Rumania komuniste? Akull e ftohtë
Intervista / Maia Morgenstern, aktorja rumune para interpretimit të shkëlqyer, dje në mbrëmje, në skenën e Teatrit Kombëtar, dha një intervistë për "Shekulli"-n.
Fillimet e karrierës në një vend ku mungonte liria dhe dalja në skenën ndërkombëtare, me role si Maria, tek "Mundimet e Krishtit".
Për xhirimet me regjisorin Mel Gibson, aktorja tregon: "Isha shtatzënë dhe kisha komplekse"
Maia Morgenstern, më e njohura aktore rumune në botë për rolin e Marisë së Virgjër tek "Mundimet e Krishtit" të Mel Gibsonit, në prezantim e saj të parë me publikun shqiptar, dha një interpretim dhe shkëlqyer.
Në baladën e vëllait të vdekur, përshtatur për skenë nga regjisori grek Sotiris Haxaqis, ajo ka qenë një nga tre pamjet e nënës së Kostandinit dhe Dhoqinës, përkrah dy aktoreve, Maria Kaciadhaqi dhe Margarita Xhepa.
Por, nëna e Morgenstern-it ishte nënvetëdija e nënës, ajo pjesë e trupit të njeriut që i lejohet të mallkojë, të shohë ëndrra të përbindshme, të çjerrë trupin e të thërrasë vdekjen.
Maia Morgenstern dukej mbrëmë sikur edhe vizualisht të kishte dalë nga "Britma" e Edvard Munch-it.
Para premierës në Tiranë, ajo dha një intervistë për "Shekulli"-n, për fillimet e karrierës në një vend ku mungonte liria, deri tek dalja në skenën ndërkombëtare.
Mirëserdhët në Shqipëri Maia! Duhet të jetë vizita juaj e parë, apo jo?
Po dhe ky vend më ka bërë shumë përshtypje. Jam vërtet e emocionuar.
E emocionuar nga çfarë?
Së pari nga natyra. Unë erdha me aeroplan dhe ndoshta vetëm tani arrij ta kuptoj se çfarë do të thotë Ballkan. Sigurisht që edhe ne në Rumani kemi male, sigurisht që unë kam parë male, por gjithë natyra e Shqipërisë më bëri shumë përshtypje. Aty më duket se gjen kuptim ideja e të qenit ballkanas.
Para se të vinit këtu, ju keni takuar pak Shqipëri nëpërmjet aktores Margarita Xhepa. Ajo është edhe shqiptarja e parë që njihni nga afër.
Po edhe jo. Sepse nuk mund të lë pa përmendur Viktor Eftimiun, shkrimtarin tonë të dashur, që është njëherësh po aq i dashur edhe për ju, sepse ka origjinën tuaj. Eftimiu i përket teatrit, letërsisë së madhe, universale. Po sigurisht, aktorët e parë që njoha ishin Margarita Xhepa dhe Karafil Shena. Kemi kaluar një kohë të mirë në Greqi, duke punuar për këtë baladë...
...ku ju jeni një nga tre nënat. Ku ndryshon portreti i nënës suaj nga ai që realizon Margarita Xhepa?
Është e mrekullueshme ideja e të pasurit në skenë tri nëna të ndryshme, sepse, në njëfarë mënyre, edhe zemra njerëzore, shpirti i një nëne, është shumë kompleks, si një diamant që ka shumë pamje. Është bukur që jemi të tria bashkë për të shprehur secila në mënyrën e saj, dashurinë, dëshpërimin, vajtimin, vdekjen...
Të kthehemi pak mbrapa, më 1992-shin, vit i rëndësishëm në karrierën tuaj. Ju interpretoni Nelën, rolin kryesor në filmin rumun "Balanta" dhe Akademia Evropiane e Filmit ju vlerëson si aktorja më e mirë.
"The oak", titulli ndërkombëtar i filmit të Lucian Pintilie, është shumë i rëndësishëm, sepse në një farë mënyre më hapi dyert dhe dritaret e kinemasë ndërkombëtare.
Para kësaj, para se në Rumani dhe vende të tjera komunizmi të binte fare, si ishte karriera juaj?
Punoja shumë, por nuk udhëtoja dhe aq. Ideja e të punuarit në teatër, rolet, situatat në të cilat ndodhesha, ishin shumë të komplikuara. Kisha këtë idenë e dinjitetit që më ka udhëhequr gjithnjë në jetë, para dhe pas rënies së komunizmit apo jo komunizmit.
Mendoj që teatri është një vend ku njerëzit kërkojnë kulturën, një oaze ku ata mund të ëndërrojnë, të arratisen në një botë tjetër, në imagjinatë, në një botë dinjiteti, komedi apo edhe tragjedi qoftë, por është një botë e fantazisë dhe i takon aktorit që ta ndërtojë.
Njëherë jeni shprehur se u bëtë aktore ngaqë, kur ishit fëmijë, nuk keni pasur dhe aq kohë të luanit, prindit donin që të ishit nxënëse e mirë...
Kurse tani e zhvendos veten, imagjinatën, personalitetin në situata të ndryshme. Nuk i kam provuar të gjitha, falë Zotit, por ndjenjat njerëzore janë universale.
Në teatër keni interpretuar Lolën e "Engjëllit Blu", atë personazh me të cilin do të shkëlqente në fillimet e veta në ekran Marlen Ditrih, në vitet tridhjetë.
Interesantja e saj qëndron tek ajo përzierje e këngës, vallëzimit. Regjisori e kishte përshtatur për teatër romanin "Profesor Unrat". Përshtatja për skenën ishte një lloj balet- teatri.
