur 1 milion dollarë. Ai hapi ekspozitën e parë menjëherë pas rënies së komunizmit në Shqipëri, 20 vjet më parë, që ishte voluminoze, saqë thuajse as sot nuk është tejkaluar, me mbi 220 vepra të ekspozuara. Një gazetar nga Londra, pasi e pa atë, e ftoi Shimën të hapte një ekspozitë në Britani të Madhe. Siç e do rendi i galerive të mëdha, drejtori i saj e shpërndan në gjithë botën koleksionin me 30 vepra që do të ekspozohen. 15 prej tyre u shitën menjëherë, ende pa u hapur ekspozita, ndërsa të 15 të tjerat u shitën në ditën e ekspozitës. Njëri që kishte blerë 6 vepra të Shimës, pak kohë më vonë tri prej tyre i shiti nga 178 mijë paund angleze. Një koleksionues tjetër nga Amerika e bleu një pikturë të Alushit për 17 mijë dollarë, e cila më vonë u shit për 1 milion dollarë, gjë që s’e ka arritur asnjë piktor tjetër shqiptar. Vetë piktori që ishte i pranishëm në promovimin e Monografisë së tij u shpreh: “Është një periudhë të cilën unë e kam jetuar, në një diktaturë ndër më të tmerrshmet që ka ekzistuar në botë, e cila vazhdoi për 46 vjet. Libri flet për krijimtarinë time nga viti 1965 deri më 1990. Janë përjetimet e mia direkte të marra nga natyra”- tha Shima, i cili është në përgatitje të vëllimit të dytë të “Monografisë” së tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›