Montanelli, anarkisti sui generis
Në Bibliotekën Kombëtare festohet përvjetori i njëqindtë i lindjes së Indro Montanellit. Duke marrë shkas nga kontributi i tij si gazetar mendimtar dhe historian, me idetë për botën shqiptare të viteve tridhjetë të shekullit të kaluar, ishte i ftuar edhe një nga autorët e biografisë së tij, Sandro Gerbi.
Ai mbajti konferencën "Montaneli në njëqindvjetorin e lindjes akoma hap diskutime".
U prezantua dhe ekspozita "Montaneli në shtypin shqiptar". Pastaj Gerbi dha këtë intervistë.
Zoti Gerbi, për herë të parë dëgjuam të përmendnit sot disa artikuj jo të njohur për lexuesin shqiptar të Montanellit, me temë ciganët shqiptarë. Çfarë janë këta artikuj?
Gjëja më e mirë që mund të bëj, sepse është diçka që e kam studiuar disa vjet më parë, është t'u lexoj ato pak radhë që kam shkruar së bashku me Raffaele Liucci-n në vëllimin e parë të biografisë së Montanelli, "Lo Stregone".
Kur Montanelli ishte në Shqipëri nga fundi i vitit 1938 deri në mars 1939, shkroi shumë artikuj, ndër të cilët edhe këto tetë artikuj për ciganët. Nga janari deri në shkurt 1939, janë botuar në faqet e "Corriere della Sera"-s.
Janë histori të magjishme, primitive, pa ato stereotipet folklorike të epokës. Tema e ciganit është shumë origjinale, janë shkruar me një dashamirësi dhe nuk ka të bëjë me "tonin fashist", po të kihet parasysh se, prej vitit 1926, qeveria fashiste ishte për dëbimin e ciganëve nga territori nacional. Do të ishte bukur që këta artikuj të botoheshin.
Ju ka folur ndonjëherë për Shqipërinë, për udhëtimet e tij këtu?
Të them të drejtën jo, sepse temat tona ishin të përcaktuara dhe unë nuk e kam intervistuar kurrë për këtë gjë.
Edhe pse ai i ka kushtuar dy libra vendit fqinj?
Në fakt vetëm një, sepse tjetri që përmendni ju, "Shqipëria e vjetër", sado që të gjithë e vendosin në bibliografi, ai libër nuk ekziston. Ka të ngjarë që të jetë një nga artikujt me këtë titull, botuar në revistën "Nuova archeologia", por libri nuk ekziston në asnjë bibliotekë.
Ju jeni sot në Tiranë për të ditëlindjen e Montanellit, të argumentoni pse ai vazhdon të jetë subjekt diskutimesh. Dhe mendoni se pas disa vitesh vetëm specialistët kanë për ta kujtuar.
Gazetarët jetojnë për aq kohë sa shkruajnë. Po kështu edhe kujtesa e njerëzve vlen për aq kohë sa i shohin dhe lexojnë. Një gazetar i madh, siç besoj se është rasti i Montanellit, pas disa vjetësh do të studiohet vetëm nga historianët e gazetarisë dhe nuk do jetë i njohur nga masa.
Sot është një emër shumë i njohur, sepse e lexojnë, sepse për të flitet akoma në televizion dhe sepse ishte një polemit.
Por fati i tij është, siç thoshte ai shpesh për veten, fati i të harruarit nga publiku i gjerë, por i studiuar ndërkaq nga specialistët, të cilët do duhet që për tema të caktuara të pyesin: Po Montanelli çfarë të ketë shkruar për këtë?
Si do ta përkufizonit temperamentin e tij?
Temperament të një njeriu kundrarrymë, qe njeri që kërkonte të gjente thelbin e polemikës tek gjërat.
Dhe ju thatë se ai arrinte të ishte i tillë pa lënë gjurmë korrigjimesh në dorëshkrimet apo shënimet, tregues i faktit se Montanelli i jepte rëndësi një procesi të mirëmenduar para se të shkruante.
Shkonte në parqet publike, shëtiste dhe ndërkaq mendonte për artikullin që duhej të shkruante. Dhe kur ishte gati, ulej në makinën e shkrimit. Sigurisht që ndërkohë nuk mund ta ndërpriste njeri dhe kështu artikulli rrëshkiste nga koka e tij pothuajse pa asnjë korrigjim.
Gjërat që ka shkruar me dorë janë fare pak, kryesisht ditarë, duke dhënë kështu shembuj mjaft të rrallë që nuk ekzistojnë më, sepse sot gazetarët i korrigjojnë menjëherë gabimet në kompjuter dhe nuk lënë gjurmë.
Përse e çmon publiku juaj këtë gazetar?
Para së gjithash pyesim: cili publik? E kanë vlerësuar si njeri që mendon me kokën e vet, si njeri i pavarur që shkruan qartë dhe shumë mirë krahasuar me gazetarë të tjerë, të cilët mundohen të thonë shumë gjëra njëherësh, sajojnë një sallatë ruse dhe nuk merret vesh ku duan të dalin, prandaj pëlqehet Montanelli.
Para se të kalonte dhe të themelonte "La Voce"-n, ai kishte punuar për njëzet vjet në gazetë dhe besonte se kishte krijuar tashmë një raport solid me lexuesin e tij, raport që duket se u kris.
