Operatori i katërt i telefonisë, Kuvendi e miraton pa opozitën
Në mungesë të opozitës, Kuvendi miratoi operatorin e katërt të telefonisë së lëvizshme. Kundër, deputetët e PBDNJ-së. Abstenon Ngjela
TIRANË- Denoncimi në media i skandalit të dhënies së licencës së operatorit të katërt të telefonisë së lëvizshme nuk ka ndikuar aspak tek mazhoranca, e cila, edhe pa praninë e opozitës, ka miratuar dje në seancë plenare kontratën, me anë të së cilës i jepet bashkimit të ofertuesve të përfaqësuar nga Postë Telekomunikacioni i Kosovës e drejta për të përdorur për 15 vjet brezin e frekuencave GSM dhe GSM 1800.
Kontrata e paraqitur në formën e një projektligji ka mundur të marrë 74 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim, ndërkohë që deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votim, pasi kishin braktisur më parë sallën e Kuvendit.
Debati
Para se të kalohej në votim, shumica dhe opozita janë përfshirë deri diku në një debat në distancë midis tyre për këtë çështje.
Kjo për vetë faktin se përfaqësuesit e opozitës kanë denoncuar si të dyshimtë dhënien e kësaj licence gjatë diskutimit në 60-minutëshin e çështjeve jashtë rendit të ditës, ndërsa mazhoranca ka preferuar të shprehë vlerësimin gjatë miratimit të saj.
Ka qenë kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, ajo që në emër të pakicës parlamentare e ka konsideruar si skandaloze të gjithë procedurën e ndjekur nga qeveria për përzgjedhjen e fituesit të kësaj licence.
Kjo jo vetëm për procedurat e ndjekura gjatë procesit tenderues, por edhe atyre të ndjekura gjatë miratimit të tij, si në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ashtu edhe në seancën plenare, ku mazhoranca ka futur në rendin e ditës dhe ka diskutuar pa praninë e opozitës një çështje kaq të rëndësishme.
"Në emër të Grupit Parlamentar të PS-së, ju e keni bërë Parlamentin të mjeruar. Kështu si e keni katandisur, nuk funksionon as komuna më e humbur e Shqipërisë, kur për vendime kaq të rëndësishme, siç ishte licenca për operatorin e katërt celular, një privatizim strategjik, diskutohet në një mbledhje pothuaj natën, pa prezencën e opozitës.
Ky është një veprim skandaloz, i bërë me ndërgjegje, kur dihej që opozita nuk merrte pjesë në komisione për arsye të kartave të identitetit. Nuk ka vend në botë që vendime të rëndësishme strategjike të merren pa kuorum e me vota të dyshimta", - tha Leskaj.
Berisha
Qëndrimi dhe dyshimet e ngritura nga opozita për këtë çështje në një 60-minutësh, duket se kanë detyruar Kryeministrin Berisha që të lërë angazhimet e tjera politike dhe të paraqitet me urgjencë në mes të seancës të seancës plenare, për të mbrojtur zgjidhjen e dhënë nga Ministria e Transporteve dhe Telekomunikacioneve.
Ashtu si një ditë më parë gjatë një konference për shtyp, edhe dje ai nuk ka nguruar që të akuzojë biznesmenë shqiptarë si nxitës të të gjithë sulmit mediatik që po i bëhet kësaj licence.
Ai ka mohuar të gjithë zërat për favorizim të pamerituar të bashkimit të ofertuesve fitues, pavarësisht se në dokumentacionin e paraqitur në media evidentohet qartë shkelja që është bërë në këtë proces, duke e shpallur fituesin pa një garë tenderuese.
"Në mënyrën më absolute nuk është bërë ndaj askujt, qoftë edhe lëshimi më i vogël. Ata që bëjnë zhurmën, ata kërkonin me çdo kusht që ne të përcaktonim 1 milion euro pragun e koncensionit", - u shpreh Kryeministri Berisha.
Më pas Kuvendi ka kaluar në votim, ku e gjithë shumica parlamentare, me përjashtim të dy deputetëve të PBDNJ-së, Spiro Peçi dhe Leonard Solisi, kanë votuar kundër.
Ndërsa deputeti demokrat, Spartak Ngjela, ka abstenuar, me argumentin se kontrata e sjellë për miratim ka probleme procedurale. Licenca e operatorit 4 iu dha pa tender ofertuesve të PTK-së, duke shkelur ligjin shqiptar, që propozon konkurrencë të ndershme në tender.
Një tender i zhvilluar në datën 20 shkurt për operatorin dështoi, pasi në garë u paraqitën vetëm 2 firma, ku njëra prej tyre nuk plotësoi kushtet.
Në tender paraqitën ofertën e tyre kompania kosovare PTK, e cila ofroi 7.2 milionë euro dhe kompania shqiptare Univers P.G, e cila ofroi 5 milionë euro.
Qeveria zgjodhi që licenca t'i jepet për 15 vjet PTK-së, pjesëmarrësit të vetëm të mbetur në tender, duke shkelur kështu rregullat e vendosura nga vetë ajo për një konkurs të ndershëm.