Sa për referencën e Marlen Ditrih, mund të them se çdo gjë që kam parë në jetën time, çdo gjë që kam dëgjuar, çdo film apo teatër që kam parë, çdo roman që kam lexuar, në njëfarë mënyre, më ka frymëzuar.
Unë jam përzierje e shumë kulturave. Çdo gjë më bën përshtypje. Nuk do të guxoja të thosha "jo, gjithçka është e re për mua". Unë nuk po injoroj asgjë. Sigurisht, një dokument për rolin tim, për punën time për këtë personazh, ishte të parit e Marlen Ditrihut dhe e mënyrës se si ajo këndonte, një mënyrë moderne, pavarësisht se është një film i vjetër.
Dhe të mendosh se nga një personazh i tillë kabaretë, keni kaluar tek Medea. Duhet të ketë qenë një angazhim rrënjësor personazhi i Euripidit. Është rol i vështirë Medea për aktoret?
Medea është intensive, por jo e vështirë. Është një rol shumë kompleks dhe shumë i bukur. Të gjitha veprat antike greke janë të tilla. Nuk është vetëm vepra, roli apo faktet, por edhe mesazhi filozofik.
Te Medea flitet për idenë e divorcit. Martesa është një rreth i shenjtë dhe ai që e shkel bashkimin magjik të gruas me burrin në martesë, është kriminel. Dhe fëmijët janë të parët që dënohen.
Në këtë pikë, Medea reagon dhe vret fëmijët e saj. Kurse ajo vetë nuk preket nga zotat, nuk dënohet, sepse ishte një lloj gjykatëseje, ajo vuri në vend të drejtën.
Është rol shumë i rëndësishëm për mua. Kam punuar me regjisorin Andrei Sherban, një regjisor i mrekullueshëm.
E kam luajtur në vitet '90-të dhe më pas kam pasur rastin të luaj të tjerë karaktere të tragjedisë greke si, Klitemnestrën, Elektrën. Jam me fat që kam luajtur edhe në "Lisistratën" e Arsitofanit, me regji të Mikael Kakojanis, një version kabare, një produksion grek.
Nuk mund të mos iu pyesim për Marinë tek "Mundimet e Krishtit", që për së dyti herë ju nxori në kinemanë ndërkombëtare, falë regjisorit Mel Gibson dhe, sigurisht, aftësisë suaj. Është një Mari që, ndër versionet e mëparshme kinematografike të ungjillit, ka një identitet të vetin. Si e morët rolin?
Mel Gibson më pa në disa filma rumunë. Interpretoja dy role krejt të ndryshëm. Njëri i një murgeshe dhe tjetri, një rol shumë femëror, shumë sensual. Z. Gibson vendosi të më dërgonte skenarin dhe më pas u takuam në Romë, në Cine Citta. Folëm dhe prisja që të bëja një kinoprovë, por z. Gibson tha: "Jo, ti do ta luash rolin", dhe kaq ishte e gjitha.
Ju keni luajtur në gjuhën aramaike?
Po, në gjuhën aramaike. E kam mësuar vetëm për këtë rol, që ishte shumë i rëndësishëm për karrierën time. Puna ishte intensive dhe unë isha shtatzënë. Dy muaj pas xhirimeve linda fëmijën tim të tretë, vajzë. Kam dy vajza dhe një djalë.
Pra, ndërkohë që ju humbnit një fëmijë në film, sillnit në jetën reale një tjetër?
Ky ishte film, dhe unë dua të nënvizoj në mënyrë të qartë se punën time e dua dhe e respektoj, dhe jap më të mirën profesionalisht, por jeta ime private është ndryshe. Puna për filmin ishte intensive.
Të punoje me regjisorë dhe aktorë francezë, britanikë ose amerikanë dhe të mos kishe komplekse inferioriteti... Sepse anglishtja nuk është gjuha ime e nënës, unë nuk mund të shprehem dhe kur ata fillojnë të flasin shumë, shpejt ndihesh në siklet.
Por, në këtë pikë e nisëm nga zeroja, sepse askush nuk e fliste gjuhën aramaike dhe mbaj mend që një nga kolegët propozoi që të flisnim anglisht. Por thashë jo. Gjuha aramaike mund të ishte e vështirë, por ishte gjuha e askujt dhe kështu që secili do të përpiqej që të shprehte emocionet, ndjenjat, mendimet e veta.
Na thoni diçka për punën tuaj në teatrot e regjimit të Çausheskut. Çfarë kujtoni?
Sigurisht që ishte një periudhë e vështirë, e pashpresë, e ftohtë. Më kujtohet ende i ftohti i asaj kohe. I ftohti, presioni, mungesa e lirisë. Kjo ishte eksperienca ime.
Është e njëjta Rumani që kemi parë tek "4 muaj, 3 javë, 2 ditë", i regjisorit Cristian
Mungiu, fituesi i Palmës së Artë?
Po, po, po, pikërisht ai ka qenë realiteti.
Si është tani në Rumani?
Ende e vështirë. Nuk është kopsht me lule, të paktën nga pikëpamja ekonomike, nuk është e lehtë. Por kemi të drejtën të udhëtojmë. Tani mund të zgjedhim. Ne mund të bëjmë gabime, por është në dorën tonë të ndërtojmë.
Cilët janë projektet tuaj të afërm?
Ka shumë. Por çfarëdo që të më propozohet, nëse me të vërtetë do të më pëlqejë dhe që mund të më përfshijë, atëherë është në rregull. Unë e dua të nesërmen, por nuk ëndërroj për diçka që është e veçantë, jo.