E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: “Qëndrimi i Ramës, për interesa personale”

Autori i Lajmit: Redaksia
Beteja politike mes mazhorancës dhe opozitës ka vijuar edhe në ditën e festës kombëtare. Ministri i Financave dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike ka shfrytëzuar mbledhjen e Kuvendit të PD-së në Pogradec për të akuzuar kryesocialistin Edi Rama se po punon kundër interesave të shqiptarëve. Bode ka përforcuar edhe një herë akuzat dhe fyerjet personale ndaj kryesocialistit të bëra dy ditë më parë dhe në seancën plenare të Parlamentit nga kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, njeriu që nuk ka mundur të ngrejë kurrë një familje për vete nuk mund të mirëkuptojë dhimbjen e mijëra familjeve shqiptare që jetojnë të ndara përgjysmë për shkak të pamundësisë për të lëvizur të lirë.

Deklarata

“Edvin Rama shikon familjet shqiptare kombin shqiptar thjesht si shërbëtorë të interesave të tij personale. Njeriu që nuk ka familje, njeriu që dhunon gruan në mënyrë publike, e zhvesh lakuriq nëpër plazhet e botës, njeriu që akuzon gruan e parë se fëmijën e vet e ka me të atin. Njeriu që ska mundur dot kurrë të ngrejë familje për veten e tij, nuk mund të mirëkuptojë, nuk mund të ndiejë dhimbjen e mijëra familjeve shqiptare të ndara përgjysmë dhe që një ditë kërkojnë të bashkohen të përafrohen me njëri-tjetrin”, - tha Bode dje, nga Pogradeci. Më tej ministri shtoi se Rama me çdo kusht, me çdo formë, me çdo mjet do të pengojë liberalizimin e vizave dhe integrimin e Shqipërisë. Kjo, sipas tij, sepse ata Shqipërinë e shohin si një feud të vetin. “Çdo e mirë e Shqipërisë duhet të vijë nëpërmjet tyre, dhe nga çdo e mirë e shqiptarëve ata duhet te nxjerrin përfitimet e tyre personale. Ky është thelbi i kësaj aleance mafioze-politike e cila në momentet më të mbara për Shqipërinë dhe shqiptarët kërkon me çdo kusht të bllokojë proceset e integrimit dhe liberalizimit të vizave përmes krijimit të një situate anormale politike, përmes përpjekjeve për të destabilizuar politikisht dhe nga pikëpamja sociale gjithë vendin”, - tha Bode. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së theksoi se mazhoranca është përpara një ultimatumi absurd. Sipas Bodes, ky ultimatum ka dy alternativa: revansh antikushtetues ose na dorëzoni pushtetin. “Ne fakt ne nuk kemi ndërmend të bëjmë as njërën dhe as tjetrën. Ne do të qeverisim në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ne do të vazhdojmë reformat e thella për të qenë të besueshëm për partnerët tanë evropianë”, - tha Bode. Ministri i Financave këto deklarata i bëri nga Pogradeci ku u zhvillua Kuvendi i PD-së të këtij rrethi, ku u bë analiza e zgjedhjeve të 28 Qershorit dhe zgjedhja e delegateve për në kongres. “Dega e PD-së Pogradec në zgjedhjet parlamentare të Qershorit rezultoi fituese, banorët e rrethit të Pogradecit votuan për integrimin e vendit në BE, liberalizimin e vizave dhe zhvillimin e shpejtë nëpërmjet investimeve të mëdha në këtë zone turistike”, - theksoi Bode. Qëndrimi i tij vjen dy ditë pas akuzave, por dhe fyerjeve të rënda personale që kryeministri Sali Berisha adresoi nga salla e Kuvendit në adresë të kryesocialistit Rama. Ky fjalor ka marrë menjëherë reagimin e Ramës, i cili e konsideroi Berishën si të sëmurë mendor, ndërkohë që pjesa tjetër e mazhorancës, si kryeparlamentarja Jozefina Topalli shprehu mbështetjen ndaj Kryeministrit.

Ky lajm është publikuar: 29/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›