Rubio Sançez: Dinamo? Mua më shqetëson Skënderbeu
Trajneri spanjoll i Tiranës mendon se korçarët tani janë shndërruar në një skuadër agresive dhe të denjë për titullin. Për ndeshjen-derbi kundër bluve, Sançez u druhet më shumë të tijve sesa rivalëve
Dinamo është një “kafshatë” që kapërdihet, ndonëse Rubio Sançez, trajneri spanjoll i Tiranës nuk kërkon që ta nënvlerësojë klubin kryeqytetas të katandisur në ditë të hallit. Por, sidoqoftë, kur mendon për të luftuar për titullin kampion, mendon te rivalët direktë. Dhe kur bëhet fjalë për emra pretendentësh, nuk mund të anashkalohet Skënderbeu, skuadra kampione në fuqi, që pas një starti aspak premtues, duket se po rikthehet te rezultatet pozitive. Ndaj Rubio kërkon një vëmendje të veçantë ndaj kampionëve, ndonëse nuk kërkon të anashkalojë asnjë prej atyre që ai i konsideron pretendentë. Rilindja e korçarëve duket se ka ardhur pikërisht në sfidën e “Qemal Stafës”, kua ata barazuan 0-0 dhe, loja e mirë kundër Tiranës, u shpërblye me fitore kundër Flamurtarit (Rubio lë mënjanë polemikat). “E pata thënë se Skënderbeu është një skuadër të cilën kisha shumë kuriozitet që ta shihja. Kur erdha te Tirana u njoha me kundërshtarët dhe natyrisht që Skënderbeu më krijonte atë përshtypje që të lë ekipi kampion. Por pas ndeshjeve të para, ata nuk po arrinin aty ku duhet, ndonëse unë po prisja që korçarët të riktheheshin aty ku ishin vjet. Pritja më dha të drejtë dhe tani Skënderbeu është realisht ajo skuadër pretendente që unë prisja të shihja. Gjithashtu më pëlqen racionaliteti i Teutës, nuk shënon shumë gola, por shënon aq sa i duhet që të fitojë,” komentoi Rubio për gazetën menjëherë pas përfundimit të seancës së djeshme stërvitore.
Më pas, spanjolli analizon edhe ndeshjen kundër Tomorit, një ndeshje jo nga ato që ka zhvilluar Tirana në këtë sezon. Rubio mendon se ndaj beratasve një rol jot ë vogël e luajti edhe terreni i keq i stadiumit “Roza Haxhiu” të Lushnjës, pasi Tomori vijon të jetë në ekzil pas dënimit të FSHF-së. “Ishte një fushë tmerrësisht e keqe dhe imagjinoni që aty ishte luajtur futboll një ditë më parë. Megjithatë, morëm fitoren dhe kjo më ka kënaqur. Goli i anuluar? Mendoj se është vetëm një justifikim i Tomorit. Ne patëm të gjithë lojën nën kontroll,” nënvizoi ish-tekniku i Seviljas sfidën e shkuar kundër Tomorit. Në fund, i vjen radha Dinamos. Dikur mes këtyre të skuadrave është luajtur futboll me plot kuptimin e kësaj fjale, ndërsa sot blutë janë me -1 pikë në tabelën e renditjes. “Unë nuk kam parë asnjë ndeshje mes Tiranës dhe Dinamos, por jam informuar dhe më kanë thënë që ka qenë një ndeshje që gjithmonë ka qenë përcaktuese për titull. Pavarësisht pozitës së Dinamos në tabelë, ne duhet të vijojmë ta konsiderojmë të tillë ndeshjen e fundjavës. E di që Dinamo është e fundit në tabelë, por ne nuk mund t’ia lejojmë vetes që të gabojmë me askënd pasi na duhet fitorja,” përfundon timonieri i 24 herë kampionëve të vendit.
Superliga - Java X
Kastrioti – Shkumbini
Tirana – Dinamo
Flamurtari – Tomori
Vllaznia – Skënderbeu
Bylis – Apolonia
Teuta – Laçi
Pogradeci – Kamza
Renditja
Skuadra N F B H P
1. Teuta 9 7 1 1 22
2. Tirana 9 5 2 1 20
3. Kastrioti 9 6 0 3 18
4. Flamurtari 9 5 1 3 16
5. Laçi 9 4 3 2 15
6. Vllaznia 9 4 2 3 14
7. Skënderbeu 9 3 5 1 14
8. Kamza 9 4 1 4 13
9. Bylis 9 3 2 4 11
10. Pogradeci 9 3 1 5 10
11. Shkumbini 9 2 3 4 9
12. Apolonia 9 2 2 5 8
13. Tomori 9 1 1 7 4
14. Dinamo 9 0 2 7 -1
Shënim: Dinamos i janë zbritur tri pikë nga UEFA