E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesi: Milani na e bëri të vështirë

SHKRUAN: Jeton Selimi 25-11-2011 18:04

Argjentinasi deklaron se në çdo sukses të tijin personal, meritë kanë të gjithë bashkëlojtarët e tij te Barcelona. Ksavi ia dedikon fitoren Tito Vilanovas, i operuar pak ditë më parë

Ylli i Barcelonës, Lionel Mesi ka përgëzuar bashkëlojtarët për fitoren e madhe të arritur ndaj Milanit në San Siro, e cila i siguroi Barçës vendin e parë në Grupin H të Ligës së Kampionëve. “Ishte një fitore thelbësore pasi e bën shortin më të lehtë për fazën tjetër, që teorikisht është më mirë për ne. E donim me çdo kusht fitoren ndaj këtij ekipi të madh dhe mendoj se ishte një ndeshje spektakolare për fansat në stadium. Ishte ndeshje e mrekullueshme ndaj një ekipi prestigjioz. Ne jemi në vendin e parë, gjë të cilën dhe e kemi kërkuar”, theksoi Mesi, ndërsa Ksavi shton: “Ishte një ndeshje e madhe kundër një kundërshtari plot prestigj. E gjithë skuadra u përpoq shumë, pasi Milani dha më të mirën. Golin ia dedikoj Tito Vilanovas (ndihmëstrajneri i Guardiolas që është operuar pas një problemi me një tumor). Më pas, Lionel Mesi këmbëngul se për sukseset e tij individuale meritë të veçantë kanë shokët e skuadrës. Ylli i Barcelonës ndihet me fat që luan përkrah Ksavit e Injestës. 24-vjeçari është i sigurt se Barcelona e sotme është legjendare dhe se do të mbahet në mend përgjithmonë. Ylli argjentinas e ka lavdëruar edhe trajnerin Pep Guardiola, të cilin e konsideron më të mirin në botë. Lionel Mesi i ka lavdëruar shokët e skuadrës, duke insistuar se ata kanë qenë arsyeja e suksesit të tij personal. Lojtari argjentinas konsiderohet si favorit kryesor për ta fituar “Topin e Artë” edhe këtë vit, pas atyre më 2009 e 2010. 24-vjeçari i ka përmendur emrat e mesfushorëve Andres Injesta dhe Ksavi Hernandez, për të cilët thotë se e dërguan aty ku është sot. “Nuk e konsideroj veten si më i miri në botë. Nëse jam çfarë thonë njerëzit, e përsëris, është falë bashkëlojtarëve. Ne e kemi bërë këtë punë të gjithë së bashku”, u shpreh Mesi për ‘Onze’. - “Kam fat të madh të luaj me Ksavin e Injestan. Ata janë lojtarë të cilët i admiroj për klasin dhe influencën që kanë gjatë lojës. Kam marrëdhënie shumë të mira me ta. Ata janë bërë shokë të mi”, vazhdoi ai. I lindur në Rosario të Argjentinës, Mesi thotë se është krenar që arriti ta fitojë titullin në La Liga tri herë rresht, duke përfshirë këtu edhe sukseset në Ligën e Kampionëve dhe në Superkupën e Spanjës. “Nuk mund t’i gjykoj ekipet e kaluara ose t’i krahasoj ato dhe të them se jemi ekipi më i mirë i të gjitha kohëve, por mendoj se ky ekip do të kujtohet për të gjithë trofetë që i kemi fituar. Kjo skuadër e ka ndryshuar rrjedhën e lojës dhe vizionin e futbollit me mënyrën se si luan. Ajo që është e qartë është se ne do të bëhemi legjendarë”, vazhdoi përfaqësuesi argjentinas. Mesi po ashtu ka vetëm fjalë të mira për trajnerin e tij, Pep Guardiola, për të cilin thotë se është trajneri më i mirë në botë. “Guardiola me të vërtetë është fenomen. Së pari, për shkak se ai ka fituar gjithçka. E më pas, për shkak të punës së tij në detaje. Mënyra se si ai u kushton rëndësi edhe gjërave të imta është befasuese. Ai nuk i lë asgjë rastësisë. Pep është pa dyshim trajneri më i mirë në botë”, përfundoi Messi i cili edhe këtë sezon do të mundohet ta udhëheqë Barçën drejt suksesit në La Liga dhe në Champions League.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›