Monti: Evropa i është “dorëzuar psikologjikisht” krizës

Kryeministri i Italisë Mario Monti ka paralajmëruar se Evropa është dorëzuar psikologjikisht ndaj krizës dhe kjo sipas tij duhet të ndalohet. Në një intervistë për gazetën gjermane “Der Spiegel” Super Mario tha se kriza në Eurozonë po thyen cdo vend dhe se kjo do të sjellë shpërbërjen e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Italian tha se vendet me ekonomi më të fortë në Eurozonë duhet tu lenë më shumë hapësirë për manovrime shteteve që aplikojnë me saktësi objektivat europiane, ndërsa kërkoi nga Gjermania mbështetje morale dhe jo financiare.
Në këtë intervistë Monti është ndalur tek qëndrimi antigjerman i parlamentarëve italianë në muajt e kaluar, duke shtuar se ka qenë shumë i shqetësuar për këtë ndjenjë antieuropiane.
“Nuk dua që euro të kthehet në një mjet disintegrimi. Nëse monedha unike kthehet në një faktor të tillë atëherë bazat e projektit europian do të shkatërrohen” thekson Monti.
“Në krizën e Eurozonës nuk bëhet fjalë për një përballje mes veriut dhe jugut të Europës, por të një monedhe të 330 milionë europianëve dhe sa më shpejtë të reagojmë me vendosmëri aq më shpejt do të jemi në rrugën e duhur me më pak kosto për të gjithë” ka deklaruar kryeministri Italian, duke iu referuar shqetësimeve të Gjermanisë dhe Europës së Veriut se ndihmat e BQE për vendet më të dobta të Eurozonës mund të ngadalësojnë procesin e reformave të rimëkëmbjes.