E Shtunë, 31 Tetor 2026

Montezemolo: Alonso më i miri në botë

Botërori i Formulës 1 është në prag të përfundimit dhe te Ferrari po shtohen zërat për një zëvendësues të mundshëm të pilotit Felipe Masa, duke marrë parasysh paraqitjet e tij të dobëta gjatë këtij sezoni. Edhe pse Masa ka një kontratë edhe për sezonin 2012 me skuderinë italiane, e ardhmja e tij është shumë e paqartë. Të mërkurën, presidenti i Ferrarit, Luka Kordero di Montezemolo, i lëshoi një ultimatum pilotit brazilian. “Shpresojmë që Masa të bëjë një paraqitje të mirë sezonin e ardhshëm e më pas do të vendosim se çfarë do të bëjmë”, u shpreh Montezemolo në programin italian të radios ‘La Politica nel Pallone’. Shumë ndryshe analiza për pilotin tjetër të Ferrarit, spanjollin Fernando Alonso: “Kontrata që kemi me Alonson është e gjatë, ashtu siç ishte edhe kontrata e Shumakerit. Me gjithë respektin që kam për pilotë si Fetel apo Hamilton, them se Alonso është më i miri në botë.”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›