E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e mjekëve ul numrin e lindjeve

KAVAJË/ Pritja për ndërtimin e spitalit të ri ka sjellë edhe mosinvestim në problemet që ka shëndetësia

Spitali i ri duhet të kishte përfunduar në prill, por afatet për të janë shtyrë sërish dhe punimet janë ende pezull

KAVAJË - Të gjitha godinat që shërbejnë si qendra spitalore në qytetin e Kavajës janë tejet të amortizuara. Këtë e tregojnë vetë pamjet dhe kushtet që të ofrojnë qendra e këshillimit të grave, spitali, materniteti, poliklinika e specialiteteve etj.

Godinat e tyre janë tepër të vjetra dhe ndërtimi i spitalit të ri është i domosdoshëm. Shpresat e të gjithë mjekëve, specialistëve të ndryshëm dhe pacientëve janë drejtuar nga spitali i ri që, sipas drejtorit të Shëndetit Publik, Feim Kazazi, me rishtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve dhe pajisjen me mjetet përkatëse, do të mund të vihet në funksion vetëm vitin e ardhshëm.


Problemet


Në mungesë të këtij ambienti të ri spitalor që është menduar të jetë në parametrat bashkëkohorë të teknologjisë, qendrat spitalore të Kavajës nuk po pajisen më me pajisje të reja, mjekët që mungojnë nuk po zëvendësohen, shërbimi mbetet i pambuluar në këto drejtime. Kështu, salla e operacionit pranë maternitetit qëndron e mbyllur që prej vitit të kaluar, pasi nuk ka mjekë specialist anestezist dhe mjek reanimator.

Këtë e konfirmojnë si drejtori i Shëndetit Publik, Feim Kazazi, ashtu edhe drejtoresha e spitalit, Pranvera Bajaziti, dhe punonjësit e maternitetit. Mjeku Fadil Mehmeti tregon që numri i lindjeve është ulur shumë kohët e fundit.

"Mbyllja e sallës së operacionit ka krijuar ulje të ndjeshme të lindjeve në maternitetin e Kavajës nga afro 200 lindje në muaj, në 60 të tilla për tre muajt e parë të vitit 2009, pasi femrat janë të pasigurta të lindin këtu.

Ato kanë frikë se nëse procesi i lindjes pëson ndërlikime, ne nuk kemi asnjë mundësi ndërhyrjeje për operacion, kështu që rrezikohet jeta e tyre".

Nisur nga kushtet e pasigurta dhe mungesa e mjekëve, pjesa më e madhe e banorëve të Kavajës, i drejtohen qyteteve të tjera si Tirana e Durrësi për të kryer shërbimet që iu nevojiten, pasi nuk kanë besim se mund të gjejnë shërim në qendrat spitalore të qytetit. Kjo vjen si pasojë e mosinvestimit në fushën e mjekësisë në Kavajë deri në përfundim të spitalit të ri.


Vonesat


Qendra e re spitalore që po ndërtohet në qytetin e Kavajës ishte parashikuar në kontratën fillestare të përfundonte në 20 prill të këtij viti. Ndërkohë që punimet për ndërtimin e këtij të fundit kanë ecur me hove të ndryshme.

Në fillim pati problem me daljen në sipërfaqe të themeleve ku u deshën 6 muaj kohë, më pas u ndërpre puna për 3 muaj, pasi firma nuk paguante punëtorët, kushtet atmosferike u bënë një tjetër pengesë në ecurinë e punimeve, e kështu me radhë faktorë të tjerë që kanë mbetur mister. Për shkak të vonesave të pajustifikuara për opinionin publik, kontrata u shty për një afat tjetër që ishte data 20 qershor.

Ndërkohë, nga drejtori i Shëndetit Publik të Kavajës, Feim Kazazi, mësohet që ky afat është shtyrë për në shtator dhe se pajisja me mjetet e nevojshme për funksionim do të bëhet deri në muajin dhjetor. Spitali i ri është një nga projektet më të mëdha që po zbatohet në këtë qytet dhe më i rëndësishmi për nga funksioni që do të kryejë, sepse lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e popullatës.

Por se kur do të bëhet ndërtimi, pajisja me aparaturat përkatëse, me stafin e specializuar për çdo fushe të mjekësisë dhe pavionet që do të përmbajë ky spital, që pacientët të kenë mundësinë të vizitohen e kurohen në të, nuk dihet! Kjo enigmë nuk ka marrë ende një përgjigje të saktë, as nga zbatuesit e projektit, as nga drejtori i shëndetit publik, Feim Kazazi.

Ajo që mbetet për t'u theksuar është se deri në kohën kur ky institucion të bëhet funksional, banorët e rrethit të Kavajës do të sorollaten nëpër spitalet e qyteteve të tjera për të gjetur shërim.

Justifikimet


Por mesa duket nga ecuria e punimeve ky afat nuk do të jetë i mundur të përmbushet, pasi gjatë kësaj jave kompania që po zbaton projektin e qendrës spitalore, ka ndërprerë sërish punimet.

Këtë herë shkak është bërë hapja e kanalit për derdhjen e ujërave të bardha, i cili kalon nëpër tokat e banorëve të komunës Synej, ku, sipas përfaqësuesve të firmës zbatuese, nuk janë lejuar të kryejnë punimet mbi sipërfaqen e tokës ku duhet të kalojë ky tubacion, që lidhet pastaj me rrjetin kryesor që është pranë autostradës.

Mirëpo, vetë kryetari i kësaj komune, Përparim Caca, është shprehur "pengesa apo problemi nuk qëndron as tek komuna dhe as tek banorët e saj, pasi përfaqësuesit e firmës ndërtuese nuk janë paraqitur pranë tyre për t'iu bërë të ditur projektin se ku kalon ky tubacion dhe se çfarë pasojash mund të ketë kalimi i tij nëpër tokat e 5 familjeve".


Takimi midis kryetarit Caca, familjeve ku do të kalojë tubacioni dhe inxhinierit të firmës ishte planifikuar të zhvillohej pardje në mesditë, por ky i fundit nuk është paraqitur në takim.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›