E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Monopatet”, historia e njërit prej nesh…

Autori i Lajmit: Redaksia
Historia e njërit prej nesh të mbledhura në një personazh… I tillë vjen libri i Elira Bregut; faqe autobiografike për babain e saj, por me një mesazh universal: Që të falësh Dashuri, duhet të kesh Dashuri dhe që të kesh Dashuri duhet ta lejosh atë të hyjë lirshëm në dyert e mendjes, zemrës, dhe shpirtit tënd! I sapodalë në qarkullimi dhe që do të promovohet në datën 1 dhjetor, që përkon edhe me vdekjen e babait të saj, libri vjen si rrëfim i thjeshtë, por gjatë leximit e kupton që edhe ti je aty…

Njëri prej nesh…

Në historinë, apo më saktë në shënimet e Xhoit (personazhi), çdo njëri prej nesh mund të gjejë një copë të jetës së tij. Hollësi dhe pjesë kujtimesh nga diktatura, por edhe në demokraci, duket sikur janë mbledhur nga albumet e fshehura të shumë shqiptarëve, por që patën frikë ti pranojnë ato. Duke rrëshqitur ndër rreshtat e shkruar me aq dhimbje dhe dashuri, do të kuptosh aftësinë e mrekullueshme të një shpirti njerëzor që di të ruajë dhe të luftojë për besimet, virtytet dhe të vërtetat e tij. Është ndoshta nga të paktët njerëz që nëpërmjet një historie tronditëse dhe reale sjellë jo vetëm të vërtetat e një sistemi, por edhe ato të një shoqërie ku individi është një pjesë sa e rëndësishme, aq dhe e pavlerë. Në çdo kohë dhe shoqëri asgjë nuk është më e rëndësishme se dashuria dhe humanizmi - dy gjëra që i falën Xhoit grimcat e pakta të lumturisë së tij.

Rrëfimi i Elirës

Ka ditur të falë, edhe pse shumëkush ka dashur ta nxisë për të kundërtën. Autorja e librit, Elira Bregu, me gjithë dramën në familje në asnjë moment nuk ka kërkuar fajtorë, por vetëm është përpjekur që të kapë kohën, duke falur dhe marrë dashurinë që nuk mundi dot ta kishte për shumë vite. “Nuk kam pasur fatin të jetoja me tim atë, sepse prindërit e mi u ndanë ligjërisht kur unë dhe vëllai ishim në moshë tepër të vogël. Gjatë gjithë jetës takimet me babanë tonë kanë qenë të rralla dhe të shkurtra, çka bëri të mos njiheshim me jetën dhe karakterin e tij…”, thotë Elira. Vitet kalonin, ajo u bë nënë, arsye kjo, që i kultivonte etjen për tu njohur me jetën, karakterin dhe shpirtin e atij që i dhuroi jetën dhe që vetë jeta e kushtëzoi të jetonte apo të njihej me fëmijët e tij. “Shpesh herë mendoja, se ishte pikërisht sistemi diktatorial i asaj kohe shkaktari që na kishte privuar të drejtën e një jete normale pranë prindërve të mi, edhe pse të ndarë ligjërisht. Shumë më vonë kuptova se nuk ishte sistemi ai që na privoi nga kjo e drejtë njerëzore, ishin njerëzit dhe mentaliteti i tyre që më mohuan të drejtën të rritesha pranë prindërve të mi, për më tepër të mos njihja atë që më kishte sjellë në këtë jetë: tim atë. Ishte zgjedhja që ata kishin bërë, mënyra e të menduarit dhe të vepruarit të tyre”, rrëfen autorja e librit.

Dorëshkrimet

Ritakimi pas shumë vitesh me babain ka qenë një çast i lumtur për Elirën, por edhe tragjik pasi mori vesh për një sëmundje vdekjeprurëse të tij. Megjithatë, babai, Xhoi, kishte menduar gjatë gjithë kohës për Elirën… Ndër vite ai kishte hedhur plot shënime, të cilat iu dorëzuan Elirës pas vdekjes, përgjigjie që ajo ia kishte kërkuar gjithmonë, por që nuk i kishte marrë dot kurrë. “Qëndroja ulur në kolltukun e shtëpisë së tij si zakonisht sa herë që shkoja për ta takuar e biseduar me të, kur bashkëshortja e babait, Lavdia, me të cilën ai kaloi 30 vjetët e fundit të jetës së tij, mu afrua dhe më dha një dosje të trashë, brenda së cilës ndodheshin dorëshkrimet e tij.
- Janë për ty, Elira. Babi donte të ti jepja pikërisht sot.
Brenda këtyre letrave janë të gjitha ato që ti i kishe kërkuar dikur...”, tregon Elira.

Baballarët, heronj të jetës reale

Eksperiencë jetësore, kështu e përshkruan me një frazë të vetme jetën e babait të saj Elira, duke shtuar sejeta e tij ishte një trëndafil, gjembat e të cilit ishin njerëzit që rrethonin jetën e tij çdo ditë në shtëpi, në rrugë, në punë, madje edhe në burg. “Në këto dorëshkrime nuk gjeta historinë e jetës së ndonjë ministri të sistemit komunist Shqiptar, që ai me kolegët e tij ndërtoi dhe që me aq fanatizëm e mbronte. Babai im nuk ishte hero, nuk ishte as politikan, as artist apo historian, për të cilin mund të shkruheshin libra të tërë. Babai im, ishte banor dhe nënshtetas Shqiptar i cili jetoi tre sisteme të këtij shteti, Shqipërinë e viteve gjatë luftës së dytë botërore dhe pas saj, Shqipërinë e sistemit komunist, ose për të qenë më të qartë, të sistemit të “Partisë së Punës Shqiptare” si dhe demokracinë e shumë pritur. Nëse dikush sot më pyet se cili ishte babai im, unë do ti përgjigjesha: “Babai im ishte hero i jetës reale”. Jam krenare të ec në rrugën që babai im dhe shumë heronj të tjerë të jetës reale Shqiptare hapën”, thotë Elira. Dhe, në fakt ka të drejtë, baballarët tanë janë heronj…

Ky lajm është publikuar: 29/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›