E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet Kuvendi i PD, shkak axhenda e ngjeshur e Berishës

Autori i Lajmit: Redaksia
Kuvendi i Partisë Demokratike nuk do të mbahet më 12 dhjetor, por më 14 dhjetor. Lajmin e shtyrjes së Kuvendit e ka dhënë vetë kryeministri Sali Berisha gjatë një interviste, duke thënë vetëm se forumi i madh i PD-së do të shtyhet për shkak të axhendës së tij. Burime nga selia blu bëjnë të ditur se shkaku i vërtetë i shtyrjes është audienca që kryeministri Berisha do të ketë me Papa Benediktin e 16. Kryesia e Partisë Demokratike kishte vendosur të shtunën e 12 dhjetorit si ditën kur do të mblidhej kuvendi zgjedhor ku dhe do të votohet për njeriun që do të drejtojë demokratët. Ndërkohë, deri tani dihet se kreu aktual i PD-së, Sali Berisha, është i vetëm në këtë garë. Kuvendi do të zgjedhë Këshillin Kombëtar të kësaj force politike, nga i cili do të dalin dhe anëtarët e kryesisë si dhe postet kryesore të saj, 2 nënkryetarët dhe sekretarin e Përgjithshëm. Ende nuk dihet nëse demokratët do të vendosin në këtë Kuvend, nëse do të ndajnë apo jo poste partiake me ato në qeveri. Ndërkohë grupit i punës që po merret me organizimin nuk ka bërë publike ndryshimet statusore, por sipas zyrtareve të Partisë Demokratike, aty nuk do të jenë të përfshira ndarjet e posteve partiake nga postet qeveritare. Ndoshta, kjo do të jetë pika e vetme që mund të ngjallë debate në këtë Kuvend. Ideja e ndarjes së posteve ministrore nga ato partiake ka filluar të qarkullojë në Partinë Demokratike fill pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007. Deputetë të ndryshëm të PD-së deklaruan se shkak për humbjen në zgjedhje ishte mungesa e një organizimi të mirë të partisë. Sipas tyre, shkak për këtë u bë fakti që sekretarët e partisë ishin angazhuar më shumë me postin ministror, sesa me funksionin partiak. Deputetë të ndryshëm hodhën idenë e ndarjes së posteve ministrore nga ato partiake me qëllimin e funksionimit të partisë edhe gjatë viteve kur partia është në mazhorancë dhe drejton vendin. Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se miratimi i ndarjes së posteve do ti shërbente shumë partisë për shkak se do të kënaqeshin “orekset” e figurave të ndryshme të PD-së që kanë ambicie për pushtet. Kështu, kryeministri Berisha, përveç disa deputetëve kryesorë që u jep portofola ministrorë, kënaq edhe deputetë të tjerë, të cilët i angazhon me poste në parti. Ndërsa disa anëtarë të tjerë të PD-së mendojnë të kundërtën. Sipas tyre, është e rëndësishme që partinë ta drejtojnë figurat me peshë dhe që kanë eksperiencë pune. Por të tillë figura janë angazhuar në poste të rëndësishme qeveritare dhe në Kuvend, ndaj mbetet që kjo çështje të jetë objekt diskutimi në mbledhjen e strukturave të partisë. Do ti mbetet 14 dhjetorit për të zbuluar çdo të papritur të zgjedhjeve brenda selisë blu.

Ky lajm është publikuar: 29/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›