"La Voce" nuk pati sukses, sepse për fat të keq, kishte lexues që ishin edhe më djathtas se ai. Ky është një interpretim i konsoliduar tashmë dhe jo interpretimi im origjinal, që të paktën lexuesit e fundit të Montanellit ishin më konservatorë se ai.
Teoria e Montanellit për gazetarinë e shprehur në dy mënyrat e të treguarit të të dhënave: unë isha atje dhe unë sajoj, unë krijoj. Në cilin nivel qëndron ai?
Këto janë raporte që ndonjëherë e kanë vënë edhe në vështirësi të mëdha, sepse ka shkruar sikur të ishte në një vend ku në të vërtetë nuk ka qenë. Kjo lloj teorie e ka çuar edhe drejt gabimeve të rënda.
Tani më vjen ndër mend një episod. Kur shkoi në Etiopi, në vitet 1935-36, pas dy muajsh u transferua në zyrën e shtypit të ushtrisë. Gjithë jetës, sikur të mos i kishte parë italianët që u bombarduan me gaz hibrid, diçka që ndalohej të përdorej sipas ligjeve të luftës, sepse shkaktonte plagë çnjerëzore, nuk reshti së kundërshtuari këto fakte dhune dhe mizorie.
Për tridhjetë vjet e ka kundërshtuar dhe fyer historianin Angelo del Boca, që ka shkruar disa libra për historinë e Etiopisë, historiani më i mirë italian për kolonializmin.
Dhe vetëm pas tridhjetë vjetësh, kur Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë nga arkivi dokumente dhe ka dëshmuar se nuk ishte ashtu siç besonte Montanelli, vetëm atëherë ka pranuar publikisht. Kështu, nga një anë i devijonte parimit të tij, më anë tjetër pati ndershmërinë të pranonte se kishte gabuar.
Pra, nga njëra anë gazetari që e do të vërtetën, që synon t'i qaset sa më shumë të jetë e mundur të vërtetës, ndërkohë që ai preferonte rrëfimin, efektin, çka është diçka tjetër nga ky zanati ynë.
Cili do të ishte, sipas jush, libri më i mirë i tij për t'u përkthyer në shqipe?
Librat e tij nuk janë libra që bien në sy, edhe ditari nuk do të ishte fort i përshtatshëm, sepse i referohet kryesisht politikës italiane. Ndoshta mund të fillohej me disa libra për historinë e Italisë, apo edhe të tjerë libra historikë.
Montanelli dhe televizioni. Si rrinë këta të dy?
Kishte një prezencë të fortë skenike. E kam parë DVD-në e fundit që po hidhet në qarkullim dhe ai gjithnjë është i dobishëm, i vërtetë.
Së fundi janë shfaqur edhe regjistrime të Montanellit në vitet pesëdhjetë, ku ai realizon portrete të disa artistëve...
Janë gjetur këto intervista me Alberto Moravian, Karlo Levin, Gutuzon, që janë efikase dhe zbavitëse.
Dhe sigurisht që ai kishte opinionet e tij kundër monopolit të televizionit. Pra, në karrierën e tij si gazetar, kemi përvojë të tijën personale në Tv dhe më pas gjykimin e tij mbi gjendjen e televizionit në Itali.
Me artikujt e tij, në shtyp sidomos, është shprehur kundër Berluskonit që donte të ngrinte një TV privat dhe nëpërmjet tij do të krijonte një tjetër monopol.
Montanelli kishte simpati për Berluskonin, përderisa ai e kishte lejuar të shprehej lirshëm në gazetë, të bënte ç'të donte.
E konsideronte sipërmarrës të zotin. "Il Giornale" pa Berluskonin do të kishte falimentuar, kështu që deri në njëfarë pike, ai ishte padroni efektiv, por një padron që nuk guxonte të shkonte kundër Montanellit.
Nga nëntëdhjeta e këtej, kur Berluskoni ka më shumë pushtet në media, raportet e tyre ndryshojnë dhe Montanelli shkruan një artikull që është i famshëm, "Separati in casa".
Keni ndonjë batutë për ta përkufizuar Indro Montanellin?
Ka diçka që më pëlqen prej tij dhe që e kemi përdorur për titullin e librit, "Anarchico borghese".
Ja çfarë thoshte ai: "Unë një anarkist sui generis. Nuk dua të turbulloj shtetin, jam për ligjin dhe rregullin, urrej lëvizjet dhe poteret dhe utopinë zhurmëmadhe.
Puna është se shtetin dhe institucionet, i përfaqësojnë personazhe që i njohim, dhe i provojnë të gjitha. Kështu, shteti bëhet pushtet. Dhe për pushtetin kam një alergji të thellë dhe të papërballueshme.
------------------------------------------------------------------------------------------------------
Montanelli, Guttuso dhe Moravia në Zenit
Në datë 24 prill, ora 20.00, Galeria Zenit organizon një mbrëmje me rastin e Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit.
Në bashkëpunim me Shpend Bengun është programuar të shfaqet një film-arkiv, ku personazhet Indro Montanelli, Renato Guttuso dhe Alberto Moravia, përmes bisedës trasgresive na shpallin edhe një aleancë mes librit, pikturës dhe gazetarisë.
Do të shoqërohet edhe me leximin e pamfletit, "Shpërthim i manierës", nga Moravia.